1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Elliot Page tregon për homofobinë e Hollivudit në 'Pageboy'

13 Qershor 2023

Elliot Page, aktori i filmit “Juno”, i seleksionuar për të marrë Oscar dhe yll i filmit "The Umbrella Academy" është burri transgjinor më i famshëm i Hollivudit. Në librin me kujtime “Pageboy" ai rrëfen historinë e tij.

https://p.dw.com/p/4SPXV
Elliot Page
Elliot Page Fotografi: Richard Bord/Getty Images

Pavarësisht se në Hollivud është objektivisht më e lehtë të jesh ndryshe se sa në pjesë të tjera të botës ku homoseksualiteti është i jashtëligjshëm, homofobia në industrinë amerikano-veriore të argëtimit vazhdon të jetë më e madhe se sa mund të pritet. Elliot Page merret me këtë çështje në librin e rij me kujtime, "Pageboy," publikuar më 6 qershor. 

Libër rezistence 

Page, i cili ka filluar me aktrimin që fëmijë dhe mori famë të madhe për rolin që luajti në filmin "Juno” (2007), rol që u seleksionua për të marrë çmimin Oscar, ka lindur më 21 shkurt 1987. Regjistruar si femër mbas lindjes, ai deklaroi në dhjetor 2020 se është transgjinor. Që nga ajo kohë aktori ka përdorur instagramin për të dokumentuar tranzicionin e tij dhe aktivizmin në mbrojtje të të drejtave të transgjinorëve. 

"Gjatë viteve më ka shkuar disa herë në mendje të shkruaja një libër, por  asnjëherë nuk mora guximin dhe të them të drejtën, dukej edhe e pamundur. Unë mezi gjeja qetësi, jo më të fokusohesha për një kohë të gjatë me një gjë të tillë,” shkruan Page në hyrje të librit, duke shpjeguar se për një kohë të gjatë e gjithë energjia e tij mendore ka shkuar kot, duke u munduar të fshehë problemin që kishte. "Më në fund, unë mund të jem vetvetja, në këtë trup.” 

Duke theksuar se në kohë të vështira atë e kanë ndihmuar shumë librat dhe ato mund t'i kenë shpëtuar edhe jetën, ai shpreson që historia e tij mund të ndihmojë po ashtu të tjerët "që të ndihen më pak të vetmuar” në rrugëtimin e tyre. Page shton se ndarja e përvojave të diversitetit me të tjerët "është hap i rëndësishëm në rezistencën kundër atyre që duan të na kthejnë në të padukshëm.” 

 Kopertina e librit "Pageboy" të Elliot Page
Kopertina e librit "Pageboy" të Elliot Page

'Thjesht ekzistenca' është impresionuese 

Treguar me rend akronologjik, historia e Pages kapërcen herë në fund e herë në fillim të fazave të ndryshme të jetës së tij, duke prezantuar atmosferën e skenave të filmave, përvojat e ndryshme "të herës së parë” dhe marrëdhëniet me njerëzit. Po ashtu tregon për kohën e rritjes në Nova Scotia, Kanada, gjatë së cilës ai ka jetuar në dy shtëpi të ndryshme, gjysmën e kohës me mamanë të lodhur shumë nga puna, që jeton pa partner, dhe gjysmën tjetër të kohës me familjen e re të të atit, ku bënin pjesë dy vëllezër të tjerë me baba të përbashkët, dhe një njerkë të egër për Page. 

Një nga çështjet që përsëritet herë pas here në kujtimet e Page është se ai nuk e ka ndier veten kurrë si pjesë të shoqërisë, dhe se i është dashur kohë e gjatë të kuptojë se dysphoria gjinore ishte duke i nxirë jetën. 

Ai është çuditur gjatë si arrinin njerëzit e tjerë të ishin aq të qetë me veten e tyre: "Dhe nuk po them të jenë "të lumtur”, mbase ata nuk janë të lumtur, por janë të paktën në gjendje të ekzistojnë.” 

Rruga e aktorit për të pranuar identitetin e tij gjinor dhe për ta transmetuar atë në publik nuk ka qenë e lehtë. 

Në libër, Page kujtohet për përvojat e ndryshme të lëndimeve: kërcënimet me vdekje nga një i çmendur që e ndiqte, regjisorë që kërkonin të flinin me aktorin kur ishte në moshë adoleshente, sulme homofobe nga të huaj, përfshirë një përvojë të rrezikshme në një lagje të Hollivudit që sillet mirë me komunitetin LGBTQ, si dhe lëndimet e përditshme homofobe. 

