1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFederata Ruse

Rusia në vitin 2024: Konsolidim me gjithë luftën

5 Janar 2024

Presidenti rus, Vladimir Putin është i sigurtë në postin e tij dhe ndodhet para mandatit të pestë. Ekonomia ruse megjithë sanksionet vazhdon të jetë e stabilizuar, lufta me Ukrainën shumicës së rusëve u duket e largët.

https://p.dw.com/p/4aqn4
Presidenti rus, Vladimir Putin
Fotografi: ALEXANDER ZEMLIANICHENKO/AFP/Getty Images

"Detyrat tona rriten si ortek, por ne jemi Rusi, ne jemi vend dimri, ne e duam borën, shikoni sa shumë që ka rënë." Në mes të dhjetorit Presidenti rus, Vladimir Putin e hodhi plot optimizëm vështrimin në vitin 2024 gjatë kongresit të partisë qeverisëse, "Rusia e Bashkuar" . Zhvillimi më i rëndësishëm politik i vitit 2024 lidhet me zgjedhjet presidenciale në mes të marsit, edhe pse përfundimi i tyre dihet. Putini kandidon për herë të pestë, dhe këtë herë ai nuk ka pse i trembet konkurrencës.

Dyqani i vetëm në fshat

Se sa i preferuar ëshrë Putini në popull pas dy vitesh luftë dhe humbjeve të mëdha ruse në Ukrainë, nuk luan ndonjë rol, thotë studiuesi i shkencave politike nga Moska, Aleksander Kynev kundrejt DW. "Nëse fshati juaj ka vetëm një dyqan, nuk do t'iu shkojë në mendje që të matni vlerat e tij të popullaritetit", thotë Kynev. "Njerëzit janë me shumë gjëra të pakënaqur, por skena politike është e pastruar. Ky vend është shumë i madh dhe askush nuk i ka burimet për të synuar postin presidencial." Askush veç Putinit.

Presidenti rus, Putin në konferencën vjetore me median në Moskë, 14 dhjetor 2023
Presidenti rus, Putin në konferencën vjetore me median në Moskë, 14 dhjetor 2023Fotografi: Alexander Zemlianichenko/AP Photo/picture alliance

Sfida më e madhe për kreun e Kremlinit do të jetë që të tërheqë sa më shumë njerëz të shkojnë në votime, për t'i dhënë rizgjedhjes së tij të paktën ngjyrën e legjitimitetit. Për Kremlinin nuk ka rëndësi të bëhet më popullor Putini, por që njerëzit të shkojnë në qendrat e votimit, është i mendimit sociologu, Denis Volkov nga qendra moskovite, Levada, një institut i pavarur rus për studimin e opinionit. "Detyra e Putinit është vetëm të mos zemërojë shumë vetë", shton Alekander Kynev. Shumica e rusëve gjithmonë ka qenë apolitike dhe ka frikë nga ndryshimet, thekson eksperti. Përveç kësaj shoqëria është e lodhur nga i ashtuquajturi "operacion special ushtarak", siç quhet ende zyrtarisht në Rusi lufta në Ukrainë. "Njerëzit duan që gjithçka të marrë fund sa më shpejt."

Shumë rusë janë optimistë

Në Rusi sërish ka filluar të përhapet një atmosferë optimiste, vlerëson Denis Volkov. Numri i atyre që mendojnë, se gjendja e tyre do të keqësohet, krahasuar me vitin e kaluar është reduktuar gati me gjysmën. Ky trend do të vazhdojë, beson sociologu, për disa shkaqe. Nga njëra qeveria ka bërë shumë që të zbusë efektet e sanksioneve perëndimore dhe ta stabilizojë sistemin bankar rus. Ekonomia ruse nuk ka kapitulluar dhe nuk do të jetë kështu as në vitin 2024. Për këtë është e bindur ekonomistja ruse, Natalja Subarevitç. "Ekonomia ruse është e fortë. Sanksionet e BE nuk do të kenë ndonjë efekt tjetër, veç atij që kanë pasur deri tani, pra që nuk kanë aspak efekt, sepse për mallrat e sanksionuara, ka shumë rrugë të tjera furnizimi jashtë BE." Rusia eksporton tani më shumë drejt Kinës, Indisë apo Lindjes së Mesme.

