Gashi: Duhet të jemi solidarë me bashkëqytetarët maqedonas
18 Tetor 2024Deutsche Welle: Z. Gashi, këto ditë Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim në BE, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ende nuk e ka bërë hapin e fundit në këtë rrugë – përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. A do ta bëni këtë dhe kur mendoni se mund të ndodhë?
Afrim Gashi: Siç e dini, kemi një mosmarrëveshje rreth asaj se si duhet të vazhdojë kjo çështje. Të gjithë faktorët politikë në vend janë unikë rreth futjes së bullgarëve në Kushtetutë, por duam të marrim garanci që nuk do të ketë kushte të tjera që kanë të bëjnë me kulturën dhe identitetin, të cilat është vështirë t'i shtrosh në tryezat politike. Prandaj, duhet të presim përfundimin e zgjedhjeve në Sofje dhe, së bashku me Brukselin, të ulemi në tryezë për të marrë një garanci që nuk do të ketë kushte shtesë, në mënyrë që të mund ta fillojmë këtë proces menjëherë.
A prisni që pas zgjedhjeve në Bullgari të rifillojnë negociatat për këtë çështje mes Shkupit dhe Sofjes. Orbani ka ofruar ndihmë për ndërmjetësim. Por edhe Gjermania ka sinjalizuar gatishmërinëe saj për ndihmë. A do të keni nevojë për ndërmjetësim?
Ne jemi të interesuar për ndërmjetësim dhe do të provojmë të merremi vesh drejtpërdrejt me Sofjen, sepse mendojmë se ka vesh politik për të dëgjuar zërin racional nga vendi ynë. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, ne nuk do të hezitojmë të pranojmë ndihmën e miqve që duan të ndërmjetësojnë. Për ne është shumë e rëndësishme që ta vazhdojmë procesin e integrimit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Duket se VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN e shohin ndryshe mundësinë e një kompromisi të ri me Bullgarinë. A ka rrezik që ju të largoheni nga koalicioni qeverisës, pasi keni deklaruar që çështja duhet të zgjidhet në gjashtë muajt e parë të qeverisjes tuaj të përbashkët?
Kjo nuk është e saktë. Me rëndësi është që ne si qeveri të jemi unikë në qëndrimin se e duam integrimin e vendit në BE. Për shkak se kishte zëra se ka ndonjë parti të madhe, në fakt maqedonase, e cila reziston në këtë rrugëtim, ne, kur jemi futur në qeveri dhe kur kemi bërë marrëveshjen për koalicion, i kemi pastruar këto gjëra. Tash edhe veprimet e qeverisë janë të qarta se jemi të palëkundur në rrugëtimin drejt BE-së. Natyrisht, garancitë për mospërsëritje të çështjeve identitare janë diçka që, mendoj që ne si shqiptarë, jo që na pengon si komb, por ne duhet të shfaqim empati dhe solidaritet me bashkëqytetarët tanë maqedonas që ta ruajmë edhe raportin ndëretnik, që është shtylla kryesore e stabilitetit. Prandaj, këto gjëra janë edhe sensitive nga ky aspekt. Mendoj se shqiptarët kanë qenë shumë të urtë kur Maqedonia ka pasur kontest me Greqinë, për çështje identitare. Tani që rihapet çështja e Bullgarisë dhe gjithashtu sulmi është për çështje identitare, jo vetëm shqiptarët, por të gjithë përfaqësuesit e etnive të tjera janë unikë në çështjen se nuk temat e historisë dhe identitetit nuk duhet të jenë kusht për integrimin e një vendi në Bashkimin Evropian.
BE-ja po përpallet me fluks të madh migracioni. A i kërkojnë aleatët e BE-së Maqedonisë së Veriut që të lejojë, sipas shembullit të Shqipërisë, kampe të përkohshme për migrantët?
Nuk kemi pasur oferta të tilla. Për ne, prioritet mbetet vazhdimi i procesit integrues të vendit. Kur të jemi pjesë e BE-së, mendoj se këto çështje, si ato që lidhen me menaxhimin e migracionit, duhet t'i zgjidhim në mënyrë të përbashkët me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, vizitoi Berlinin të enjten dhe të premten, ku u takua me zyrtarë të lartë gjermanë. Gjatë vizitës, ai pati takime me kryetaren e Bundestagut, Bärbel Bas, më pas me kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Anton Hofreiter, si edhe me Michael Roth, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme. Ai zhvilloi gjithashtu bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE