1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borrell: Të mendojmë përtej kufijve të BE

30 Janar 2020

Joseph Borrell, i cili sot viziton Kosovën, e bëri të qartë së fundmi në Berlin: Bashkimi Europian duhet të flasë me një zë. Borrell synon të tregojë më shumë vëmendje për shtetet përtej kufijve të Bashkimit Europian.

https://p.dw.com/p/3X2Cb
Josep Borrell in Berlin PK
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Hosbas

"Çfarë vendi i bukur këtu" tha Joseph Borrell për rezidencën e Ministrisë së Jashtme në Berlin në liqenin Tegel në veri të të qytetit. I ngarkuari i BE për politikën e jashtme e socialdemokrati katalanonjas, Joseph Borrell kreu vizitën e parë në Berlin (28.01). Pas mirëpritjes me fjalët "mirëserdhe Joseph", ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e cilësoi si " të kujdesshme dhe të mirëpeshuar" çdo gjë që ka ndërmarrë Borrell deri më tani në funksionin e ri. Joseph Borrell vetë thotë, se nuk i mungon puna si fytyra e re e politikës së jashtme të BE dhe pranon, se "nuk di nga t'ia fillosh.  Libia, Iraku, Siria, zona e Sahelit apo Venezuela? Kemi përpara një sërë sfidash, kur bëhet fjalë për të ruajtur një sistem multilateral", tha Borrell në Berlin. Ai e ka vendosur si qëllim të ruajë bashkëpunimin ndërkombëtar, dhe më pak "deals"-marrëveshjet e ndërmjetme mes shteteve. "Ne duhet të jemi më të bashkuar si Bashkim Europian, ne duhet të zhvillojmë një qëndrim të përbashkët për botën."

Deutschland Berlin | Josep Borrell, EU & Heiko Maas, Außenminister
Josep Borrell dhe Heiko MaasFotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Grindja për hapjen e negociatave

Por nga ky unitet u vu re pak në muajt e fundit. Shembull: Ballkani Perëndimor: A do t'ia zgjasë BE dorën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur perspektivën e anëtarësimit me çeljen e negociatave, si e kërkoi sërish tani Angela Merkel? Franca deri më tani ka qenë kundër. Për ekspertin e partisë liberale, FDP, Bijan Djir-Sarai zgjidhja e bllokadave të tilla është një nga detyrat kryesore të Joseph Borrell. Djir-Sarai mban qëndrim të ashpër ndaj paraardhëses së Borrelit, Federica Mogherini. "Pasi Federica Mogherini ishte një dështim i plotë në politikën e jashtme, shpresoj që zoti Borrell të jetë në gjendje të pozicionojë më qartë zërin e Europës në politikën e jashtme. Në një botë që po bëhet më komplekse është urgjentisht e nevojshme që Europa të flasë me një zë dhe të mos qëndrojë pasive në periferi të fushës së ndeshjes. Këtu dua më shumë akcente nga Borrell ndryshe nga paraardhësja e tij pa orientim."

Bundestag Sondersitzung Auswärtiger Ausschuss zu Nahost | Bijan Djir-Sarai
Politikani liberal, Bijan Djir-SaraiFotografi: DW/K. A. Scholz

Nouripour: "Borrell vendos theksin e duhur"

Borrell vetë e ka bërë të ditur, se do të tregojë më shumë vëmendje për shtetet fqinjë të BE. Ai viziton të enjten Kosovë, pastaj Beogradin. "Ne po bëjmë më të mirën për të normalizuar dialogun me Serbinë dhe Kosovën", tha Borrell në Berlin. Eksperti i Të Gjelbërve në politikën e jashtme, Omid Nouripour u shpreh, se e sheh si hap të mirë, nëse Borrell vetë i ofron dorën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. "Ai vendos prioritetin e duhur, kur kujdeset tani më shumë për shtetet që janë vende kandidate. Ai ka shumë përvojë në politikën ndërkombëtare, dhe një ekip të mirë në Shërbimin e Jashtëm të BE. E rëndësishme është që shtetet e BE ta lenë atë të veprojë, dhe të mos e nisin me mision, kur situata të jetë ndërlikuar."

Rikthim i misionit "Sophia"?

E ndërlikuar është gjendja në vatrat aktuale të krizës, që do të kërkojnë aftësinë diplomatike të Borrellit. Ende para Konferencës së Libisë, Borrell u pozicionua qartë. "Nëse ka një armëpushim në Libi, atëherë BE duhet të jetë e gatshme, të ndihmojë në zbatimin e mbikqyrjen e këtij armëpushimi, eventualisht edhe me ushtarë në kuadër të një misioni të BE." Konferenca nuk e kërkoi këtë, vetë Borrell tani i sheh më të kufizuara mundësitë për të ndikuar në qetësimin e gjendjes në Libi. "Zhvillimet aktuale janë shumë shqetësuese, armëpushimi nuk respektohet", tha Borrell në Berlin.

Deutschland Bundestag | Bundeswehreinsatz in Afghanistan
Omid NouripourFotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Po ashtu jo të gjithë politikanët në Berlin dhe BE janë të një mendimi me Borrell, kur ai kërkon rikthimin e misionit të BE në Mesdhe, "Sophia". Në vitin 2019 misioni u mbyll, megjithatë anijet u shpëtuan jetën shumë refugjatëve. Deputeti gjerman, Thorsten Frei nga CDU nuk e përkrah rigjallërimin e misionit të BE. "Asnjëherë më parë nuk janë mbytur në Mesdhe më shumë njerëz, se në kohën e shpëtimit të njerëzve të organizuar nga shtetet", tha ai për gazetën gjermane "Welt." Sipas tij nuk duhet të krijohen impulse të reja për të ardhur në Europë përmes rigjallërimit të misionit.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau