Ushtria siriane vazhdon të ofensivën kundër opozitës
21 Qershor 2011Në Siri ushtria ka zgjeruar sërish ofensivën kundër kritikëve të qeverisë, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Në qytetin milionësh Aleppo janë arrestuar shumë studentë, të cilët kishin demonstruar kundër presidentit autoritar Bashar al-Assad, thuhet në njoftimet e bazuara në informacionet e dëshmitarëve në vendngjarje. Ushtarët kanë ngritur pika kontrolli dhe patrullojnë nëpër rrugë. Kontrolli i pavarur i këtyre të dhënave nuk është i mundur, pasi autoritetet siriane kanë dëbuar thuajse të gjithë gazetarët. Në Damask mijëra nëpunës shtetërorë dhe anëtarë të partisë qeverisëse Baath morën pjesë në një miting pro Asadit. Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, në një fjalim ditën e hënë premtoi ndryshime, por nuk dha hollësi, apo një plan kohor. Assad foli për një dialog kombëtar, në të cilin do të jetë e përfshirë edhe opozita, si dhe ndryshime kushtetuese. Përfaqësues të opozitës u shprehën të zhgënjyer nga fjalimi, pasi presidenti bëri të qartë se nuk heq dorë nga pushteti. Në shumë qytete të Sirisë pati sërish demonstrata. Ministrat e jashtëm të BE-së njoftuan sanksione të reja kundër udhëheqjes në Damask. Sipas të dhënave të aktivistëve për të drejtat e njeriut në protestat e vazhdueshme kundër regjimit të Assadit deri tani janë vrarë 1.300 vetë.
Obama dhe Erdogan bëjnë thirrje për dhënien fund të dhunës
Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, i kanë bërë thirrje Sirisë t'i japë menjëherë fund dhunës dhe të ndërmarrë reforma konkrete. Obama dhe Erdogan në një telefonatë kanë qenë të një mendje se udhëheqja siriane duhet të respektojë dëshirat demokratike të popullit, u bë e ditur nga zyra e presidentit të SHBA-së. Fjalimi i Asadit të hënën u kritikua në Turqi dhe shtetet perëndimore si i pamjaftueshëm. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e quajti atë fjalimin e një njeriu të pakorrigjueshëm.
Autor: xhani (dpa)
Redaktoi: verbica