151011 USA Iran Südamerika
16 Tetor 2011Deri në çfarë mase arrijnë të veprojnë pushtetarët e Iranit? Në planin për të vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në kryeqytetin e Amerikës dhe me këtë në të njëjtën kohë për të sulmuar SHBA-në në qendrën e saj politike? Presidenti Barack Obama e formuloi kështu përgjigjen e kësaj pyetjeje, që ia drejtuan:
„Edhe në qoftë se udhëheqja e lartë nuk kishte njohuri të hollësishme, ajo përsëri është e përgjegjshme për gjithë aparatin, i cili ishte implikuar në këtë komplot vrasës."
Brigadat Kuds, të rrezikshme për sulmet terroriste
Obama sipas gjasave dëshiron të shmangë një sulm ushtarak kundër Iranit. Por është e vetëkuptueshme që të gjitha opcionet janë mbi tavolinë, tha presidenti më tej. Sepse shërbimet sekrete amerikane janë të bindur për atë që luftëtarët elitarë të Iranit - të cilët janë në brigadat e specializuara Kuds për operacionet terroriste jashtë vendit - duan të sulmojnë në Uashington edhe me ndihmën e kartelit meksikan të armatosur rëndë të drogës, Zeta. Rogger Noriega, ish ekspert për Amerikën Latin në Ministrinë e Jashtme Amerikane, thotë:
„Irani ka një rrjet direkt para dyerve tona të shtëpisë. Eshtë e rëndësishme që populli amerikan e kupton që qeveria e Teheranit përmes duarve të saj të zgjatur- më saktë të hezbollahëve - është prezent në hemisferën tonë".
Pavarësisht sanksioneve të ashpra të Kombeve të Bashkuara kundër bizneseve prej miliaradash, celulat terroriste të Teheranit janë aktive në të gjitha qendrat e drogës në Amerikën Qëndrore dhe Jugore, thotë Sebastian Rotella nga rrjeti i njohur për kërkime i SHBA-së, ProPublica:
„Në Argjentinë, Paraguaj dhe Brazil, Irani dhe hezbollahët merren prej kohësh me bizneset e mafies dhe gangsterëve .
Por kohët e fundit regjimi në Teheran po përpiqet me ndihmën e kartelit meksikan të drogës, ti tërheqë paratë në arkën e tij. Eksperti amerikan për Iranin, Sebastian Rotella paraqet faktet e autoritetit amerikan kundër drogës, DEA.
Bashkëpunim mes iranianëve dhe karteleve meksikane të drogës
"Regjistrimet me zë në kaseta dhe fotografitë konfirmojnë se ndihmësit e Iranit bashkëpunojnë me kartelet meksikane të drogës dhe i furnizojnw këto kartele me armë ushtarake të vjedhura nga Iraku".
Brigadat iraniane Kuds dhe aleatët e tyre nga hezbollahët përpiqen të përfitojnë nga kartelet meksikane të drogës. Veçanërisht nga eksporti fitimprurës i kokainës për në Europë, thotë hulumtuesi i ProPublica. Por asnjëherë nuk do të lejoheshin kartelet meksikane të drogës që ata të sulmonin drejtpërsëdrejti në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.
„Për të fituar para përmes trafikut të drogës, është një gjë. Dhe është krejt tjetër të sulmosh tërthorazi SHBA-në. Kjo nuk ka të bëjë me tregti meksikane droge."
Këto kartele droge mund të fitonin shuma parash tepër të mëdha në rrugë të parrezikshme se sa përmes një sulmi vetvrasës terrorist në SHBA, thekson Rotella. Kushdo që në Teheran planifikon që të mobilizojë mafien e drogës së Meksikës për një atentat në Uashington, ai do të ishtë bërë vetëm qesharak.
Autor: Ralf Sina/ Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Angjelina Verbica