Procesi i Berlinit - Forcohet bashkëpunimi kundër krimit
18 Shtator 2024Fokusi i ministerialit të parë të Procesit të Berlinit për këtë vit ishte në çështjet e sigurisë, migracionit dhe krimit të organizuar. Ministrat nga Ballkani Perëndimor dhe përfaqësues të lartë nga BE-ja, Komisioni Evropian dhe Britania e Madhe, ranë dakord në një deklaratë qëllimi që të intensifikojnë bashkëpunimin në këto fusha: "Ramë dakord të përmirësojmë shkëmbimin e të dhënave me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të migracionit dhe krimit të organizuar", sqaroi në fund të takimit ministrja gjermane e punëve të Brendshme, Nancy Faeser. Konkretisht bëhet fjalë për regjistrimin biometrik të refugjatëve dhe emigrantëve të paligjshëm.
Lufta kundër krimit të organizuar
Faeser theksoi nevojën për përfshirjen e autoriteteve financiare dhe sociale në luftën kundër rrjeteve kriminale, me qëllim ndjekjen e pasurive të tyre dhe ndërprerjen e rrjedhave të paligjshme të parave: "Ne do të zbatojmë metodën 'Follow-the-Money' edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që autoritetet e zbatimit të ligjit të mund të identifikojnë, bllokojnë dhe konfiskojnë pasuritë kriminale." Gjithashtu, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht e fokusuar në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, mbetet një prioritet i përbashkët: "Ky aktivitet kriminal duhet të ndalet. Ne duhet të mbrojmë veçanërisht viktimat, gratë dhe fëmijët," shtoi Faeser.
Migracioni i parregullt nga vendet e Ballkanit në ulje
Migracioni i parregullt përmes Rrugës së Ballkanit ka rënë me 77% këtë vit, falë bashkëpunimit me Frontex. Sipas të dhënave, deri më tani janë regjistruar rreth 14,700 emigrantë të paligjshëm në BE përmes kësaj rruge. Ministrat shprehën shqetësim për mbylljen e kufijve dhe kërkuan zgjidhje të përbashkëta në kuadër të BE-së. Ministri grek, Nikos Panagiotopoulos, kërkoi një rregullim të përbashkët në kuadër evropian. Ai tha para gazetarëve, se në veprime të njëanshme, si vendosja e kontrolleve kufitare nga ana e Gjermanisë, qofshin këto edhe të përkohshme, nuk e zgjidhin problemin.
Procesi i Berlinit
Para 10 vitesh, Gjermania filloi të ashtuquajturin Procesi i Berlinit, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe një sërë vendesh antare të BE-së si Bullgaria, Franca, Greqia, Italia, Kroacia, Austria, Polonia, Sllovenia, si edhe Britania e Madhe. Qëllimi është të ndihmojë këto vende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar organizatore ishte Shqipëria. Gjermania është organizatorja e këtij viti. Në javët në vazhdim në Berlin zhvillohen një sërë ministerialesh për tema si romët, gender, ekonomi, politika e jashtme, të cilat do të përgatisin samitin e Procesit të Berlinit, që zhvillohet në zyrën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, më 14 tetor.