1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hemming: Tema e fundit do të jetë ballafaqimi me të kaluarën

6 Nëntor 2021

Pak para 50-vjetorit të themelimit, Shoqata e Miqësisë Gjermani-Shqipëri ka vendosur të shpërbëhet. Në intervistë me DW, kryetari i saj, Andreas Hemming, shpjegon arsyet dhe se çdo bëhet me revistën "Albanische Hefte".

https://p.dw.com/p/42diO
 Ethnologe Andreas Hemming
Andreas Hemming gjatë një aktiviteti për Shqipërinë në Cyrih të Zvicrës, në prill 2018Fotografi: Privat

Deutsche Welle: Zoti Hemming, Shoqata juaj ka qenë për 50 vjet me radhë aktive në prezantimin e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë. Si është e mundur që pikërisht në këtë 50-vjetor vendosi të shpërbëhej? 

Andreas Hemming: Përkimi me 50-vjetorin ishte rastësor. Shkaku kryesor ishte që prej kohësh numri i anëtarëve ishte tepër i vogël, afro 100, ndërsa aktivitetet kërkonin shumë më tepër angazhim dhe burime financiare. Prej viteve '90 shoqata merrej edhe me Kosovën. Në këto vite jemi përpjekur disa herë të ristrukturohemi për të ruajtur ofertat tona, por së fundmi e pamë që ishte shumë e vështirë, sepse demografia kishte nisur të punonte kundër nesh. Mosha mesatare e anëtarëve ishte mbi 60. Përpjekjet tona për të rinuar shoqatën ishin të pasuksesshme, edhe për faktin se puna vullnetare në shoqata nuk është më joshëse për të rinjtë e sotëm. Ata preferojnë ta realizojnë veten në projekte. Pra, është një trend i përgjithshëm. 

Deutschland Jena DAFG-Tagung zur Albanischen Sprache
Një nga aktivitetet e fundit të mëdha të DAFG-së ishte Konferenca mbi Gjuhën Shqipe, në Jena, në nëntor 2017. Në Foto është Wilfried Fiedler (1933-2019), një nga korifejtë e albanologjisë në Gjermani Fotografi: DW/Auron Dodi

Njëra nga ofertat tuaja, veç aktiviteteve tematike dhe simpoziumeve , ishte revista "Albanische Hefte". Çfarë do të ndodhë me këtë revistë pas shpërbërjes tuaj?

Kjo ishte tema kryesore e debatit që zhvilluam të shtunën e kaluar, në Kassel, në takimin e fundit vjetor të anëtarëve. Pati diskutime emocionale dhe të gjata, dhe më në fund vendosëm që, edhe pse shoqata do të shpërbëhet, disa aktivitete do të mbeten. Dhe njëri syresh është botimi i revistës "Albanische Hefte", barra kryesore e të cilës deri në vitin 2014 binte mbi ish-kryetarin e mëparshëm, Bodo Gudjons. Pas një ristrukturimi në vitin 2018, revista përgatitej kryesisht nga Michael Schmidt Neke, Jochen Blanken dhe Matthias Bickert. Ne do të bëjmë edhe një edicion të fundit të revistës para se ta kalojmë botimin nën ombrellën e shoqatës "Albanienhilfe" (Ndihma për Shqipërinë), e Shoqatës së Ndihmës së Krishterë në Wismar. (Christlichen Hilfsvereins Wismar e.V.)" Kjo organizatë ka vite që dërgon ndihma humanitare në Shqipëri.  

Anila Wilms Schriftstellerin Lesung Uni Essen
Bodo Gudjons, ish-kryetari i Shoqatës së Miqësisë Gjermani Shqipëri me shkrimtaren Anila Wilms gjatë një leximi organizuar në Universitetin e Essenit.Fotografi: Wolfgang Sobolewski

Shoqata juaj është krijuar në vitin 1971. Një periudhë kur në Shqipëri sundonte komunizmi. Anëtaret themelues të organizatës suaj kanë qenë të majtë nga Gjermania Federale që mbështesnin regjimin stalinist të Enver Hoxhës. A është përballur Shoqata juaj me të kaluarën e saj në Shqipëri? 

Kjo është e vërtetë. Ne kemi pasur anëtarë, të cilët që nga mesi i viteve '70 kishin të bënin me Shqipërinë ose jetonin në Shqipëri.Pas rrëzimit të komunizmit, në fillim të viteve 91, shoqata kishte deri 800 anëtarë, por shumica e tyre u larguan. Kishte nga ata që thanë se Shqipëria po bënte një hap të gabuar, të tjerë që e mirëpritën këtë kthesë. Por më duhet të them se deri tani nuk kam takuar askënd, që kanë pasur të bëjnë me Shoqatën dhe që ta zbukurojnë atë që ka ndodhur në Shqipëri. Dikush më tha njëherë se: Një pyetje më torturon prej shumë vitesh: Vërtet nuk e shihja, apo thjesht nuk doja ta shihja realitetin? Pra secili e reflekton me veten e tij. 

Nxënës duke bërë punë prodhuese në Shqipëri. Foto e bërë gjatë vizitave të turistëve gjermanë në Shqipërinë komuniste,
Nxënës duke bërë punë prodhuese në Shqipëri. Foto e bërë gjatë vizitave të turistëve gjermanë në Shqipërinë komuniste, Fotografi: DAFG Archiv

Po shoqata si organizatë? Ajo ka qenë mbështetëse e regjimit të Enver Hoxhës.Tekefundit ajo i jepte një lustër imazhit të Shqipërisë komuniste në Gjermaninë Perëndimore. 

Sigurisht. Shoqata ishte krahu i zgjatur i regjimit të Hoxhës në Gjermani. Pas rënies së komunizmit, DAFG u angazhua në mënyrë intensive me ndihma humanitare në Shqipëri dhe mbeti dashamirëse ndaj Shqipërisë. Kjo është kuptuar nga shumë anëtarë si periudhë pendimi, si një mea culpa. Por sa i përket përballjes me të kaluarën e shoqatës, kjo ende nuk ka ndodhur. Këtë duam ta trajtojmë në numrin e ardhshëm të revistës "Albanische Hefte", i cili do të jetë numri i fundit që botohet nga DAFG si shoqatë. Se si do ta trajtojnë autorët  të kaluarën, nuk mund ta parashikoj. Por do të dëshiroja që të jetë një analizë e sinqertë ku të flitet qartë mbi gabimet e së kaluarës.

 

Andreas Hemming, i lindur në vitin 1973, është etnolog nga profesioni dhe  e njeh Shqipërinë prej vitit 1999. Në vitet 2008/2009 ai ka bërë hulumtime në terren në Mirditë. Prej vitit 2014 është kryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri.