131011 USA Iran Reax
14 Tetor 2011Aktualisht në SHBA duhet të dëgjosh me vëmendje të madhe, për të kuptuar atë që politikanët duan ta shprehin, por nuk e thonë. Që të martën, Ministri i Drejtësisë Eric Holder dhe ministrja e Jashtme Hillary Clinton deklaroi se SHBA do ta nxjerrin Iranin për këtë komplot vrastar para përgjegjësisë. Kjo nuk e pengoi John Boehnerin, republikanin e rangut më të lartë dhe zëdhënësin e Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington që të kërkonte të mërkurën me vendosmëri nga administrata e Obamas "Nxirreni para përgjegjësisë qeverinë iraniane! Mos e lini rehat!" Por më konkret Boehneri nuk donte të shprehej, kur e pyetën reporterët.
Me këtë, kryetari i Parlamentit i bëri bisht pyetjes, e cila i preokupon aktualisht të gjithë: a do të marrin hak ushtarak SHBA - dhe a duhet të marrin hak? Për këtë duhet konstatuar të paktën që SHBA janë sulmuar. Dhe kjo është e vështirë të dëshmohet. Sepse atentati i supozuar nuk u krye, të dyshuarit si komplotistë nuk patën blerë as armë. Nuk është rastësi pra që edhe zëvendëspresidenti Joe Biden në një intervistë me televizionin ABC, kur e pyetën i bëri bisht pyetjes: a kemi të bëjmë me një akt agresioni?
"Në fakt është një akt i tmerrshëm, për të cilin iranianët duhen nxjerrë para përgjegjësisë. Ajo që ka më shumë rëndësi për momentin është që e gjithë bota t'i kundërshtojë nga ana morale aksionet iraniane, në mënyrë që bota të jetë e bashkuar, pavarësisht nga ajo që do të ndërmarrim ne në fund- sanksione të tjera ose...Asnjë nga opsionet nuk përjashtohet."
Zëvendëspresidenti nuk dëshiron të flasë nga njëra anë për një akt luftarak, por nga ana tjetër, kur flet për opsione e ka fjalën edhe për ato ushtarake - një procedurë e zakonshme. Ministria e Mbrojtjes e SHBA e konsideron këtë çështje, një çështje si diplomatike, ashtu edhe juridike. Që do të thotë "Lëreni më mirë të qetë ushtrinë!" Megjithatë, është vetëm presidenti ai që vendos përfundimisht se kur është dhe kur nuk është e nevojshme të ndërhyjë ushtria. E këtë ai me siguri nuk do ta bëjë, po të mos jetë në gjendje të dëshmojë se kreu i shtetit iranian është përfshirë në komplot. Deri tani, qeveria e SHBA akuzon vetëm pjesë të qeverisë iraniane, se ndodhen pas komplotit- me këtë ajo e ka fjalën për shërbimin e fshehtë iranian, së bashku me njësinë speciale Al-Kuds. Më hapur foli përballë stacionit NBC ish-Sekretari i shtetit për Sigurinë e Atdheut, Tom Rich:
"Është e papërfytyrueshme që trupat elitë të Al-Kudit të punojnë me mendjen e tyre, qoftë në mënyrë të pavarur nga Ajatollahu, udhëheqësi shpirtëror, ose nga presidenti Ahmadinexhad. Ky shtet terrorist mbështet ndikimin destabilizues të Hamasve në Izrael, të hizbollave në Liban dhe kujdeset që të vriten ushtarët tanë në Afganistan dhe në Irak."
Autor: Silke Hasselmann/ Auron Dodi
Redaktoi: E. Xhani