1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran Saudi-Arabien

14 Tetor 2011

Komploti iranian për vrasjen e ambasadorit saudit në Uashington po shkakton tensione politike. Kjo e rëndon raportin e Iranit ndaj SHBA-së dhe aleatit të tyre Arabisë Saudite.

https://p.dw.com/p/12s8e
Miq apo armiq? Ahmadinexhadi në takim me princin saudit Abdollah
Miq apo armiq? Ahmadinexhadi në takim me princin saudit AbdollahFotografi: etemaad.ir

Në Uashington janë zemëruar, pas zbulimit të atentatit të dyshuar të komplotistëve iranianë kundër një ambasadori të Arabisë Saudite. Kjo vorbull politike ka të bëjë në radhë të parë me gjendjen e tensionuar në Gjirin Persik. Sepse marrëdhënia në mes të Iranit shiit dhe Arabisë Saudite sunite është e tensionuar prej një kohe të gjatë dhe kjo fsheh një forcë shpërthyese politike. Kjo ka të bëjë me interesat politike, por edhe me konfliktet fetare. "Shtetet e Gjirit ndihen të kërcënuar nga Irani", thotë Mehrdad Khonsari i Qendrës për Studime arabe dhe iraniane në Londër. "Irani është përpjekur vazhdimisht të instrumentalizojë pakicën shiite, dhe të nxisë trazira në Shtetet e Gjirit."

Konkurrencë për hegjemoni rajonale

Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 Irani dhe Arabia Saudite janë në garë për dominim gjeopolitik në Gji.Themelimi i këshillit të bashkëpunimit të Gjirit, i cili përfshin përveç Arabisë Saudite edhe Kuvajtin, Katarin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin, interpretohet shpesh si një përgjigje ndaj revolucionit në Iran. Kështu monarkia saudite ka rritur ndikimin e saj në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 1981. Familja mbretërore sunite ka interesa shumë të ndryshme nga mullahët shiitë, edhe nëse të dy palët në fund të fundit janë të interesuara për pushtet dhe ndikim.

Riadi kërcënon Teheranin. SHBA akuzon Teheranin se ka dashur të vrasë ambasadorin saudit në Uashington, Adel al-Jubeir
Riadi kërcënon Teheranin. SHBA akuzon Teheranin se ka dashur të vrasë ambasadorin saudit në Uashington, Adel al-JubeirFotografi: dapd

Kjo u bë e qartë së fundi në reagimin e Iranit dhe të Arabisë Saudite në të ashtuquajturën pranverë arabe. Ndërsa monarkia saudite monarkiste bëri gjithçka për të ruajtur sistemet e krijuara politike në botën arabe, udhëheqja iraniane shprehu solidaritet me revolucionin në Tunizi dhe Egjipt. Ajo e përshkroi ndryshimin e beftë të regjimit madje edhe si "revolucion islamik" duke përmendur historinë e vet. Politikanët në Teheran mbështesin verbalisht edhe libianët dhe jemenitët, që dolën në rrugë kundër qeverisë së tyre, megjithë faktin se protestat e popullsisë së tyre në verën e vitit 2009 u shtypën brutalisht, në mënyrë që ata të mbeteshin në pushtet.

Armiku i armikut tim është miku im

Vëmendje të veçantë regjimi i mullahëve i kushtoi megjithatë “në rradhë të parë" shtetit fqinj Bahreinit. Popullsia e të cilit është kryesisht shiite, por është e qeverisur nga një familje mbretërore sunite. Kur në Bahrein qindramijëra vetë demonstruan kundër qeverisë, udhëheqja iraniane kritikoi ashpër perëndimin se nuk e ka mbështetur sa duhet lëvizjen demokratike. Teherani kërkoi me të madhe një qeveri të shumicës në Bahrein dhe kjo do të thotë një qeveri shiite.



Ky polarizim midis sunitëve dhe shiitëve në mars 2011 luajti gjithashtu rol të rëndësishëm për ndërhyrjen e Arabisë Saudite në Bahrein. Ajo synonte jo vetëm që të mbështeste monarkinë sunite në Bahrein. Sauditët gjithashtu donin të pengonin Teheranin për të fituar ndikim në anën e arabeve të Gjirit - dhe mund të ishin të sigurt se ato nuk do të pengoheshin për këtë nga Washingtoni. Fundja Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen si aleatët e besueshëm të furnizuesit me naftë, Arabisë Saudite.

Manssor Arbabsiar, pjesë e një force të quajtur Qud. Ata akuzohen për atentat ndaj ambasadorit saudit
Manssor Arbabsiar, pjesë e një force të quajtur Qud. Ata akuzohen për atentat ndaj ambasadorit sauditFotografi: AP

Aleanca iraniano-siriane

Teherani i kërkon aleatët e tij në vende të tjera. "Irani mbështet Sirinë, kryengritjen shiite në Bahrein dhe pakicën shiite në Arabinë Saudite", thotë gazetari dhe eksperti i Iranit, Ali Sadrzadeh. Udhëheqja siriane është konsideruar si aleati më me ndikim i Iranit në botën arabe. Kjo është edhe arsyeja, pse mediat zyrtare iraniane, ndryshe nga rasti i Bahreinit, nuk mbështesin edhe lirinë dhe demokracinë në Siri. Ndërsa Arabia Saudite shpesh është orientuar nga interesat e SHBA-së, për udhëheqjen islamike iraniane Amerika e Veriut shihet si armik, që kur u rrëzua shahu dhe gjeti strehim në SHBA. Volker Perthes, ekspert për Lindjen e Mesme i fondacionit shkenca dhe politika, e konsideron të pamundur që regjimi ka qenë i përfshirë në sulmin e dyshuar ndaj ambasadorit saudit në SHBA.

"Irani me këtë do të kishte vendosur me vetëdije për përshkallëzimin e raportit me SHBA, të cilin e ka evituar në 30 vitet e fundit", tha ai në gazetën Frankfurter Rundschau. Qeveria e SHBA-së nën Xhorxh Bushin nga ana e saj e kishte shpallur Iranin shtet mashtrues dhe ka vënë shumë herë sanksione kundër këtij vendi, sepse Teherani sipas bindjes së Uashingtonit zhvillon fshehurazi një program atomik ushtarak.

Sikur dyshimi i qeverisë amerikane, se pas atentatit qëndron udhëheqja iraniane vertetohet, kjo nuk do të kishte pasoja vetëm për vendet në Lindjen e Afërt, por edhe për politikën botërore.

Autor: Anne Allmeling/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi