Bizneset gjermane: Presim hapa konkrete nga Samiti i Tiranës
16 Tetor 2023Kryetarja e Entit Lindor të Shoqatës së Ekonomisë Gjermane (Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft), Cathrina Claas-Mühlhäuser, theksoi të hënën nevojën për bashkëpunim më të thellë në rajon, veçanërisht në kontekstin e tensioneve aktuale. Ajo shtoi se "transformimi ekonomik dhe shoqëror i rajonit dhe integrimi i tij në tregun e brendshëm evropian mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë midis të gjitha vendeve."
Claas-Mühlhäuser theksoi se tensionet aktuale po e vendosin në rrezik pozicionimin e suksesshëm të rajonit si një vend investimesh dhe integrimin e tij në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar.
Ajo shprehu pritjen e saj për hapa konkrete nga Samiti i Procesit të Berlinit, i cili u zhvillua të hënën në Tiranë. "Përparimi i shpejtë në zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara të lëvizshmërisë, reduktimi i mëtejshëm i barrierave tregtare jotarifore dhe njohja dhe harmonizimi i standardeve janë të nevojshme," shtoi ajo.
Enti Lindor i Ekonomisë Gjermane është një shoqatë e themeluar në vitin 1952, e cila promovon ekonominë gjermane në 29 vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore. Tregtia me këto vende përbën rreth një të pestën e të gjithë tregtisë së jashtme gjermane dhe është më e rëndësishme se tregtia me SHBA-në dhe Kinën së bashku. Shoqata përfshin rreth 350 kompani dhe shoqata anëtare dhe është mbështetur nga gjashtë shoqatat kryesore të biznesit gjerman.