Subarevitç pret që edhe vitin e ardhshëm të "ketë pak a shumë të ardhura shumë të mira nga" eksportet e naftës. Rusia do të jetë në gjendje edhe në vitin 2024 të rrisë shpenzimet e saj "për mbështetjen e operacionit special ushtarak" në Ukrainë, është e mendimit profesorja e ekonomisë në Universitetin Lomonosov të Moskës.

Shumica e rusëve gjithmonë ka qenë apolitike dhe ka frikë nga ndryshimet, thekson eksperti Denis Volkov për DW - Festime në stadiumin Luzhniki në Moskë me rastin e përvjetorit të aneksimit të Krimesë, 18 mars 2022, flamuj rusë, stadium i  bushur plot
Shumica e rusëve gjithmonë ka qenë apolitike dhe ka frikë nga ndryshimet, thekson eksperti Denis Volkov për DW - Festime në stadiumin Luzhniki në Moskë me rastin e përvjetorit të aneksimit të Krimesë, 18 mars 2022 Fotografi: Yevgeny Biyatov/AFP/Getty Images

Luftë? Cila  luftë?

Tek atmosfera më pozitive në vend ka luajtur rol edhe kundërofensiva në masë të madhe e pasuksesshme e Ukrainës, sipas sociologut Volkov. Kjo u ka hequr rusëve frikën nga dështimi ushtarak dhe pasojat e tij. Edhe furnizimi i Ukrainës nga perëndimi me armë vetëm në muajt e parë i trembi rusët, sipas ekspertit, pasi ndërkohë numri i atyre që besojnë, se Rusia është e suksesshme në luftë është rritur. "Lufta u bë rutinë, një sfond me të cilin njerëzit janë mësuar, por që shumica nuk janë të përfshirë, sipas Volkov. "Po, bëhet luftë diku, po ajo është shumë larg."

Vetëm në muajt shkurt dhe mars 2022 pati teorikisht një shans për ndërrim pushteti, sipas politologut, Kynev, "nëse ata që organizonin protesta do të kishin dalë masivisht në rrugë, në vend që të largoheshin masivisht nga Rusia".

Makineri gjigante shtypëse

Historianja që jeton jashtë Rusisë, Irina Sherbakova, anëtare themeluese e organizatës për të drejtat e njeritu, "Memorial" e ndaluar në vitin 2021 në Rusi dhe e nderuar me Çmimin Nobel të Paqes një vit më vonë e kundërshton këtë analizë. Në bisedë me Deutsche Wellen ajo i referohet atmosferës së frikës që sundon në Rusi. "Një makineri gjigante e frikës është në veprim. Krahu i zgjatur i diktaturës ndërhyn gjithnjë e më thellë në jetën e njerëzve dhe përpiqet t'i përjashtojë nga jeta kulturore të pabindurit dhe ata që nuk janë dakord dhe t'i denigrojë." Me këtë Sherbakova i referohet kategorizimit të lëvizjes LGBTQ në Rusi si "ekstremiste". Sherbakova nuk sheh "perspektiva pozitive" as për vitin 2024.

Ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu viziton ushtarët rusë në front, në sfond ndërtesa të rrënuara
Ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu viziton ushtarët rusë në frontFotografi: Vadim Savitsky/ITAR-TASS/IMAGO

Ndërsa në lidhje me qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë, shumë vetë Rusi i ikin realitetit, thotë ajo. "Ata përpiqen të distancohen prej saj sa të jetë e mundur, duke mos përmendur me zë të lartë gjëra të caktuara." Sipas Sherbakovës njerëzit në Rusi e kanë humbur besimin tek institucionet dhe demokracia. "Ata besojnë në vend të kësaj tek stabiliteti i sistemit të Putinit, dhe tremben, nëse ata e bëjnë të lëkundet më shumë varka, gjërat do të keqësohen." Megjithatë historianja përpiqet të shohë me optimizëm të ardhmen. Nuk duhet të dorëzohemi dhe të mendojmë, se "lufta do të zgjasë shumë gjatë dhe Putini jeton përjetësisht." Siç ndodhi me rënien e Murit të Berlinit, regjime të tilla mund të ndodhë që të shpërbëhen brenda pak orësh, kur të ketë ardhur koha dhe të jenë pjekur kushtet.