Elliot Page
Elliot PageFotografi: Geoff Robins/AFP

Hollivudi, pengesë për të dalë hapur në publik 

Hollivudi mbase mendon për veten e vet se është ambient progresiv, por përvojat e Pages tregojnë se si industria e filmit ka ushtruar presion mbi aktorin që të mos dalë hapur për një kohë të gjatë. 

Në vitin 2008, një artikull i gazetës Village Voice, në Nju Jork, e njohur si e përjavshmja e parë alternative e vendit, spekullonte se Page mund të jetë lezbike. Page kujton se njerëz nga industria e filmit i patën thënë se dalja hapur në publik mund të kishte ndikim negativ në karrierën e tij si aktor. Ai po ashtu kujton presionin që i është ushtruar në shumë raste, madje dhe me forcë, që të veshë fustane dhe këpucë me taka të larta për të promovuar aktivitete të ndryshme, gjë që ka shkaktuar frikëra të aktorit. 

Përshembull Page flet për një marrëdhënie romantike me një aktor tjetër LGBTQ, marrëdhënie që ka qenë mbajtur sekret për një kohë të gjatë, madje edhe nga shokët e ngushtë. Vetëm kur ka mbushur moshën 27 vjeçare, në vitin 2014, Page doli hapur si homoseksual, gjatë një fjalimi që mbajti në një konferencë gjatë një fushate për të drejtat e njeriut.  

Dalja hapur ishte çlirim, por edhe shtim sulmesh kundër Page. Një kapitull i librit me titull "Famous A**hole at Party," (shqip: Shkë**ata të famshëm në festë”), jep një shembull tjetër për homofobinë e Hollivudit. Një aktor, emri i të cilit nuk jepet në libër dhe që përshkruhet thjesht si "një i njohur” fillon ta provokojë Page në një takim social: "Ju nuk jeni homoseksual. Kjo gjë nuk ekziston. Ju thjesht keni frikë nga burrat.” Ai vazhdon më tej duke kërcënuar, kërcënime që dëgjohen nga shumë vetë të tjerë mbledhur në festë duke thënë: "I'm going to f**k you to make you realize you aren't gay. " (shqip: "Do ju jap një që q**ë, që t'ju bëj të kuptoni se nuk jeni homoseksual).” 

Kohë eksplorimi dhe thyerje zemre 

Por për Pagen, dalja hapur në publik si homoseksual shënoi një periudhë të re eksplorimi. 

Një romancë për të cilën flitet në libër ka ndodhur kur Paqe ka qenë duke filmuar "X-Men: Days of Future Past" (2014) — (shqip Burrat X: Ditët e të kaluarës së ardhshme”, bashkë me aktoren Kate Mara (që ka luajtur në "House of Cards” (Shtëpia e letrave). Kate Mara ka qenë në atë kohë duke u takuar me Max Minghella. I dashuri i Maras nuk doli kundër kur Mara i tregoi për ndjenjat që kishte për Page. 

Kur marrëdhënia e tyre mori fund, Page kuptoi se e njëjta histori ishte duke u përsëritur gjatë gjithë jetës së tij: Rënia në dashuri me njerëz që nuk ishin krejtësisht në gjendje për të qenë me të. 

Elliot Page
Fotografi: Presley Ann/Getty Images for LACMA

Gëzim i ri 

Mbas daljes hapur si transgjinor në vitin 2020, Page pati mundësi të bënte operacion në vitin 2021, kur dikush tjetër anuloi operacionin që kishte planifikuar. Aktori thotë se është i vetëdijshëm për privilegjet që ka, ndërkohë që shumë transgjinorë të tjerë presin me vite të tëra për të bërë operacione ose nuk u lejohet fare mundësia për të kaluar në procedurë të tillë. 

Operacioni u bë para xhirimeve të sezonit të tretë të filmit "The Umbrella Academy," në të cilin luan dhe ai. Krijuesit e show-ut me superheronj e kanë mbështetur shumë Page gjatë tranzicionit të tij dhe në sezonin e mëvonshëm, katakteri që ai luan po ashtu del hapur si burrë transgjinor. 

Përveç sulmeve me urrejtje që bëhen gjithnjë në mediat sociale, Page përmend në libër edhe disa komente ofenduese të bëra nga "shokët” e Hollivudit, mbas shfaqjes së tij të parë në publk si burrë transgjinor. 

Sidoqoftë, megjithë sfidat, Page thotë se ka gjetur një lloj qetësie, duke qenë i ndërgjegjshëm se ka qenë duke shkruajtur historinë e tij në një kohë që ka qenë duke marrë ende testosterone dhe trupi i tij ka qenë ende duke u zhvilluar. 

"Ky është vetëm fillimi,” shkruan ai. "Me jepni mundësinë të jem në këtë botë më i lumtur se kurrë më parë.”