Shqipëri: Qendrat e azilit për refugjatët gati për përdorim
12 Tetor 2024Italia do t'i strehojë në Shqipëri refugjatët derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil. Kampet e pritjes për strehimin e tyre janë gati. Nëse ky model mund të shërbejë për të gjithë Europën, është e diskutueshme. "Të dy strehimoret janë sot të gatshme për t'u përdorur", tha ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, gjatë një vizite (11.10.2024) në këto dy qendra. Eshtë megjithatë e paqartë, se kur do të mbërrijnë aty për herë të parë refugjatët. Në të dy qendrat do të vendosen personat, të cilët autoritetet italiane i kapin në det të haour në bordet e anijeve me refugjatë në Mesdheun qendror. Sipas qeverisë italiane në këto qendra mund të strehohen dhjetëra mijë vetë.
Dëbimet direkt nga Shqipëria
Italia planifikon fillimisht që të përdorë portin e Shëngjinit në Adriatik për verifikimin fillestar të refugjatëve. Më pas ata do të strehohen në kampin qendror në Gjadër. Që këtej qeveria italiane do të shqyrtojë kërkesat për azil. Migrantët e klasifikuar si vulnerabël gratë e fëmijët, nuk do të strehohen në këto qendra, por do të dërgohen në Itali. Vetëm nëse kërkesa për azil miratohet, njerëzve do t'u mundësohet hyrja në Itali. Nëse aplikimi refuzohet, sipas planeve, dëbimi do të jetë i mundur me procedurë më të shpejtë. Organizatat e të drejtave të njeriut e kritikojnë ashpër këtë model.
Një zgjidhje për BE-në?
Italia është një ndër vendet e BE-së më të prekura nga lëvizjet e migracionit nga Afrika drejt Europës përmes Detit Mesdhe. Kryemnistrja italiane Giorgia Meloni në vjeshtë 2022 mori postin me premtimin, se do ta kufizojë migracionin drejt Italisë. Përpara një viti ajo ra dakord me homologun shqiptar Edi Rama për ndërtimin e qendrave - fillimisht me afat për pesë vjet me një investim prej 670 milionë eurosh. Italia dhe Hungaria kanë propozuar që ky parim të shtrihet në të gjithë BE-në duke ngritur të ashtuquajturat "qendra të kthimit", ku migrantët pa të drejtë qendrimi të dërgohen në vendet jashtë BE-së. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen vitin e kaluar u shpreh pro marrëveshjes italo-shqiptare. Të tjera shtete të BE-së e konsiderojnë si të papërshtatshme këtë marrëveshje.
Ministria e Brendshme gjermane po verifikon kushtet ligjore
Ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, një procedurë të tillë "nuk e përjashton". Ministria e Brendshme në pranverë mori një sërë ekspertizash për të verifikuar rregulloren e shteteve të treta duke u konsulutuar me ekspertë.
Ekspertët arritën kryesisht në konkluzionin, se një model i tillë është i vështirë të aplikohet për shkak të problemeve praktike dhe ligjore. Faeser deklaroi, se konkluzionet e këtyre konsultave do të prezantohen së shpejti. Ministria e saj ndërkohë po punon për një kuadër, në të cilin të përshkruhe, se "çfarë është e mundur dhe çfarë jo".
"Çështja më e rëndësishme" sipas saj, është të gjendet një shtet, që është vërtetë i gatshëm për të zbatuar procedurat e azilit dhe të kthimit të refugjatëve, tha Faeser (10.10.2024). Shqipëria ndërkohë e ka përjashtuar mundësinë e ngritjes së qendrave të tjera në territorin e saj. Sipas të dhënave të BE-së vitin e kaluar iu kërkua më shumë se 480.000 shtetasve nga vende të treta që të largohen prej BE-së, por vetëm një në pesë është kthyer vërtetë.