1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Suedi: "Zhvillimi është tejet shqetësues"

1 Tetor 2023

Prej vitesh Suedia ka një problem me dhunën e bandave. Javët e fundit vendi është tronditur nga një dhunë e pazakontë. Në shumë raste me qëllim bandat rekrutojnë të rinj. Tani policisë do t'i vijë në ndihmë ushtria.

https://p.dw.com/p/4Wzn2
Shtohet dhuna e bandave kriminale në Suedi - Makina policie në errësirë
Shtatori i zi e quajti një gazetë suedeze shtatorin 2023 për shkak të numrit të lartë të luftimeve të bandaveFotografi: Nils Petter Nilsson/TT/picture alliance/dpa

12 viktima! Ky është bilanci i hidhur i "shtatorit të zi" në Suedi, për të cilin bën fjalë një gazetë suedeze. Dhuna e bandave ka shpërthyer sërish. Së fundmi një 18 vjeçar u vra në një qendër sportive në jug të Stokholmit, në një kohë që aty po trajnoheshin fëmijët. Jo vetëm viktimat, edhe autorët e krimeve po bëhen gjithnjë e më të rinj, është shprehur kreu i Policisë Suedeze, Anders Thornberg. "Kriminelët janë pa skrupuj. Ata rekrutojnë në shumë raste adoleshentë që armatosen dhe dërgohen me porosi tek persona dhe adresa të caktuara." Krminaliteti i rëndë po kryhet nga gjithnjë e më shumë të rinj. "Ky zhvillim është tejet shqetësues", sipas Thornberg. Ka madje minorenë, "që marrin kontakt me rrjete të tilla për të vrarë."

Shpërthim në Linköpung, Suedi  - pallati i shkatërruar pas shpërthimit
Shpërthim në Linköpung, Suedi Fotografi: Stefan Jerrevång/TT/picture alliance/dpa

Mbështetje nga ushtria

Pas valës së re të dhunës që ka shpërthyer mes bandave qëndron një rrjet kriminal me emrin Foxtrott. Qindra persona janë të rrezikuar, sipas policisë suedeze, e efektivët e policisë nuk mund të jenë gjithkund. Tani do të ndihmojë ushtria. "Do të bëhet fjalë për të ndihmuar policinë me personel dhe pajisje, specialistë dhe kapacitete analize", është shprehur ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer. Ushtria do të ndihmojë "që bandat kriminale të shenjohen, të dihet si të veprohet me materiale shpërthyese, tek hetimet teknike apo ofrimi i helikopterëve. Se si do të organizohet kjo ndihmë varet nga nevojat e policisë suedeze.

Problemi nuk është i ri

Prej kohësh Suedia lufton kundër kriminalitetit të bandave. Shpesh policia dhe qeveria duken të pafuqishme. Në të gjithë Suedinë llogariten deri në 30.000 anëtarë bandash, sipas të dhënave, në një vend me rreth 10 milionë banorë. Jo të gjitha rastet zbardhen.

Polici pas një shpërthimi në 28 shtator në Upsala komunikon me radiomarrëse
Shpërthim në Upsala, 28 shtatorFotografi: ANDERS WIKLUND/TT NEWS AGENCY/AFP via Getty Images)

Ish drejtuesja e policisë për provincën Gotland, Carin Götblad, që para 13 vjetësh kishte paralajmëruar, se të rinjtë po tërhiqen nga bandat kriminale. Atë kohë Suedia mund ta parandalonte këtë, thotë Götblad. "Kjo nuk është e habitshme tani. Ka pasur shumë faktorë rreziku, ku mund të kishte pasur më shumë vëmendje dhe të kishim reaguar", kritikon ajo. "Kjo nuk ka ndodhur në mënyrë të mjaftueshme." Kurse kreu i Policisë Suedeue, Thornberg nuk e shikon përgjegjësinë vetëm tek policia. "Ajo që nuk rritet me të njëjtim ritëm si kriminaliteti janë mjetet për shkollat, kopshtet dhe shërbimet sociale", ka kritikuar ai në një intervistë të mëparshme për ARD. "Njerëzit e mi aty në terren shkruajnë qindra njoftime përditë tek autoritetet sociale për të rinj, që nuk i kanë punët mirë. Për ata, ku ne e dimë, që këta minorenë do të bëhen kriminelë, nëse nuk ndërhyn kush", u shpreh atëherë Thornberg, duke theksuar, se "e gjithë shoqëria duhet të ndihmojë."

Qeveria konservatore i ka shpallur luftë kriminalitetit të bandave, por deri tani ajo nuk mundur ta ndalte dhunën. Kryeministri suedez, Ulf Kristersson në një fjalim të fundit drejtuar kombit u betua se "ne do t'i ndjekim bandat dhe ne do të fitojmë mbi bandat".

la/ag