1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forumi i Prespës: Mesazhe për pajtim, dialog, guxim e vizion

16 Qershor 2023

Pjesëmarrësit në Forumin e Prespës diskutuan për gjendjen mes Serbisë dhe Kosovës dhe theksuan se nevojiten pajtim, dialog, guxim dhe vizion.

https://p.dw.com/p/4ShUt
Forumi i Prespës 2023 po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut
Forumi i Prespës 2023 po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së VeriutFotografi: Dragoslav Dedovic/DW

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli në fjalën e tij gjatë Forumit të Prespës, që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, për situatën në veri të vendit. Kurti tha se atij nuk i pëlqejnë as "evropianët anti-amerikanë”, por as "amerikanët anti-evropianë”.

"Ne dëshirojmë të kontribojmë, jo vetëm të përfitojmë, dhe dëshirojmë të mbrojmë Bashkimin Evropian. Dhe unë besoj në bashkëpunimin transatlanik. Prandaj për ta thënë në një mënyrë të ndryshme, nuk më pëlqejnë evropianët anti-amerikanë dhe anti-amerikanët evropianë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin KurtiFotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Kryeministri i Kosovës shpreson se prokurori në Serbi ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar të Kosovës, dhe ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për mbajtje të paligjshme të armëve.

"Dua ta falënderoj Departamentin Amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara", thaKurti. Sipas tij bashkësia ndërkombëtare dhe NATO duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë.

Begaj: Kosova e Serbia të ndërmarrin përgjegjësitë historike

Nga Forumi i Prespës, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, përsëriti qëndrimin se Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm dhe se integriteti territorial dhe sovraniteti i saj nuk mund të vihen në dyshim. Ai u bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe të Serbisë që të ulen në tryezën e bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit që çon më pas drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj
Presidenti i Shqipërisë Bajram BegajFotografi: Press Office/Albania Parliament

"Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi. Nuk dua të hyj në detaje pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke”, tha Begaj.

Lajçak: Nuk ka besim të ndërsjelltë midis Prishtinës dhe Beogradit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha në Forumin e Prespës se Prishtina dhe Beogradi nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav LajçakFotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture-alliance

"Të dyja palët na thonë: le të bëjë pala tjetër atë që ju dëshironi ta bëjë, dhe ne premtojmë që do ta bëjmë pjesën tonë. Por, nuk funksionon ashtu. Filozofia jonë është që ‘ju duhet të bëni diçka, ashtu që të mund të merrni diçka', hap pas hapi, duke ndërtuar besimin”, tha Lajçak. Për të çuar përpara procesin, duhet të ketë pajtim, dialog, guxim dhe vizion.

"Gjëja më e mirë që mund të ndodhë me marrëveshjet e paqes është që ato të zbatohen sa më parë”.

Interesi i përbashkët të gjejmë një zgjidhje

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq në takimin me homologun kosovar ka oftuar që Mali i Zi, "si vend mik i Serbisë dhe Kosovës", të jetë mikëpritës i raundit të radhës të dialogut Prishtinë-Beograd, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.

"Promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi. Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur", tha Abazoviq.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në Forumin e Prespës për Dialog ka komentuar situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.Ai se Franca dhe Gjermania mund të japin kontribut në zgjidhjen e problemit pasi Evropa nuk mund të jetë e qetë pa zgjidhjen e këtij problemi.

"Unë jo njëherë e kam thënë, me hasmëri shekullore nuk jetohet. Prandaj ky problem duhet zgjidhur. Jam i vetëdijshëm që për të zgjedhur probleme kaq të vështira duhet vullnet i dyanshëm, por mendoj që edhe inkurajimi dhe përkrahja është vendimtare. Europa nuk mund të jetë e qetë pa zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi”, tha Ahmeti.

Stoltenberg: NATO do të zgjedhë gjithmonë rrugën drejt demokracisë dhe paqes

Bota ndodhet në një udhëkryq, një drejtim të çon në frikë, shtypje dhe luftë, ndërsa drejtimi tjetër në shpresë, demokraci dhe paqe. Kjo e fundit është rruga që NATO do të zgjedhë gjithmonë, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në video-fjalimin e tij në kuadër të Forumit të Prespës që mbahet në Strugë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens StoltenbergFotografi: Jonathan Ernst/REUTERS

"Marrëveshjet si e Prespës janë pjesë e rëndësishme e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, marrëveshje të tilla sigurojnë liri, mundësojnë përparim dhe hapin një të ardhme premtuese”, thotë Stoltenberg.

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski, theksoi se marrëveshja e Prespës dhe të gjithë hapat e mëvonshëm të ndërmarrë nga qeveria aktuale kanë ripërtërirë besimin në diplomaci, duke promovuar dialogun e hapur si përfitim.

"Bashkimi Evropian ka pasur gjithmonë nevojë për Ballkanin Perëndimor, por sot edhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në, veçanërisht nëse merren parasysh zhvillimet e reja gjeopolitike dhe të sigurisë. Dhe ky është një moment që vendi ynë nuk guxon të humbasë dhe kushdo që është përgjegjës nuk duhet të lejojë që ky shans të humbasë”, u shpreh Kovaçevski.

Bundestagu gjerman ka miratuar rezolutën në mbështetje të Maqedonisë së Veriut ka thënë i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perendimor Manuel Saracin në seancën e hapjes zyrtare të forumit të tretë të dialogut në Prespë.

"Nuk mund të themi se çfarë duhet të bëjnë bullgarët, por parlamenti gjerman mund t'ju premtojë miqësi dhe ne ju premtojmë se Parlamenti gjerman e njeh identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase”, ka thënë Saracin.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut