Gjuha shqipe e zhvillimi i saj - konferencë e DAFG në Jena
13 Nëntor 2017Koncepti i menduar mirë nga organizatorët dhe cilësia e kumtesave mundësuan që harku kohor midis epokave të hidhej me sukses edhe brenda kohës së shkurtër në dispozicion për natyrën e temave. Ishte një zgjedhje jo rastësore që për të kaluarën e shqipes referuan në konferencë dy figura me të cilat identifikohet albanologjia dhe historiografia gjermane për Shqipërinë: Prof. Wilfried Fiedler dhe Dr. Michael Schmidt-Neke.
Studimet dhe analizat e tyre për shqipen dhe shqiptarët janë prej dekadash e deri sot pika të sigurta reference, si për profesionistë ashtu edhe për kureshtarë që duan të mësojnë në Gjermani dhe jashtë saj më shumë për botën shqiptare.
Zhvillimin e vrullshëm të shqipes në dekadat e fundit dhe perspektivat e mundshme të zhvillimit të saj, organizatorët kishin zgjedhur t'i trajtonin duke ftuar të referojnë nga njëra anë një mësues dhe një përkthyes dhe nga ana tjetër dy shkencëtarë të rinj: mësuesin e shqipes në Gjermani, Muhamet Idrizi dhe përkthyesin Vëllaznim Haziri si dhe gjuhëtarët e rinj: Dr. Henry Ludwig dhe Dr. Lumnije Jusufin.
"Çfarë do të thotë e gjitha kjo gramatikë për punën time të përditshme?" Kjo ishte pyetja që shtroi një vit më parë në një konferencë për çështje të gramatikës Dr. Robert Elsie, tregoi në bisedë me Deutsche Welle-n, Andreas Hemming, njëri nga organizatorët e konferencës dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë Gjermano-Shqiptare (DAFG).
„Kështu që ne vendosëm të mos kishim në konferencë vetëm gjuhën në pikëpamje shkencore, por edhe gjuhën në jetën e përditshme, pikërisht me mësimin në gjuhën amtare", tha Hemming.
"SHQIPJA - NJË GJUHË E VEÇANTË"
Kumtesën e tij "Shqipja - një gjuhë e veçantë", prof. Wilfried Fiedler e kishte konceptuar rreth tri boshteve kryesore: 1.shqipja si gjuhë indoevropiane 2. shqipja dhe gjuhët e tjera ballkanike dhe 3. dialektet dhe gjuha e shkruar, e kultivuar, shqipe.
Me një gjuhë të kuptueshme për spektrin e gjerë të dëgjuesve të konferencës, që shtrihej që nga kureshtarët për shqipen, tek mësimdhënësit, historianët dhe gjuhëtarët, prof. Fiedler u ndal te marrëdhëniet e shqipes me ilirishten. Ai tha se hipoteza që shqipja duhet të ketë lidhje me ilirishten u shpreh në krye nga filozofi, historiani e matematikani Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1717), me të cilin „fillojnë thuajse të gjitha në shkencën gjermane". Ky mendim u mor më vonë edhe nga dijetari Johann Thunmann (1746-1778) dhe u fut në shkencë nga themeluesi i indogjermanistikës, Franz Bopp (1791-1867). Pra që prej themelimit indoevropianistika e krahasuar përfshiu edhe shqipen.
Prof. Fiedler u kujtoi të pranishmëve se me përjashtim të greqishtes, asnjë gjuhë e Ballkanit nuk ka dokumentim të pandërprerë deri sot, në mënyrë që të ndiqet në zhvillimin e saj. Në këtë kuadër, nga pak glosa dhe emra të rikonstruktuar vendesh nuk mund të thuhet „me siguri që idioma e quajtur ilirishte në antikitet është me të vërtetë gjuha paraardhëse e shqipes". Por, kujtoi Fiedler, „pavarësisht se si quhej gjuha paraardhëse e shqipes, atdheu i saj ka qenë në mënyrë të vazhdueshme Ballkani".
Një argument kryesor për këtë tezë janë elementët e greqishtes së vjetër në shqipe, si p.sh. pjepër, mokër.
Elementi i dytë i rëndësishëm është që shqipja nuk ka vetëm fjalë të përbashkëta me greqishten, por ka përbashkësi strukturore krejt të veçanta me gjuhët e tjera ballkanike. Përbashkësitë tipologjike vërehen ndër të tjera edhe në "zinxhirin ballkanik": në radhitjen njëra pas tjetrës të fjalëve që nuk pranojnë ndërfutje elementësh të tjerë si p.sh. në fjalinë "Pa ndihmën e kolektivit, nuk do ta paskësh mbaruar dot", ku "nuk do ta paskësh mbaruar dot", në shqip nuk pranon asnjë ndërfutje elementësh të tjerë. Në gjuhët e tjera ballkanike ky togfjalësh është gjithashtu një i vetëm, megjithatë disa gjuhë ballkanike pranojnë edhe ndërfutjen e elementëve.
Prof. Wilfried Fiedler kujtoi së treti faktin që kufiri i ndarjes së dialekteve të shqipes është i pranuar gjerësisht. Por në një kohë kur toskërishtja, kryesisht në pjesën jugore të Shqipërisë, ndonëse me nëndegë „paraqitet relativisht e njësuar, ndarja e gegërishtes është më e ndërlikuar". Veç ndarjes në gegërishte veriore dhe gegërishte jugore, kemi edhe nëndegë të tjera. Prof.Fiedler tha se është një fakt që të tërheq vëmendjen që p.sh. gegërishtja verilindore, pra kosovarishtja, ka trashëguar pak dëshmi të vjetra me shkrim.
Ai tha se ndoshta gegërishtja jugore, për shkak të dallimeve më të vogla me toskërishten do të ishte përshtatur më mirë si gjuhë e përbashkët e shqiptarëve. Por edhe me këtë degë dialektore problemi kryesor për gjuhën standarde do të kishte mbetur: ekzistenca e paskajores në gegërishte. "Në mënyrë të çuditshme gegët mendojnë që pa paskajore në fakt as që mund të jetohet. Për këtë i mbështesim edhe ne evropianoqendrorët, sepse edhe ne themi: si mund të jetohet pa paskajore. Por njëkohësisht shtrojmë pyetjen: pse në Greqi ose në Bullgari nuk ka fare përpjekje për t'i futur paskajoret, që mund t'i futësh lehtë në gjuhët përkatëse?", pyeti prof. Fiedler.
Më tej prof. Fiedler theksoi që gegërishtja jugore funksionoi si gjuhë e shkrimit, e përbashkët prej fundit të Luftës së Parë Botërore deri në vitin 1938. Por duhet thënë, tha ai „se për një kohë kaq të shkurtër janë relativisht pak gjëra që gjuhësia mund të kish ofruar me fuqinë e rregullave".
Më tej ai shprehu pikëpamjen se shkrimi nga udhëheqësit komunistë partizanë në Luftën e Dytë Botërore të deklaratave kryesisht në toskërisht, por me elementë të gegërishtes, pati ndikim në praktikën e mëvonshme gjuhësore. Pas një diskutimi filologësh në Tiranë, në vitin 1952, gegërishtja kaloi edhe më qartë në plan të dytë. Ndërsa në Kosovë, pas vitit 1968 u vendos që të përdoret një gjuhë e përbashkët standarde me Shqipërinë, rregullat për të cilën u vendosën në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
NORMËZIM I GJUHËS ME DEKRET NGA PUSHTUESI?
A është e mundur që gjuha e një vendi të normëzohet me dekret të pushtuesit, pyeti dr. Michael Schmidt-Neke në kumtesën e tij për punën e „Komisias Letrare Shqipe" që veproi në Shqipëri midis viteve 1916-1918?
Schmidt-Neke theksoi që me pushtimin e 20.000 metrave katrorë të territorit shqiptar në fillim të 1916-ës, monarkia Austro-Hungareze ndoqi edhe një politikë kulturore. Krahas akteve brutale si pushtues, austro-hungarezët mbështetën edhe përpjekjet për arsim. Për këtë ata ndërmorrën në dobi të shqiptarëve, që i shihnin si aleatë (në dallim nga qendrimi ndaj serbëve e malazezëve, gjithashtu të pushtuar prej tyre) , një hap të pazakontë: ata urdhëruan ngritjen e një Komisioni Letrar për përpunimin e gramatikës dhe të terminologjisë.
"Detyra e aktit të themelimit të Komisionit Letrar, në fuqi që prej 1 shtatorit 1916 ishte zhvillimi i një ortografie gjithëpërfshirëse të shqipes; zhvillimi i terminologjisë për drejtësinë, administratën dhe arsimin; hartimi i librave shkollorë", tha Schmidt-Neke.
Komisioni përbëhej nga 17 vetë, por jo të gjithë këta anëtarë i ndoqën të gjitha 64 mbledhjet e Komisionit, që funksionoi deri në maj 1918. Komisionin e kryesonte Gjergj Pekmezi, me origjinë nga Pogradeci, i cili kishte formim gjuhësor. Anëtarë të njohur të Komisionit qenë ndër të tjerë, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, publicistë si Sotir Peci apo Sali Nivica; pedagogë me emër si Martin Logoreci apo Aleksandër Xhuvani nga Elbasani; poetë si Hil Mosi apo Ndre Mjeda.
Disa faktorë e penguan punën normale të Komisionit, kujtoi dr. Schmidt-Neke. Megjithëse një vit pas themelimit ai u ngrit në nivelin e një institucioni të varur nga Këshilli Administrativ Civil, anëtarët e tij punonin në mënyrë krejt honorofike. Përbërja e tij ishte e pabalancuar. Në të mbizotëronin njëanshmërisht gegët: nëntë prej anëtarëve qenë gegë, katër toskë, dy elbasanas. Veç tyre anëtarë qenë edhe dy të huaj: Rajko Nahtigal dhe Maximilian Lambertz.
E parë nga pikëpamja fetare, Komisioni me qendër Shkodrën përbëhej nga nëntë katolikë, katër ortodoksë dhe vetëm dy myslimanë. „Një aktivitet katolik-geg" që nuk e mbante parasysh shumicën myslimane të popullsisë së Shqipërisë, tha Schmidt-Neke.
Veç botimit të dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë, vendimit për nxjerrjen e një reviste mujore letrare gjermanisht-shqip (nga e cila u botuan vetëm dy numra), Komisia Letrare kishte si detyrë edhe hartimin e një fjalori gjermanisht-shqip si dhe këshillimin e administratës shqiptare në çështjet terminologjike, sidomos juridike.
Pikërisht puna me terminologjinë, me rastin e botimit të përkthimit të ligjit të gjykatave të paqes (strukturë paralele civile me gjykatat ushtarake austro-hungareze), nxorri në pah edhe gjendjen e gjuhës shqipe në atë kohë.
"Duhet të jetë një rast i rrallë që një komision letrar i bashkangjit një botimi të një ligji, si ligji për gjykatat e paqes, dy faqe për vështirësinë e përkthimit. Pekmezi shpjegon...që në shumë raste kishte qenë shumë e vështirë gjetja e shprehjeve të duhura. Dhe prandaj qe vendosur që krahas termit shqip, të paraqitej edhe termi i vjetër osman me transkriptim latin. Ai lutet që për tekste të tilla në të ardhmen të bashkangjitet edhe terminologjia përkatëse evropiane: gjermanisht, frëngjisht, italisht".
Por pyetja qendrore që çoi shpejt në shpërbërjen e Komisionit ishte mosdakordimi për kuptimin e synimin e punës: "çfarë duam ne në fakt: a duam të përkufizojmë një standard nacional për gjithë gjuhën, dhe nëse po, mbi ç'bazë, ndoshta edhe mbi ndonjë dialekt rajonal? Apo duhet pranuar dualiteti i gegërishtes dhe toskërishtes e të rrafshohen në terminologji dallimet më të mëdha dhe të zhvillohet një ortografi fonetike?" Kjo ishte çështja qe e bllokoi punën e Komisionit.
Propozimi që si bazë për gjuhën e përbashkët të merrej dialekti i Elbasanit (propozim i bërë edhe më parë), hasi në kundërshtimin e vendosur ndër të tjera të Maximilian Lambertzit (1882-1963), i pasionuar pas gegërishtes së Gjergj Fishtës. Zhvillimet më të gjera, ecuria e Luftës së Parë Botërore jo në dobi të Austro-Hungarisë ndikuan në punën e Komisionit. Nga librat shkollorë që do të hartonte Komisioni, u botua vetëm një dhe ai më 1920. Disa muaj pas shpërndarjes së Komisionit, në maj 1918 austro-hungarezët i larguan trupat nga Shqipëria. "Ajo që pasoi ishin dy dekada pa një politikë të organizuar gjuhësore në Shqipëri," tha në fund dr. Michael Schmidt-Neke.
