Vuçiqi ndalon Europride për shkak të Kosovës, por...
6 Shtator 2022Do të ketë apo jo Europride në Beograd më 17 shtator? Autoritetet thonë se ai është ndaluar, por vetëm jozyrtarisht. Ndërsa organizatorët thonë se gjithçka do të zhvillohet sipas programit, përfshirë edhe shëtitjen e 17 shtatorit nëpër rrugët e Beogradit.
Pas njoftimit të presidentit Aleksandar Vuçiq se Europride do të ndalohet për shkak të situatës së komplikuar politike rreth Kosovës, pasuan disa sqarime. Fillimisht u tha se programet në hapësira të mbyllura do të mund të zhvillohen pa pengesa dhe se ndalimi vlen vetëm për shëtitjen rrugëve të qytetit. Por me kaq nuk përfunduan gjërat.
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq (e cila edhe vet i takon grupit LGBT+), tha se deklarata e presidentit ishte më shumë një "lutje" për organizatorët që të heqin dorë nga manifestimi, sesa ndonjë ndalim konkret. Kjo përputhet edhe me faktin se një ndalim formal të manifestimit dhe shëtitjes nuk i është dërguar ende organizatorëve të Europride.
Turpërimi politik i Serbisë?
Reagimit të aktivistëve serbë të LGBT+ u janë bashkuar edhe zyrtarë të institucioneve evropiane, të cilët u kanë bërë thirrje autoriteteve serbe që ta rishqyrtojnë vendimin. Ndërsa përkrahjen për Europride e ka shprehur edhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken.
Presidenti i Serbisë u shpreh i palëkundur, duke thënë se nuk ka lojë me vendimet e shtetit dhe se ndalimi do të mbetet në fuqi edhe nëse Biden dhe liderë të tjerë botërorë kërkojnë mbajtjen e tij.
Pikërisht këtë e sheh si problem kryesor Zoran Gavriloviq nga organizata BIRODI: "Në vend të shtetit të së drejtës, në Serbi konsiderohet ligj ajo që thotë Vuçiqi në një konferencë për shtyp”. Opinioni publik nuk është në dijeni për vlerësimet e gjendjes së sigurisë, që do të ishin shkak i mjaftueshëm për të ndaluar manifestimin. Në fund kjo u shndërrua në një turpërim të Serbisë, për shkak të vendimeve që nuk janë në harmoni me ligjet, në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Gavriloviq për DW.
Reagimi i djathtistëve
Srbijanka Turajliq, profesoreshë në pension e Universitetit të Beogradit, e sheh shpalljen e ndalimit të Eurpopride si "një përpjekje për të testuar reagimet e opinonit vendas dhe ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë për të kënaqur të djathtët në vend, të cilët janë deklaruar kategorikisht kundër këtij manifestimi". "Kam përshtypjen se Vuçiqi aktualisht po luan për opozitën e djathtë dhe se ai në fakt dëshiron ta tërheqë atë në procesin e krijimit të asaj që ai e quajti një lloj blloku serb, dhe në këtë mënyrë të forcojë edhe më shumë pozitën e tij në parlament dhe në opinion”, tha Turajliq për DW.
Zoran Gavriloviq beson se organizatat e krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë "nuk janë aq shumë kundër mbajtjes së Europride, sa janë të gatshme ta përdorin këtë ngjarje për të rritur kredibilitetin politik të krijuar mbi bazën e rusofilisë dhe putinofilisë në Serbi".
"Kjo është një lojë e pamoralshme politike," beson Gavriloviq.
Kërcënimet serioze
Nëse diçka nuk ndryshon ndërkohë, gjykuar nga reagimet publike, në rrugët e Beogradit mund të ketë me 17 shtator trazira dhe incidente.
Lideri i partisë djathtiste "Dveri", Boshko Obradoviq, kërcënoi se nëse nuk anulohet Europride, 100.000 njerëz do të dalin në një shëtitje familjare në kryeqytetin e Serbisë me 17 shtator. Edhe një pjesë e opozitës qytetare paralajmëron daljen në rrugë, por në mbështetje të eventit LGBT+.
Potenciali për konflikt nuk është i vogël, ndaj shtrohet pyetja sa janë në gjendje autoritetet të përballen me këtë situatë dhe me këtë sfidë të sigurisë. Potenciali për konflikte ekziston, "sepse ky vend i ka lejuar të djathtët të shprehin egërsinë e tyre tej çdo mase", vëren Serbi Turajliq.
"Ajo që po thonë ata, mënyra se si e thonë ate dhe kërcënimet e tyre janë jashtëzakonisht serioze. Ndaj kësaj nuk po reagon askush”. Sikur Serbia të ishte një vend serioz, dikush do të reagonte. Në të njëjtën kohë, kam vërejtur se dje është arrestuar dikush që kërcënoi Aleksandër Vuçiqin në Instagram. Prandaj, në këtë vend mbrohet vetëm Aleksandar Vuçiqi, ndërsa të tjerët duhet të mbrohen vet”, thotë profesorja Turajliq.
Na duhet vërtet dialog dhe konfrontim politik, vëren Zoran Gavriloviq, por jo në rrugë. "Analiza e temave të trajtuara në mediat me frekuencë kombëtare tregon se Europride nuk është fare temë atje”. Mediat mbyllen, legalizojnë propagandën e qeverisë dhe në një situatë të tillë njerëzit dalin në rrugë”.
"Pra, me të vërtetë ekziston mundësia që më 17 shtator të ndodhin skena të pakëndshme, dhe për fat të keq, vendimet se kush ka çfarë të drejtash do të merren në rrugë në vend të institucioneve”, paralajmëron Gavriloviq.
Turpi i pushtetit
Srbijanka Turajliq vë në dukje se në rrugë do të mbetet një grup njerëzish që mendojnë se të drejtat e njeriut janë shumë të rëndësishme, si dhe një grup tjetër që "thirret një lloj fashizmi ku ata përcaktojnë se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet".
Ajo beson se incidentet mund të shmangen nëse policia bën punën e saj. Por tashmë është e qartë se do të ketë Europride dhe se ndalimi për të cilin foli Vuçiqi nuk do të respektohet.
"Është ky vetëm edhe një turp tjetër i qeverisë. Por tashmë jemi mësuar që Aleksandar Vuçiqi të thotë një sërë të pavërtetash, e pastaj të nesërmen thotë se nuk e ka thënë kurrë. "Ai tani ndoshta do të thotë se nuk ka thënë kurrë ndalim, por se ka qenë vetëm një lloj propozimi”, shton ajo.