240611 EU-Gipfel Abschluss
25 Qershor 2011Kriza politike në botën arabe ishte një nga temat sunduese në punimet e samitit të premten. Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane u shprehën për dënimin e Sirisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. BE dënon në mënyrën më të ashpër shtypjen e vazhdueshme të popullsisë, si edhe dhunën e papranueshme dhe shokuese, me të cilën regjimi sirian vepron kundër popullit të tij.
BE ashpërson masat kundër Sirisë, vazhdon angazhimi ushtarak në Libi
Në të njëjtën kohë, BE ashpërsoi sanksionet kundër Sirisë: Tanimë u zgjerua ndalimi i hyrjes në Evropë për 30 persona, jo më për 23 vetë si më parë, në të njëjtën kohë BE vendosi për ngrirje të pasurisë. Nga këto masa preken edhe tre komandantë të gardave të revoluciit iranian. Ata kanë trajnuar forcat siriane të sigurisë për shtypjen brutale të opozitës.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy u prononcua edhe për gjendjen në Libi: "Përsa i përket Libisë, ne do të vazhdojmë të mbajmë trysninë ushtarake, përsa kohë Gaddafi është në pushtet. Në të njëjtën kohë së bashku me partnerët ndërkombëtarë ne po përgatisim tranzicionin demokratik."
Marrëveshja Shengen cënohet, por vetëm në mënyrë të kufizuar
Një nga pasojat e transformimeve politike në Afrikën e Veriut dhe në botën arabe është fluksi i shtuar i refugjatëve në BE. Edhe për këtë çështje samiti i BE-së dha një përgjigje të premten. Nga njëra anë ata theksuan rëndësië e perspektivës për të rinjtë në këto vende. Nga ana tjetër, Van Rompuy deklaroi se në kushte të caktuara, shtetet e BE-së do të rivendosin kontrollet e brendshme kufitare. Këto kontrolle të kufizuara në kohë dhe në vende të caktuara duhet të bëhen vetëm kur shtetit të prekur nuk i ka mbetur asnjë mundësi tjetër për të kontrolluar pjesë të kufijve të tij të jashtëm, kështu u shprehën krerët evropianë.
Presidenti francez, Nicolas Sarkozy deklaroi: "Unë e shoh marrëveshjen e Shengenit si shumë të rëndësishme. Por kam bërë të qartë, se po qe se ajo nuk reformohet, ka rrezik që të bëhet e pavlefshme."
Liria e lëvizjes dhe udhëtimit është njëra nga të arritjet më të rëndësishme të BE-së, prandaj ajo nuk duhet të kufizohet, tha presindenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Mario Draghi dhe italiani tjetër: Franca ankohet në samit
Një nga pikat e samitit që konsiderohej e mbyllur shkaktoi debat në minutën e fundit. Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve evropiane, konfirmuan Mario Draghin si drejtorin e ri të Bankës Qendrore Evropiane, por vetëm pasi italiani tjetër, Lorenzo Bini Smgahi hoqi dorë nga posti i tij në drejtimin e BQE. Franca u ankua që pas largimit të Jean-Claude Trichet nuk ishte më e përfaqësuar në drejtimin e Bankës Qendrore Evropiane. Kancelarja Merkel e përshëndeti këtë vendim. Merkel theksoi se vendimet financiare dhe ato për politikën ekonomike që u morën në samit janë shumë të rëndësishme për Evropën.
Kroacia brenda BE-së
Në fund të samitit erdhi edhe një lajm tjetër i mirë. Anëtarësimi i Kroacisë në BE, si anëtari i 28-të i saj. Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso: "Kroacia - ky është një vendim historik. Shpresoj që çdo gjë të vazhdojë të shkojë mirë, në mënyrë që ta përshëndesim Kroacinë si anëtarin e 28-të më 1 Korrik 2013."
Ende brenda këtij viti, do të nënshkruhet marrëveshja e pranimit. Pas ratifikimit të tij nga shtetet anëtare, nuk ka ëm asnjë pengesë për anëtarësimin e Kroacisë në 1 Korrik 2013.
Autor: Daphne Grathwohl/Lindita Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti