Homoseksualiteti në Evropë
9 Korrik 2012Juris Lavrikovs ka aq shumë për të treguar, saqë nganjëherë i mbaron fryma. Ka shumë të dhëna, që ai do t`i përmbledhë në një fjali. Edhe në nivel evropian ekzistojnë probleme të diskriminimit të homoseksualëve, thotë zëdhënësi i shtypit të grupit të ILGA-s, organizatës ndërkombëtare të lesbikeve, gay-eve, biseksualëve, trans- dhe interseksualëve për Evropën.
Diskriminimi në bazë të racës për shembull është ndaluar në të gjitha fushat në të cilat BE lejohet të nxjerrë ligje. Diskriminimi i bazuar mbi orientimin seksual, fetar apo të metat fizike është ndaluar vetëm në sektorin e punësimit. Kjo gjendje duhet të ndryshojë, thotë Juris Lavrikovs. Edhe në qasjen tek mallrat dhe shërbimet, banesat dhe arsimin duhet të sundojë barazia, kërkon ai. "Por këto ligje të veçanta janë mbërthyer në nivelin e Këshillit të Evropës dhe prej vitesh kanë qëndruar pothuajse në vend numëro," ankohet zëdhënësi i ILGA-së. Ajo që mungon është aprovimi i shteteve anëtare.
Diskriminim në nivelin e vendeve anëtare të BE-së
Si një organizatë ombrellë e gati 360 organizatave të ngjashme nga 44 vende evropiane, ILGA angazhohet kundër diskriminimit të homoseksualëve, biseksualëve, trans- dhe interseksualëve. Organizata punon ngushtë me institucionet e BE-së, për të marrë përkrahje për qëndrimet e veta. Juris Lavrikovs është i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm.
BE dhe Këshilli i Evropës kanë bërë shumë përparime në forcimin e të drejtave të njeriut për lesbiket, gejët, biseksualët, transeksualët dhe interseksualët, thotë Lavrikovs. Sfida është njëkohësisht të punohet në nivelin e BE-së: "Sepse në fund të fundit institucionet e BE-së kanë shumë më tepër forcë se sa vendet anëtare," thotë Juris Lavrikovs.
Hapa mbrapa
Edhe në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe në Këshillin e Evropës në Strazburg, ILGA është aktive. Në fund të muajit qershor, Komisari për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muiznieks akuzoi se vendet anëtare kanë kërkuar të ndalohet informimi sqarues për homoseksualitetin dhe kundër homofobisë. "Ky është një kthim mbrapa në të kaluarën, në kohën kur homoseksualët trajtoheshin si kriminelë," kritikon Muiznieks.
Në raportin vjetor të ILGA-s për Evropën përshkruhet situata në 40 vendet evropiane dhe nxirret një listë renditëse. Maksimumin e 30 pikëve nuk e ka arritur asnjë vend, në krye ndodhen Britania e Madhe, Gjermania dhe Spanja me 20 pikë. Shumë shtete ndodhen në nivelin e 12 pikëve minus, thotë Juris Lavrikovs: "Në këtë zonë të kuqe ndodhen shumë shtete evropiane, duke filluar me Federatën Ruse, Ukrainën, Moldavinë, Azerbaxhianin, Armeninë, Turqinë dhe ish Republikën jugosllave të Maqedonisë dhe Bjellorusinë." Diskriminim ekziston dhe në vende të tjera, por këto janë shtetet që janë veçuar, thotë zëdhënësi.
Kudo duhet bërë më shumë
Pikërisht këto vende dënoi Parlamenti Evropian në fund të muajit qërshor 2012, për ligjet homofobe që ato kanë. Por Lavrikovs përmend edhe vendet e përparuara të cilat duhet të luftojnë kundër diskriminimit: "Në Suedi transseksuelët duhet të bëjnë sterilizim, nëse pranojnë zyrtarisht transsekslualitetin e tyre. Kjo është shumë traumatike." Nganjëherë harrohet se edhe shtetet në të cilat janë bërë shumë përparime, ka ende nevojë për tu bërë në këtë fushë.
Vetëdija që për të drejtat e njeriut duhet të luftohet dhe se ato duhet të zhvillohen, ka lindur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Lufta e Ftohtë në Evropë ka bërë që vendet e ish bllokut lindor të kenë edhe për disa vite nevojë që të zhvillojnë një politikë të të drejtave të njeriut, e cila të jetë vërtet e tillë.
Maçizmi si shkak?
Por në disa vende evropiano- perëndimore gjendja e diskrimiminit në bazë të orientimit seksual është edhe më e keqe se në shtetet e ish bllokut lindor, thekson Juris Lavrikovs. Ai përmend Greqinë, Maltën dhe Italinë: "Në Itali nuk ekziston vullneti politik për të nxjerrë ligjet përkatëse." Përshembull shumë përpjekje të deputetëve për ta njohur homofobinë si faktor rëndues në raste krimesh të caktuara, kanë dështuar.
Edhe këtu është pak të thuash që në vendet jugore të Evropës ekzistojnë struktura patriarko- tradicionale me tendenca të theksuara homofobie. Ai përmend Spanjën dhe Portugalinë. Këto dy vende kanë bërë vitet e fundit përparime të mëdha në çështjen e gjinive ose të të drejtave të homoseksualëve dhe transseksualëve. "Këto vende kanë treguar se shumicat e feve ose traditat kulturore nuk janë kundër përmirësimit të të drejtave të homoseksualëve, bi-, trans dhe transseksualët," thotë Lavrikovs. Ato që duhen janë vullneti politik dhe rrethanat politike.