SHQIPJA - ÇFARË TË TËRHEQ TE AJO
Më parë, shefi i Katedrës së Sllavistikës Jugore në Universitetin Friedrich-Schiller të Jenës, Prof. dr. Thede Kahl, u pati treguar të pranishmëve në konferencë përshtypjet e tij nga ekspeditat gjuhësore edhe në rajonet shqipfolëse në Ballkan.Një vend gjeografikisht kompakt me një gjuhë misterioze si shqipja më tërhoqi shumë, tha prof. Kahl. Në projektin e tij për "Barinjtë në kontakt, ndryshimet në gjuhë dhe kulturën e ish-barinjve shëtitës" ai ka analizuar edhe fjalë shqipe. Mbi bazën e evoluimit të disa profesioneve si p.sh. "hamall" apo "salepçi" te shqiptarët, prof. Kahl u ndal te zhvillimet kulturore.
Përpunimin e terminologjisë gramatikore në gjuhën shqipe ai e paraqiti në disa hapa, deri te propozimet e Sami Frashërit dhe të afëria e tyre me termat e sotëm gramatikorë të shqipes.
Prof.Kahl, si mikpritës i konferencës në ambjentet e Universitetit Friedrich-Schiller në Jena i informoi të interesuarit edhe për mundësitë për të studiuar gjuhën shqipe në kuadër të kurseve për Bachelor e Master për Evropën Juglindore në Universitetin e Jenës.
SFIDAT AKTUALE NË MËSIMDHËNIEN E SHQIPES NË GJERMANI
Për sfidat aktuale në mësimdhënien e shqipes në Gjermani, referuan në Jena mësimdhënësi Muhamet Idrizi dhe përkthyesi Vëllaznim Neziri. Të dy theksuan se kushtet kuadër për mësimdhënien e shqipes në landin e Baden-Vyrrtembergut dhe përkatësisht në landin e Saksonisë së Poshtme janë të ndryshme.
Në një kohë që në Baden-Vyrttemberg mbështetja shtetërore për këtë mësimdhënie lë për të dëshiruar, në Landin e Saksonisë së Poshtme dhe në lande të tjera si në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, prej dekadash shqipja jepet me sukses në shkolla.
Neziri theksoi se për mësimin në gjuhën amtare në BE vërtet ekziston që prej vitit 1977, neni 3 i direktivës së Këshillit të Komunitetit Evropian për përkujdesjen në shkollë të fëmijëve të punonjësve migrantë. Kjo direktivë nisi të zbatohet në Saksoninë e Poshtme që në prill 1980.
Por në përgjithësi në Gjermani nuk ka një bazë të qartë juridike në mbështetje të kërkesës për të marrë mësim në gjuhën amtare.
"Çdo land federal mund të vendosë në kompetencën e tij, nëse ky mësim do të zhvillohet brenda kompetencës apo jashtë kompetencës së administratës së kulturës së landit," tha Haziri.
Atje ku mësimi nuk ofrohet në kuadër të administratës shtetërore, mësimi u kërkohet ta ofrojnë ose konsullatave të shteteve të origjinës, ose komuniteteve fetare, si xhamive, ose prindërit vetëorganizohen dhe marrin mësim privat për fëmijët e tyre.
Por në kushtet alternative, cilësia dhe kontrolli i mësimdhënies nuk janë të garantuara. Neziri theksoi më tej rëndësinë që mësimi i gjuhës amtare të zhvillohet, në mënyrë që të nxitet zhvillimi kognitiv i fëmijëve, siç është vërtetuar në rastin kur fëmijët rriten me disa gjuhë.
Në dallim nga gjendja në landin e Saksonisë së Poshtme, mësimdhënia në gjuhën shqipe në landin e Baden-Vyrttembergut përballet me probleme të natyrave të ndryshme. Kualifikimi i mësuesve, financimi i tyre dhe njohja zyrtarisht e orëve të mësimit janë disa prej tyre. Mësimdhënësi Muhamet Idrizi, që ka hartuar një studim të posaçëm për këtë fenomen, foli me DW.
FUSHA TË REJA STUDIMI NË ALBANOLOGJI
"Shqipja digjitale, globale, reale?" dr. Henry Ludwig nga Universiteti i Jenës analizoi raportin e gjuhës me pamjen, në spote televizive turistike për Shqipërinë. Në spotet "Albania Living Art" dhe në "Albania People Food Drink" referuesi u ndal në zhvillimin e shqipes në kategoritë e tekstit gjuhë e folur, gjuhë e shkruar dhe gjuhë e kënduar. Çfarë është "reale" në gjuhë, pyeti referuesi. Perceptimi i çdo njeriu për gjuhën është individual. Ludwig e shtjelloi këtë ide mbi bazën e trekëndshit të njohur semiotik: koncept-përfaqësim-referues.Mosshoqërimi i tekstit nga figura ose përshkrimi i figurës që shfaqet janë veçori që ndeshen në produkte televizive në gjuhën shqipe.
"Shqipja e menduar" dhe "shqipja e kërkuar" - me titujt e dy blloqeve e kumtesës së saj, gjuhëtarja Lumnije Jusufi kumtoi se ideja me të cilën u nis "gjuha standarde paraqet problem sot dhe për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës standarde".
Nëse popujt e tjerë për ndërtimin e identitetit nacional mund të mbështeteshin në konfesionet ose në struktura të mëparshme shtetërore, shqiptarët patën në dispozicion fillimisht vetëm gjuhën dhe "rikonstruktimin e kulturës kombëtare". "Në rastin e shqipes, gjuha ishte mjeti i vetëm me të cilin mund të iniciohej formimi i një kombi", kujtoi Jusufi.
Njësimi i alfabetit më 1908, shpallja luftë shumëllojshmërisë së mëparshme kulturore më 1916, si dhe ndalimi i fesë dhe purizmi në Shqipërinë komuniste e përgatitën shqipen për "rolin e ri të caktuar". Jusufi mbrojti idenë se këto hapa çuan "në themelimin e një gjuhe të re standarde ose në përcaktimin e gjuhës standarde me një bazë të re dialektore."
Më tej referuesja tha se nga një standard i kontrolluar fort, shqipja "është kthyer në një standard pa zot, por shumë i kërkuar me detyra të ndryshme të shoqërisë së sotme." "Shqipja standarde zotërohet sot vetëm nga një grusht ekspertësh", vazhdoi më tej ajo.
Diskutimet "për ndryshimin e bazës dialektore të shqipes standarde" kanë rëndësi për "rivlerësimin e së kaluarës". Por sot, përballë detyrave shoqërore ndaj shqipes, "këto diskutime janë kundërproduktive", tha Jusufi.
Shqipja si gjuhë policentrike, si zhargon profesional dhe gjuhë e huaj
Përsa i përket gjendjes së sotme të shqipes, Lumnije Jusufi kërkoi që të normëzohen varietetet e shqipes standarde, p.sh. siç paraqiten ato në ish-Jugosllavi. Sidomos pas pavarësisë së Kosovës shqipja nuk mund të vështrohet më si gjuhë "monocentrike me qendër historike Tiranën", shtoi referuesja. Rrjedhat e ndryshme në formimin e kombit, shtresat intelektuale, politikat gjuhësore e bëjnë shqipen "gjuhë policentrike", tha ajo.
Që të bëhet i afërt me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe të profesioneve dhe i aftë për të konkuruar në tregun e punës, standardi duhet reformuar, kërkoi Jusufi. Në këtë kuadër ajo kritikoi që për albanologjinë "është joekzistent" zhargoni profesional, pra gjuha e profesioneve. Ato "ose quhen të folme shoqnore, ose gjuhë speciale ose ngatërrohen me gjuhët e fshehta, argo".
Njëkohësisht ajo kujtoi se gjuhësia nuk ka një mendim të prerë për pavarësinë e zhargonit profesional nga gjuha e përgjithshme. Kjo referencë e autores duket se i referohet edhe faktit që në albanologji zhargoni profesional, i quajtur "terminologji tekniko-shkencore" ose "terminologji profesionale" është parë si një pjesë specifike e gjuhës së përgjithshme.
Në mësimdhënien e shqipes si gjuhë amtare jashtë Shqipërisë, referuesja kërkoi hartimin e metodave të reja të mësimdhënies. Mësimdhënia me metodat tradicionale nuk është efektive me „brezin e tretë dhe të katërt“ të migrantëve, që nuk e kanë shqipen gjuhë të familjes. Ndërtimi i shqipes si gjuhë e huaj "është në vazhdim e sipër", tha Lumnije Jusufi. Në këtë kuadër duhet bërë normëzimi i shqipes "sipas shkallëve të kornizës së referencës evropiane".
(vazhdon)
Më shumë mbi këtë temë: Një humbje e ndjeshme për albanologjinë shqiptare