G7 dhe BE duan të sigurojnë financimin për Ukrainën
3 Janar 2024Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, u bëri thirrje në një video-mesazh aleatëve perëndimorë të mbështesin Ukrainën në luftën kundër agresorit rus edhe gjatë vitit 2024. Lufta duhet të financohet, prandaj Ukraina merr mbështetje të zgjeruar buxhetore nga shtetet europiane dhe SHBA si edhe ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake, furnizime me sisteme armësh dhe municione. Ministri i Financave të Ukrainës, Serhij Martshenko tha për revistës ekonomike "Forbes", se këtë vit Ukraina ka marrë 38 miliardë euro ndihma buxhetore, me qëllim që shteti të vazhdojë të ruajë infrastrukturën dhe të paguajë më tej rrogat. Për vitin e ardhshëm ministri përmendi shifrën 33 miliardë euro. Por më shumë i shqetësuar ai është për vitin 2025, vit për të cilin ai nuk ka premtime financiare afatgjata, sipas Martshenkos.
G7 verifikon fitimet nga pasuritë ruse jashtë vendit
Presidenca italiane e G7-s, grupi i shtatë vendeve të industrializuara perëndimore dhe BE po punojnë me intensitet për të siguruar ndihmat financiare afatgjata për buxhetin ukrainas. Gjatë vitit 2024 kryesuese e presidencës së G7-s është kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Sipas të dhënave të saj ajo do ta ketë mbështetjen për Ukrainën një nga pikërëndesat e presidencës italiane.
Politikania populiste e djathtë e paraqet veten të moderuar në arenën politike ndërkombëtare dhe mbështet pa kufizime Ukrainën. Një qëndrim që habit, sepse politikanë të tjerë ultra të djathtë në Europë qëndruan në anën e Rusisë, kur ky vend sulmoi në shkurt 2022 Ukrainën. Kryeministri populist hungarez, Viktor Orban e profilizon veten si trazues i politikës në Bruksel. Në samitin e fundit në mes të dhjetorit ai pengoi me veto miratimin e një pakete afatgjatë financiare për Ukrainën prej 50 miliardë eurosh deri në vitin 2026.
Të ngrira por jo të konfiskuara
Italia synon në grupin e G7-s (SHBA, Kanada, Japoni, Francë, Gjermsni, Britani e Madhe, Itali) të arrijë sigurimin e ndihmave financiare dhe ushtarake. Nëse dhe si do të mund të përdoren për këtë fitimet nga pasuritë e ngrira ruse ne ëuroe, kjo është ende e diskutueshme mes vendeve anëtare të G7-s.
Gazeta Financial Times raportoi këtë javë, se Uashingtoni këmbëngul, se pas njoftimeve të herëpashershme, G7 më në fund duhet të paraqesë një plan, se si do të mund të përthithen fitimet nga 300 miliardë eurot pasuri e Bankës Shtetërore ruse jashtë. Vetëm në Belgjikë në një bankë "Clearing" gjenden 191 miliardë euro të ngrira, që megjithatë "prodhojnë" përfitime. Fondet nuk u konfiskuan pas sanksioneve kundër Rusisë, por u ngrinë. Pra edhe më tej paraja i përket shtetit rus. Belgjika është e gatshme të dorëzojë më tej të paktën tatimet mbi të ardhurat nga fitimet e kapitalit rus tek Ministria e Financave në Kiev.
Por në samitin e fundit, disa vende, mes tyre, Gjermania, Franca, Italia shprehën rezerva që lidhen me çështje ligjore dhe të politikës financiare. Madje edhe stabiliteti i valutës së përbashkët euro do të rrezikohej, nëse tregjet financiare do ta kategorizonin BE si port të pasigurtë për financat, u shprehën disa delegacione. Italia ka frikë nga sanksionet ruse kundër industrisë së saj. Plani për të marrë fitimet ruse është lënë mënjanë nga BE, por mund të rikthehet në tryezë sërish me presionin e SHBA në samitin e posaçëm në shkurt 2024.
Para nga BE por pa Hungarinë
BE me përjashtim të Hungarisë po punon për një model financimi për rreth 50 miliardë euro ndihma buxhetore. Këto ndihma Komisioni Europian i ka premtuar për tre vitet e ardhshme. Nëse Hungaria miqësore ndaj BE nuk do të ndërrojë qëndrim në samitin e posaçëm të BE më 1 shkurt, kjo nuk do të thotë, se paratë nuk do të rrjedhin, bëri të qartë kreu i Këshillit të BE në Bruksel, Charles Michel në një konferencë shtypi. "Paratë do të jepen, sido që të jetë, vetëm me më shumë kthesa." Diplomatët e BE flasin për një plan të dytë në rast bllokade.
Kredi për Kievin nga një fond i posaçëm?
Komisioni Europian kishte propozuar "ndihma financiare makroekonomike" për Ukrainën të rregulluara brenda buxhetit të BE. Ky model u përdor në vitin 2023 për të livruar drejt Kievit 18 miliardë euro. Kjo procedurë kërkohet të hyjë në fuqi si e rregullt për disa vite, por Hungaria bllokon. Nëse kjo nuk ndryshon, shtetet e BE vullnetare, do të krijojnë jashtë buxhetit të BE një fond të ri për Ukrainën. KE do të merrte kredi për këtë fond që do të garantoheshin më pas nga shtetet e BE, (me përjashtim të Hungarisë). Këtu bëhet fjalë për kredi falas jo për dhuratë. Këto kredi lufte, teorikisht Ukraina do t'i paguante për 35 vjet. Normat e interesit për këto kredi, sipas stadit të tanishëm të diskutimeve do të merreshin përsipër nga vendet e BE.
Në vitin 2023 janë dhënë 5,6 miliardë euro ndihma ushtarake për Ukrainën, kurse që nga fillimi i luftës janë dhënë 27 miliardë si donacione ushtarake nga fondet e BE. Gjermania zë vendin e dytë pas SHBA për ndihmat e dhëna Ukrainës me 17 miliardë euro, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore.
Donatori kryesor i Ukrainës është SHBA që deri tani ka dhënë 44 miliardë euro vetëm ndihma ushtarake. Presidenti Biden ka aplikuar në kongres për vitin e ardhshëm për 55 miliardë ndihma ushtarake dhe buxhetore. Por republikanët bllokojnë miratimin e kongresit. Nëse edhe në vitin zgjedhor 2024, republikanët nuk ndërrojnë qëndrim, Ukraina do të jetë në vështirësi.
Mbetet me pikëpyetje, nëse shtete të tjera do ta mbushin këtë boshllëk, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për para, por edhe për mjete ushtarake dhe municion, që i ka vetëm SHBA. Vendet e BE kanë vështirësi të mbajnë edhe premtimin, se deri në shkurt do të furnizojë Ukrainën me një 1 milionë copa municioni. Ndihma për Ukrainën në tërësi po bie, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Vetëm SHBA, Gjermania, Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Norvegjia kanë bërë vërtet premtime për ndihma të reja për Ukrainën në muajt e fundit.