Gieselwerder - skenë e kulturës shqiptare
Më 22-23 gusht u organizua në Gieselwerde festa shqiptare e verës- pazar shqiptar, muzikë, gatime dhe tekstilet shqiptare tërhoqën mjaft vizitorë gjermanë. Një tur fotografik në dy ditët e Shqipërisë në Gieselwerder.
Ekspozita shqiptare në muzeun e tekstilit në Gieselwerder
Ekpozita me tekstile shqiptare në muzeun e tekstilit në Gieselwerder ka tërhequr vizitorët gjermanë. Drejtori i muzeut Kicher ka qenë dy vitet e fundit në Shqipëri dhe ka mbledhur një koleksion të mrekullueshëm të tekstileve të ndryshme shqiptare. Vetë familja Kicher që e ka iniciuar muzeun, është e njohur në Gjermani për prodhimin e tekstileve në tezgjah pas Luftës së II Botërore.
Pjesë e festës edhe fëmijët
Në festën shqiptare të verës në Gieselwerder ka pasur mjaft vizitorë. Më të interesuarit ishin fëmijët, por sigurisht më shumë për lodrat. Në festë kishte program edhe për fëmijët, thotë kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Gjermani, Andreas Hemming.
Pazari shqiptar
Në festën e verës mund të gjeje edhe një pazar shqiptar me prodhime nga Shqipëria, por edhe me tekstile e objekte të ndryshme shqiptare që mund të bliheshin nga vizitorët. Mjeshtria artizanale ishte e pranishme në stendat e pazarit me qilimat, qëndismat, punimet në bizë etj.
Nuk munguan as përrallat
Gjatë dy ditëve të festës shqiptare (22-23 gusht) u lexuan në mënyrë skenike edhe përrallat shqiptare. Vizitorët gjermanë treguan vëmendje për botën magjike të përrallave shqiptare.
Në gjurmët e gjysheve
Gjatë ditëve të festës gratë shqiptare treguan se nuk i kanë harruar virtytet e dikurshme të nënave shqiptare. Pjesë e programit ishin edhe demonstrimi i punimeve me shtiza, i bërjes së bizës dhe qëndismave.
Njohje me kulturën tradicionale dhe moderne shqiptare
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Gjermani, entonoloug Andreas Hemming, foli për traditën e kulturës shqiptare nga e shkuara deri në kohët moderne. Duam të tregojmë me këtë festë se Shqipëria është një pjesë e Europës, që Shqipëria ekziston, që ky vend ofron diçka që është po ashtu pjesë e Europës, thotë ai.
Artizanat nga Shqipëria
Në pazarin shqiptar gjeje edhe qilima e punime të tjera tezgjahu të ekspozuara enkas për këtë festë. Sipas organizatorëve festa ishte si një përzierje të një feste fshati me impresione kulturore nga tradita dhe kohët moderne shqiptare.
Nga qendra e azilit në festën shqiptare
Në Gieselwerder janë vendosur edhe azilkërkuesit shqiptarë që kanë ardhur muajt e fundit nga Shqipëria. Disa gra e vajza shqiptare erdhën edhe në festë. Sipas Andreas Hemming tema e azilkërkuesve nuk mund të heshtej në festë. Ndonëse Shqipëria ka zona me kushte shokuese jetese nga këndvështrimi gjerman, ky vend ka edhe mjaft për të ofruar dhe ia vlen ta njohësh e ta vizitosh atë.
Revani dhe çaj mali
Një festë vere në Gjermani nuk mund të përfytyrohet pa kafenë dhe ëmbëlsirat - sigurisht kësaj radhe të gjitha këto ishin shqiptare: revani, kek me fruta, çaj mali me bollëk për vizitorët që shijuan ditët shqiptare në Gieselwerder.