Turqia i premton ushtrisë së Shqipërisë dronë kamikaz
10 Tetor 2024Takimi i dytë i Këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Turqisë pati si qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë kuadër presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, u takua gjatë vizitës njëditore në Tiranë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe më tej u prit nga kryeministri Edi Rama, me të cilin mbajti edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Erdogan premtoi se do t'i dhurojë Forcave të Armatosura të Shqipërisë një numër ende të paspecifikuar të dronëve kamikaze, përpos ndihmës përmes pajisjeve të tjera dhe trajnimeve. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë ‘'një dhuratë që s'duhet të shqetësojë askënd'', por që përmbledh sipas tij mesazhin e qartë nga Turqia se ‘'Shqipëria është e pagoditshme''.
Mes të dy shteteve u nënshkruan edhe tri marrëveshje në fushën e bujqësisë, arsimit dhe të marredhënieve me publikun e komunikimin.
Të dy liderët folën edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe të investimeve, përfshirë edhe në sektorë inovatorë që sipas tyre do të sjellin avantazhe. ‘'Ne vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin tregtar me Shqipërinë në 2 miliardë dollarë, kjo në fazën e parë'' – u shpreh presidenti turk Erdogan. Ndërsa kryeministri shqiptar Rama tha, se janë të mirëpritura investimet e drejtpërdrejta nga Turqia në Shqipëri, veçanërisht në fushën e turizmit.
Qëndrime të ndryshme për çështjet rajonale
Një takim kokë më kokë i parapriu konferencës për shtyp midis presidentit të Turqisë dhe kryeministrit Rama, gjatë të cilit u diskutua për luftën në Lindjen e Mesme. Presidenti turk tha, se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza duke e cilësuar si një ‘'kërcënim për rendin global''. ‘'Ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin'' – u shpreh Erdogan, duke kërkuar që edhe Shqipëria të bëjë pjesën e saj në fushën diplomatike. Qëndrimi për një armëpushim u përkrah edhe nga Kryeministri Edi Rama, megjithatë ai ndau një tjetër këndvështrim në lidhje me grupin palestinez duke thënë se ‘'Hamasi dhe çdo burim i terrorit s'ka vend në ta ardhmen paqësore''.
Përurohet xhamia e Namazgjasë
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, presidenti turk mori pjesë në përurimin e xhamisë së Namazgjasë, një nga më të mëdhatë në Ballkan. ‘'Një dhuratë nga populli turk për vëllezërit dhe motrat tona myslimane shqiptare'' e cilësoi atë Erdogani, dhe si ‘'vendi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe e solidaritetit”.
Puna për ndërtimin e xhamisë nisi në vitin 2015 me rreth 30 milionë euro nga organizata shtetërore myslimane turke Diyanet. Por përurimi i saj u vonua për shkak të shqetësimit të presidentit Erdogan se FETO, e cilësuar në Turqi si Organizata Terroriste Fetullah mund të kishte ndikimin e saj mbi xhaminë.
Sipas presidentit turk lufta e përbashkët kundër organizatave terroriste "veçanërisht kundër FETO-s”, ishte një nga pikat e diskutimit me kryeministrin Rama gjatë së enjtes. "Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot”, tha Erdogan.
Në ceremoninë e hapjes së xhamisë së Namazgjasë nuk mori pjesë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, dhe as drejtues të tjerë, ndërsa drejtues i saj do të jetë myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja. Kjo xhami me një kube qendrore prej 30 metrash, ka një kapacitet për të mbajtur deri 8000 njerëz.
Pas ceremonisë së hapjes së xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, Presidenti turk udhëtoi drejt Beogradit, aty ku nesër do të ketë takime me krerët e shtetit serb.