Debate të ashpra pro dhe kundër propozimit francez
4 Korrik 2022Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurimit, ku është diskutuar propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë ka vlerësuar se ky propozim është i pranueshëm pasi bëhet fjalë për një "kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Sipas Presidentit, qeveria duhet të miratojë edhe një konkluzion apo aneks në propozimin e modifikuar se do të refuzojë bisedimet në rast se gjatë këtij procesi pala bullgare insiston që të negociohet edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas. "Ne nuk duhet të presim që dikush të na bllokojë, por ne duhet menjëherë të tërhiqemi nga bisedimet. Këtë e them, sepse e dimë se me kë kemi punë”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.Presidenti Pendarovski beson se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohen çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas dhe se nuk mund të bëhet fjalë për bullgarizimin e maqedonasve siç pretendon opozita.
"Frika te një pjesë e maqedonasve se në BE do të hyjmë vetëm si bullgarë, nuk qëndron. Si mundet që një maqedonas të bëhet bullgar? Në historinë e diplomacisë botërore nuk ekziston diçka e tillë, se me marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe dikush brenda natës ju ndërron identitetin”, ka deklaruar Pendarovski. Sipas tij ,vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez, "nuk është as triumf historik apo dështim dhe mossukses".
Kovaçevski: Propozimi francez mundësi e vetme për zhbllokimin e procesit
Propozimi francez është diskutuar edhe në takimin midis kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të opozitës maqedonase Hristijan Mickoski. Sipas kryeministrit Kovaçevski propozimi i modifikuar francez "nuk rrezikon as gjuhën e as identitetin maqedonas dhe është mundësia e vetme për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Sipas Kovaçevskit bëhet fjalë për dokument të rrallë, i cili nuk mund të përsëritet për të ardhmen europiane të vendit. "Nevojitet qasje burrështetase, gjatë marrjes së vendimeve shtetërore nuk bisedohet për përqindje por për përgjegjësi për ardhmërinë e këtij shteti dhe të qytetarëve të këtij vendi. Unë edhe një herë do të përsëris, tani është koha kur duhet ta bëjmë përcaktimin tonë strategjik. Janë SHBA-të dhe BE, vendet ku sundojnë demokracia dhe liria e mendimit kritik, prosperiteti ekonomik, dhe e drejta sociale. Ne duhet të marrim vendim të gjithë së bashku, i cili do t'iu mundësojë qytetarëve ti kenë këto tre prioritete”, ka thënë kryeministri Kovaçevski.
Mickoski : Nuk pranojmë asimilim - propozimi francez i dëmshëm
Por kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski mbetet në qëndrimin se propozimi francez është i dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut. "Për VMRO-DPMNE ky propozim është i papranueshëm. Unë i ofrova Kovaçevskit që të dalë dhe ta refuzojë këtë që është paraqitur si propozim dhe unë të tërhiqem nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo nuk është një kornizë negociuese, me të cilën ne sigurojmë një të ardhme evropiane. Kjo është një kornizë negociuese me të cilën ose asimilohemi ose bullgarizohemi që të jemi pjesë e BE-së ose nuk do të jemi pjesë e BE-së”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.
Byrnës: Mbështesim ardhmërinë europiane, po shohim rrugë për të ecur përpara
Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Byrnës përmes një mesazhi në Twitter ka shprehur mbështetjen për bisedimet e brendshme që po zhvillohen në Maqedoninë e Veriut mbi propozimin e modifikuar francez. Byrnës thotë se me këtë po shihet një rrugë drejt ardhmërisë evropiane të vendit.
"SHBA-ja mirëpret bisedimet në Maqedoninë e Veriut për propozimin e rishikuar të BE-së për fillimin e bisedimeve aderuese, duke njohur rëndësinë e gjuhës dhe identitetit të Maqedonisë së Veriut. Ne një kohë të gjatë kemi mbështetur ardhmërinë evropiane të Maqedonisë dhe tani shohim rrugë për të ecur përpara”, shkruan ambasadorja Byrnës.
Vazhdojnë protestat kundër propozimit francez
Në Shkup për të dytën rradhë janë mbajtur protesta para godinës së qeverisë kundër propozimit francez për zhbllokimin e vetos bullgare. Me moton "Ultimatum-Jo falemiderit”, protestuesit kanë ngritur zërin kundër kapitulimit të Maqedonisë së Veriut ndaj kërkesave të Bullgarisë, sipas tyre. Pjesëmarrësit në protesta apelojnë që të mos pranohet propozimi francez.