1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

VMRO zyrtarizon qëndrimin ndaj referendumit

12 Shtator 2018

Partia kryesore e opozitës në Maqedoni nuk do të japë rekomandime për referendumin, megjithëse vlerëson se ai është i dëmshëm. Presidenti i Kosovës inkurajon shqiptarët t'i thonë po refernedumit për emrin.

https://p.dw.com/p/34lBx
Mazedonien Hristijan Mickovski Parteichef der oppositionellen VMRO DPMNE
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Pas një debati maratonë partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE mori vendim përfundimtar për referendumin e 30 shtatorit. Sipas VMRO-DPMNE-s çdo qytetar duhet të vendosë vetë se a do të votojë dhe se si do të votojë në referendumin për emrin më 30 shtator.

Megjithëse VMRO do të zhvillojë fushatë aktive, ajo nuk do t'i udhëzojë qytetarët që të bojkotojnë referendumin, të votojnë pro apo kundër Marrëveshjes së Prespës. "Kjo nuk është çështje vetëm e VMRO-DPMNE-së  apo LSDM-së, por e tërë Maqedonisë. Në këtë moment historik,

VMRO-ja pas konsultimit me qytetarët për bojkotim apo kundërshtim të referendumit dhe pas konsultimeve me ndërkombëtarët dhe anëtarët e partisë, e ka vlerësuar sërish marrëveshjen si të dëmshme për Maqedoninë, prandaj ne do t'ua lemë qytetarëve që vendimin për referendumin ta marrin në bazë të vlerësimit vetiak. Dëgjoni zemrën tuaj dhe veproni si duhet", ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dhe shtoi: "Në fund Maqedonia do të fitojë".

Mickoski tha gjithashtu se marrëveshja nuk është e pranueshme për VMRO-DPMNE sepse me të ndryshohet Kushtetuta, ideniteti kombëtar dhe shtetëror.

Thaçi: Integrimi i rajonit në NATO dhe BE, synim i përbashkët

Mbështetje për  Marrëveshjen i erdhi kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: "Mes Maqedonisë dhe Kosovës nuk ka asnjë çështje të hapur.Maqedonia është shtet mik i Kosovës dhe dy vendet kanë një synim, integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian", deklaroi Thaçi gjatë një vizite zyrtare në Shkup.

"Kosova dëshiron të arrijë marrëveshje me Serbinë në frymën e njëjtë sikur që Maqedonia nën mbikëqyrjen e komunitetit ndërkombëtar arriti marrëveshje me Greqinë, ka thënë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Thaçi shtoi më tej se për Kosovën janë të rëndësishme reformat që po bën Maqedonia me qëllim integrimin e mazedonien referendum vendit në NATO dhe BE. "Angazhimi për tejkalimin e çështjes së emrit ishte një vendim i drejtë, vendim për të mirën e gjithë qytetarëve dhe jo vendim populist. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë është mirë të votojnë PRO në referendum pasi i njëjti do të kontribuojë për një paqe më të madhe në rajon”tha presidenti i Kosovës.

Intensifikim i bashkëpinimit ekonomik

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, paralajmëroi bashkëpunim më intensiv mes dy vendeve përmes ngritjes së Komitetit të Përbashkët. "Mundësi të reja për rritje të bashkëpunimit po nisin me hapjen e vendkalimit kufitar Bellano-Stançiq dhe nisjen e punimeve për autostradën Shkup-Bllacë. Lidhja energjetike është prej një rëndësie të veçantë për Maqedoninë. Ne do të iniciojmë nisjen e ndërtimit të linjës së gazsjellësit për Kosovën, tha Zaev i cili gjithashtu premtoi një qendrim konstruktiv të Maqedonisë në zgjidhjen e statusit të Kosovës. 

"Integrimi në NATO dhe BE është pika jonë e përbashkët. Ky është rezultat i qasjes sonë në këtë proces.Maqedonia përkrah vendimet pozitive për Kosovën, e cila do të kontribuojë për stabilitetin e Kosovës dhe gjithë Ballkanit", është shprehur kryeministri Zoran Zaev. Ai gjithashtu shtoi se Maqedonia do të mbështesë  çdo zgjidhje pozitive të marrëdhënieve Kosovë-Serbi që të përmirësohet mirëqenia e rajonit.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut