Berlini do një shtet federal europian - ide realiste?
24 Janar 2022Partitë e koalicionit tre partiak, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP i kanë vënë vetes detyrë që Bashkimi Europian të zhvillohet më tej në një "shtet federal europian". Për kohët e sotme një qëllim mjaft ambicioz. Asnjë qeveri europiane nuk guxon të shkojë kaq larg sa ta vendosë në marrëveshjen e koalicionit qeverisës atë që ka shkruar ky koalicion në faqen 131. Në një kohë që vizionet për të ardhmen e BE gjithmonë kanë pasur traditë.
Që në marrëveshjet e Romës në vitin 1957 flitej për "vullnetin e fortë, që të krijohet baza e një bashkëpunimi më të ngushtë mes popujve europianë. Edhe marrëveshja e Lisbonës bën fjalë në vitin 2009 për një "union më të ngushtë". Jacques Delors, president i Komisionit Europian nga viti 1985-1995 besonte se Europa është si një biçikletë duhet të vazhdojë të ecë pa ndalur në drejtim të integrimit. "Nëse e ndal, rrëzohet." Deklarata të tilla sot zor se dëgjohen. Dalja e Britanisë së MAdhe nga BE ishte refuzimi më i fortë që i është bërë ndonjëherë idesë së një BE-je më të integruar.
Lamtumira nga vizionet e mëdha
Britanikët gjithmonë ishin skeptikë. Por në mars 2018, ishte kryeministri holandez, Mark Rutte që tha në Berlin. "Ka një narrativ për pashmangshmërinë e një bashkëpunimi më të ngushtë drejt një shteti federal europian. Mua nuk më pëlqen kjo gjuhë e tmerrshme e një unioni gjithnjë e më të lidhur." Rutte tha se ky është një vizion romantik me të cilin ai nuk do të ketë të bëjë.
Madje edhe presidenti i Këshillit të B, Donald Tusk tha në vitin 2016 (kur nuk ishte më president i këshillit) lidhur me këtë ide. "Nuk është përgjigjja e duhur për problemet tona, ai vizioni adhurues dhe në të vërtetë naiv euroentuziast për të nxitur një integrim total, edhe nëse mbështetësit kanë qëllime të mira. Së pari është thjesht e pamundur, së dyti promovimi i kësaj nxit paradoksalisht atmosferë euroskeptike, jo vetëm në Britaninë e Madhe." Madje ata që konsideroheshin më shumë miq të idesë europiane, holandezët dhe francezët në vitin 2005 në referendume popullore e refuzuan idenë e një kushtetute europiane. Ata lanë të kuptohej, se më shumë integrim nuk i përgjigjet vullnetit të shumicës. Mjaft qeveri populiste, si në Hungari apo Poloni e kanë refuzuar po ashtu idenë.
Shtetin federal "nuk e do askush"
Pra është mjaft e guximshme në një klimë të tillë, që koalicioni i Berlinit synon shtetin federal europian. Studiuesi, Johannes Varwick nga Universiteti Halle thotë për DW. "Edhe nëse partitë qeverisëse vërtet besojnë tek kjo, ideja do të dështojë në realitetet europiane. Në të vërtetë askush në Europë nuk e do këtë."
Ishte vota e Brexitit që e nxiti juristin Daniel Röder të krijojë lëvizjen e Pulse of Europe, që synon t'i japë hov idesë europiane. Madje edhe ai u "habit" mjaft nga ideja e fiksuar në marrëveshjen e koaliconit, pavarësisht, se askush nuk duhet ta bindë atë për rëndësinë e integrimit të mëtejshëm europian. "Nëse e kupton, se temat e mëdha, si ndryshimi i klimës, integrimi, pandemia, konflikti me Rusinë nuk zgjidhen nga shtete më vete, dhe nuk do t'a lësh gjithçka Kinës apo SHBA, ka nevojë për një integrim të mëtejshëm europian. Por një shtet federal europian nuk është për të "patjetër qëllim."
Europianizëm apo kombëtarizëm?
Përgjigjja për këtë varet nga tematika, nëse dëshirohet më shumë apo më pak thellim integrimi. Në disa sektorë, BE ka shkuar në drejtim të një shteti federal, si psh në tregun e përbashkët apo në tregtinë e jashtme. Në disa sektorë të tjerë shtetet e BE nuk duan të dorëzojnë sovranitetin, por janë të gatshme për miratim reciprok dhe bashkëpunim. Në luftimin e Coronës u bë e qartë, se politika shëndetësore është çështje e shteteve anëtare, disa e kritikojnë këtë, të tjerë e përshëndesin. Nga ana tjetër BE krijoi një fond gjigant të përbashkët, me të cilin mund të zbuten pasojat ekonomike të Coronës. Pyetja që shtrohet është kush paguan, kush përfiton: Në shtetet më të pasura të unionit shpesh ekziston frika se BE po kthehet në një union transfertash për vendet më të varfra.
Eksperti Johannes Varwick mendon, se megjithë skepticizmin është "e drejtë që të mos hiqet dorë nga çdo vizion." Kurse Daniel Röder nga Pulse of Europe nuk mendon se është e nevojshme të këmbëngulet në idenë e shtetit federal europian megjithëse ai e mbështet zhvillimin e mëtejshëm të BE. Sipas Röder BE "është aktualisht një konstrukt i brishtë dhe mund të veprojë vetëm e kufizuar."Vetëm kur ajo të jetë e aftë për të vepruar efektivisht në lojën globale, atëherë do të rritet prestigji i BE si brenda dhe jashtë.