Bullgari: Të drejtat e transgjinorëve. Etje për jetë normale
4 Dhjetor 2023Dymbëdhjetë ditë, kaq gjatë rezistoi Gabriella Bankova. E ulur në shkallët e Pallatit të Drejtësisë në Sofje të Bullgarisë dhe pa ngrënë asgjë, edhe pse uria e sfiliste gjithnjë e më shumë. Greva e urisë, thotë ajo për DW, ishte një vendim spontan nga njëra anë. E megjithatë ishte përgatitur në një farë mase prej një kohe të gjatë. Sepse Gabriella Bankova është trans. Megjithatë shteti bullgar refuzon ta njohë këtë fakt. Në nëntor, kur një gjykatë refuzoi të ndryshojë në "femër” kolonën "gjinia" në kartën e saj të identitetit, Bankova nuk dinte më ç´të bënte. Dhe u ul para Pallatit të Drejtësisë.
Gabriella Bankova humbi shtatë kilogramë gjatë grevës së urisë. Ajo i dha fund asaj më 25 nëntor 2023. Por lufta e Bankovës për të drejtat e saj nuk mbaron me kaq. "Mendoj se është koha për një reformë në drejtësi”, thotë 32-vjeçarja për DW.
Pa martesë, pa adoptim, pa trashëgimi Seksioni evropian i Shoqatës Ndërkombëtare të Lesbikeve, Gay, Biseksualëve, Transgjinorëve dhe Intersekseve (ILGA) publikon një indeks vjetor të ylberit, ku vlerëson 49 vende në Evropë në bazë të ligjeve dhe politikave të tyre të barazisë për komunitetinLGBTQ. Në vitin 2023 Bullgaria zuri vendin e 40-të. Nga të gjitha vendet e BE vetëm Rumania dhe Polonia u renditën më poshtë.
Personat LGBTQ përballen me pengesa ligjore në Bullgari. Organizata "Deystvie", që bën fushatë për barazi sociale dhe ligjore për njerëzit nga komuniteti LGBTQ në vend, shqyrtoi para pesë vjetësh 79 ligje bullgare. Rezultati: Në Bullgari njerëzve ndryshe u mohohen rreth 300 aspekte të këtyre ligjeve. Çiftet e të njëjtit seks nuk lejohen të martohen, nuk mund të adoptojnë fëmijë së bashku dhe as të trashëgojnë pasurinë e partnerit.
E drejta për vetëvendosjen gjinore, e cila është kaq e rëndësishme për Bankovën dhe personat e tjerë trans, nuk ekziston. Ndryshimi zyrtar i përcaktimit gjinor ose ndryshimi i emrit është i pamundur.
Gjërat e vetëkuptueshme bëhen një luftë e përditshme
Për shkak se në kartën e saj të identitetit shkruhet ende gjinia "mashkull", Gabriella Bankovës shpesh i është refuzuar qëndrimi në spital si dhe shërbimet e tjera shëndetësore, tregon ajo.
Para pak kohe ajo u sëmur me pneumoni, por nuk mundi të blinte antibiotikë, sepse i nevojitej një recetë nga mjeku, të cilën nuk e mori dot. Sepse institucionet shëndetësore besonin, se ajo përdorte një letërnjoftim të rremë dhe në fakt nuk kishte sigurim shëndetësor.
32-vjeçarja tregon se për të njëjtën arsye i janë refuzuar edhe kontratat e punës dhe të qirasë. Në jetën e saj të përditshme identiteti i saj përplaset vazhdimisht me "m” në letërnjoftim.
Ndryshimi i gjinisë? I pamundur
Diskutimet e para për mundësinë e ndryshimit ligjor të gjinisë në Bullgari nisën në fillim të viteve 1990. Deri në vitin 2017 ka patur vazhdimisht zhvillime pozitive, thotë Denitsa Lyubenova, avokate dhe kryetare e Deystvie. Ngaqë nuk kishte një praktikë të qartë gjyqësore, njerëzit trans herë pas here mund ta ndryshonin statusin e tyre gjinor në gjykatë.
Por në vitin 2018, në mesin e fushatës kundër ratifikimit të Konventës së Stambollit, Gjykata Kushtetuese vendosi që termi "gjini" të kuptohet vetëm në kuptimin biologjik, se ka "vetëm dy gjini". Tre vjet më vonë filloi procesi i interpretimit. Në shkurt 2023 Gjykata e Lartë njoftoi se kishte marrë vendimin, se nuk ekziston një kornizë ligjore, që të rregullojë ndryshimin ligjor të gjinisë. Ose e thënë ndryshe: transgjinorët në Bullgari zyrtarisht nuk kanë më mundësi ta përshtasin gjininë e tyre.
Nuk ka statistika, se sa njerëz në Bullgari gjenden në një situatë të ngjashme me atë të Gabriella Bankovës. Avokatja Lyubenova është e sigurt se ka mjaft të tillë. Vetëm organizata e saj Deystvie përfaqëson aktualisht rreth 30 deri në 40 persona.
"Gjyqësori bullgar me vendimet e viteve të fundit ka bërë, që ne të shpallemi njerëz, që nuk janë të mirëpritur në shoqëri”, thotë me hidhërim Bankova.
Reagime të përziera para Pallatit të Drejtësisë
Gabriella Bankova u arrestua dy herë nga policia gjatë grevës së saj të urisë, ngaqë ndër të tjera ajo gjoja nuk ishte në gjendje të identifikonte veten. E pajustifikuar, thotë Bankova. Ajo tregon njollat blu në kyçin e dorës së djathtë dhe thotë se në stacionin e policisë është fyer, poshtëruar, zhveshur dhe madje edhe lënduar fizikisht. "Çfarëdo që të bëjnë, ata nuk më thyejnë dot. Unë jam mendërisht më e fortë se kurrë", thotë ajo.
Gjatë grevës së saj të urisë Bankova përjetoi përpara Pallatit të Drejtësisë dy anët e shoqërisë bullgare. Disa kalimtarë e kishin ofenduan hapur dhe me agresivitet - sidomos adoleshentë dhe burra në moshë të re. Bankova beson se shkaku janë partitë nacionaliste, ekstremiste të djathta, apo populiste, të cilat vazhdimisht nxisin kundër personave LGBTQ në Bullgari. Në disa raste nuk ka vetëm gjuhë urrejtjeje, por edhe dhunë fizike.
Në tetor 2022, për shembull, politikani i djathtë populist Boyan Stankow dhe dhjetë persona të tjerë sulmuan pikën e takimit të LGBTQ Rainbow Hub në Sofje dhe plagosën një punonjës. Megjithatë shumë kalimtarë u solidarizuan me të dhe donin të mësonin më shumë për jetën e personave trans, thotë Bankova. "Edhe njerëzit, që nuk më flisnin drejtpërdrejt, më buzëqeshnin," thotë ajo.
Duke u ulur para Pallatit të Drejtësisë, ajo tregoi se në Bullgari ekzistojnë personat transgjinorë dhe se ata, si gjithë të tjerët, kanë të drejtë për një jetë normale dhe dinjitoze. Prandaj greva e urisë ishte vetëm fillimi. "Tani fillojmë punën e vërtetë”, thotë Bankova.
Margarita Nikolova