1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Më në fund propozimi francez para deputetëve

13 Korrik 2022

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut (MV) do të mbajë të enjten (14.07) seancën për miratimin e propozimit francez, që i mundëson MV mbajtjen e konferencës së përbashkët ndërqeveritare me BE-në.

https://p.dw.com/p/4E4lM
Nordmazedonien Parlament - Sitzung am 25.03.2021
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut beson, se i ka numrat e nevojshëm për miratimin e konkluzioneve të qeverisë lidhur me propozimin e Francës për daljen nga ngërçi prej vetos bullgare në BE. Miratimi i këtij propozimi do t'i hapte rrugën fillimit të bisedimeve mes Shkupit dhe Brukselit për antarësimin e MV-së në BE.  Ndërsa opozita thotë, se do ta kundërshtojë propozimin në fjalë. Para fillimit të seancës plenare, deputetëve do t'iu drejtohet me një fjalim edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

VMRO-DPMNE: Propozimi Francës i dëmshëm për interesat kombëtare

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkon nga qeveria që të plotësojë konkluzionin me të gjitha dokumentacionet përcjellëse që kanë të bëjnë me detyrimet e Maqedonisë së Veriut (MV) dhe rrjedhën e bisedimeve me BE-në.

Opozita maqedonase e  vlerësuar si të turpshëm konkluzionin e qeverisë, duke e akuzuar atë për fshehje të propozimit, që sipas VMRO-DPMNE-së është i dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase. "Kërkojmë që urgjentisht të dorëzohet protokolli maqedono-bullgar, i cili është dokumenti më i rëndësishëm dhe kyç në këtë proces. Nëse deputetët e shumicës janë të gatshëm për një poshtërim të tillë, ne nga opozita nuk jemi dhe prandaj kërkojmë që të gjitha dokumentet të dorëzohen sipas procedurës parlamentare”, vlerëson Goran Micevski kryetar i Grupit Parlamentar të VMRO DPMNE-së.

LSDM: Nuk rrezikohet identiteti dhe gjuha maqedone

Grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate ka thënë, se është për transparencë në procedurën e miratimit të vendimit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duke siguruar se me propozimin francez nuk rrezikohet identiteti dhe gjuha maqedonase. "Jemi të hapur të bisedojmë me opozitën për konkluzionet që duhet t'i miratojë kuvendi. Dëshiroj t'ju bind se propozim-konkluzionet që do të miratojmë do të hedhin poshtë të gjitha insinuatat se rrezikohet gjuha maqedonase me propozimin francez. Janë gënjeshtra se rrezikohet gjuha, identiteti apo çështjet historike. Ato janë të mbrojtura dhe do të jemi dëshmitarë për këtë që themi”, deklaron Jovan Mitrevski, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes SocialDemokrate.

BDI: Nëse nuk pranohet propozimi MV shkon në izolim

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerësoi se një refuzim i propozimit francez do të kishte pasoja për Maqedoninë e Veriut, pasi pala bullgare sërish mund të kontestojë çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas. "Nëse nuk e zgjidhim problemin, nëse nuk e pranojmë propozimin, çfarë do të ndodhë? Sërish do të kontestohet gjuha, identiteti dhe gjithçka tjetër. Ne do të izolohemi dhe si një ishull i izoluar do të bëjmë përpjekje të mbijetojmë. Kjo është zgjidhja, sigurisht se jo. Pra, me këtë propozim nuk rrezikohet asgjë që është maqedonase dhe duhet të pranohet si i tillë”, thekson Arbër Ademi, kryetar i Grupit Parlamentar të BDI-së.

Frika nga përshkallzimi i situatës

Disa media të afërta me partitë opozitare kanë paralajmëruar për informacione për trazira të mundshme gjatë seancës së nesërme parlamentare, ku do të flasë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ministri i Punëve të Brendëshme i MV-së Oliver Spasovski ka thënë se po bëhen analiza, po mblidhen të gjitha informacionet lidhur me zhvillimet e mundshme që do të ndodhnin gjatë mbajtjes së seancës së nesërme. "Ministria e Brendëshme do të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e deputetëve dhe të legjislativit. Protestat dhe shprehja publike e qëndrimit është një e drejtë demokratike, por duhet bërë në mënyrë demokratike. Demokracia nuk nënkupton sjellje anarkike”, ka thënë Spasovski.

Pas miratimit eventual të propozimit në kuvend, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, pritet të udhëtojë për në Sofje, për të nënshkruar protokollin me Bullgarinë, që do t'i hapte rrugë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare midis MV-së dhe BE-së.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut