Scholz: Procesi i Berlinit instrumenti më i mirë për BP
17 Tetor 2023Ballkani Perëndimor duhet të kryejë fillimisht reformat dhe të krijojë një treg të vetëm rajonal si parakusht të mbështetjes së Bashkimit Europian për afrimin e rajonit me BE përmes Planit të Ri të rritjes social-ekonomike. Fjala është për reformimin e ekonomive dhe institucioneve politike të vendeve të BP, përmirësimin e strukturave rregullatore për biznesin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organzuar.
Plani i ri i rritjes ekonomike kërkon reforma të thella
Me këtë mesazh përfundoi mbrëmë, (16.10)Samiti i Procesit të Berlinit 2023, i zhvilluar në Tiranë, për herë të parë në një vend jo anëtar të BE, që nga fillimi i këtij procesi në gusht 2014, si një nismë diplomatike e Gjermanisë për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të rajonit dhe përshpejtuar ritmet e procesit të hyrjes së tij në BE. "BE dëshiron vërtet të sjellë BP më pranë tregut të vetëm europian duke u mbështetur në potencialin e rajonit", deklaroi Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama dhe kancelarin gjerman Scholz në përfundim të punimeve të samitit.
Ajo theksoi se "plani i ri i rritjes që përfshin hapjen e tregut të përbashkët të BE për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve, transportit, energjisë, tregut të vetëm digjital, sa për të pëmendur disa, kërkon kryerjen e reformave të thella, që nëse kryhen do të shoqërohen me financime për investime nga BE. Ky plan ka potencialin të dyfishojë ekonomitë e rajonit,” theksoi presidentja e KE, Ursula von der Leyen, në konferencën e përbashkët për shtyp. Por dhënia e fondeve është e kushtëzuar me kryerjen e reformave", theksoi von der Leyen.
Plani i Investimeve për rajonin prej 30 miliardë eurosh, që nisi zbatimin 3 vjet më parë, ka mbështetur deri tani investime prej rreth 16 miliardë euro në nivel rajonal. Në Shqipëri ka mbështetur ristrukturimin e hidrocentralit të Fierzës në Shqipëri, hekurudhën dhe lidhjen hekurudhore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, përmes korridorit të 10-të. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen theksoi në konferencën për shtyp se "nëse vendet e BP krijojnë tregun e tyre të përbashkët rajonal ekonomitë e tyre do të rriten në masën 10 përqind. Shqipëria e përshëndeti Planin e Ri të rritjes së Komisionit Europian. "Kjo është ide e një marrëdhëniejeje dinjitoze që funksionon më shumë si partnerë , në një shtëpi të përbashkët me një mirëkuptim më të mirë” e cilësoi kryeministri, Edi Rama këtë plan.
Scholz: Procesi i Berlinit, instrumenti më i mirë
Kancelari gjerman Olaf Scholz e vlerësoi Procesin e Berlinit ”instrumentin më të mirë jo vetëm për të ҫliruar potencialin e plotë të bashkëpunimit rajonal, por edhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit të të gjithë vendeve të BP." "Ҫdo progress që Ballkani Perëndimor arrin në krijimin në krijimin e tregut të përbashkët rajonal do ta sjellë rajonin në mënyrë sinjifikative më afër standarteve të BE,” tha kancelari Scholz në konferencën e përbashkët për shtyp.
Një vit më parë në Berlin, tre vende të BP, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjet e mobilitetit që u mundësojnë qytetarëve të tyre të udhëtojnë dhe të punojnë në tre vendet respektive vetëm me kartat e tyre të identitetit. Kancelari gjerman Scholz u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës të kthehen në tryezën e negociatave duke theksuar "nevojën urgjente për të bashkëpunuar dhe tejkaluar antagonizmin.”
Scholz: Hetime intensive për sulmin në Kosovë
Po ashtu kancelari gjerman, Scholz theksoi se Gjermania dhe BE e kanë dënuar si të papranueshëm sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe veprimtaritë e tjera në goditje të institucioneve dhe njerëzve në sulmin terrorist serb në fshatin Banjskë në veri të Kosoves muajin e kaluar, më 24 shtator. "Presim hetime intensive në Kosovë për të mësuar sesi mundi të ndodhte ky sulm atje. Zhvillimet paqësore në rajon duhet të ndikohen nga e ardhmja dhe nuk duhet të mbeten nën ndikimin e të shkuarës. Kjo është arsyeja pse po ndihmojmë në raportet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe reformat në Bosnje dhe Hercegovinë. Duhet të lehtësojmë jetën e njerëzve. Dëshira jonë si BE, Gjermania, Italia, Franca, SHBA-ja është që të zgjidhet konflikti mes Serbisë dhe Kosovës dhe të dy shtetet të punojnë për një të ardhme të mirë dhe të dy të bëhen anëtarë në BE ”, tha Kancelari Scholz, në konferencën e përbashkët për shtyp, në përfundim të samitit të Procesit të Berlinit 2023, që u zhvillua në Tiranë.