1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkupi i zhgënjyer nga vetoja e re bullgare

23 Qershor 2021

Reagimet në Shkup pas vetos së re bullgare, që bllokoi çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut nxjerrin në pah jo vetëm zhgënjimin, por edhe humbjen e besimit tek BE.

https://p.dw.com/p/3vQ3E
Bildergalerie Skopje
Fotografi: DW/A. Feilcke

Kryeministri Zoran Zaev ka reaguar pas vetos bullgare, e cila bllokoi sërish Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave duke theksuar, se Maqedonia e Veriut i ka përfunduar me sukses reformat që ishin përcaktuar si të detyrueshme nga BE. "Dua t'i falënderoj të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të cilat na japin mbështetje të plotë që procesi i negociatave të filloj gjatë presidencës portugeze ose edhe gjatë presidencës sllovene me BE-në”.

Megjithë zhgënjimin e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev, premtoi, se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë t'i përkrahë vlerat evropiane, të demonstroj qëndrime evropiane dhe gatishmëri politike për fqinjësi të mirë. Kemi nevojë për Ballkan të integruar në BE, për një Ballkan që jeton të tashmen dhe sendërton ardhmërinë me perspektivë, ndërsa e kaluara na tregon se ndarësit dhe përçarjet nuk na çojnë askund, tha Zaev.

Pendarovski: Vetoja detyron Shkupin për alternativa të tjera

Kritika erdhën nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cila tha se vendimmarrja me konsensus në Bashkimin Evropian është problemi kryesor për BE-në dhe se pa e ndryshuar këtë rregull, BE nuk mund të bëhet një "lojtar gjeopolitik”. "Kjo gjithashtu çon në një rritje të euroskepticizmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Maqedoni të Veriut në veçanti, por edhe në vetë BE-në, që është shkatërruese”, ka thënë Pendarovski .

Bulgarien | Treffen Zoran Zaev mit Bojko Borisov
Takimi Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, 17 qershor 2021Fotografi: Government North Macedonia

Presidenti maqedonasverior vlerësoi, se për shkak të kësaj mënyre të vendimmarrjes, dyshon se është e mundur që BE do të marrë një vendim për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut. "Pala jonë ofroi gjithçka që mund të ofronte si një gjest i vullnetit të mirë, dhe kjo nuk shkon përtej bisedimeve dhe negociatave të arsyeshme të marrëdhënieve bilaterale me Sofjen. Sigurisht, ne nuk mund të futemi në çështjen e identitetit dhe nëse dikush pret që ta bëjmë këtë pas korrikut ose gushtit,  gabohet”, thotë Pendarovski.

Stevo Pendarovski shprehet, se në kohën, kur zgjerimi i BE-së është de facto i ngrirë, vendi  ka dy mundësi, të sjellë Evropën këtu dhe, së dyti, të filloj zbatimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik të 2008-s me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga integrimi evropian, por nëse mosmarrëveshja me Bullgarinë vazhdon, Shkupi duhet të ketë një alternativë.

Dimitrov: Nëse çmimi është depersonalizimi, s'kemi nevojë për BE

Mazedonien, Skopje | Präsidenten Stevo Pendarovski (Mazedonien) und Rumen Radev (Bulgarien)
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovksi me homologun bullgar, Rumen Radev, 26 maj 2021Fotografi: Kabinett des Präsidenten von Nord-Mazedonien

Kur zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov pas mosmarrjes së datës për çeljen e negociatave u pyet, sa sa Evropian është Bashkimi Evropian ia u përgjigj, se nëse çmimi për rrugën tonë drejt BE-së është depersonalizimi, atëherë ne nuk kemi nevojë për një BE të tillë. "Me Sofjen kemi pasur bisedime të hollësishme për zhvillimin e bashkëpunimit sektorial dhe bisedime mbi procesin e punës së komisionit për çështje historike dhe arsimore. Në një farë mënyre, ai duhet të jetë një dokument dypalësh që sipas propozimit portugez do të merret në konsideratë gjatë procesit të stabilizimit dhe shoqërimit. Oferta kishte të bënte me dhënien e dritës së gjelbër tani. Sigurisht që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona, por nuk mund ta zgjidhim këtë çështje pjesërisht pasi i përshtatet njërës palë”, ka thënë Dimitrov.

VMRO-DPMNE: Qeveria është fajtore për veton

Opozita e VMRO-DPMNE thotë, se bllokimi i Bullgarisë dëshmon mashtrimin e Qeverisë se vendi do të marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. "Qeveria jonë para tre viteve manipulonte se tashmë kemi marrë datë për negociata, por duket se jemi larg nga ai vendim pozitiv. Nëse BE vazhdon të punojë në këtë mënyrë, vlerësoj se do ta humbë  kredibilitetin e saj në rajon”, ka deklaruar Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Byrnes: SHBA të dëshpëruara për bllokimin e RMV-së

Mbetëm të dëshpëruar që vendet anëtare të BE-së nuk arritën që të miratojnë kornizën negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut është shprehur ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes. SHBA-të do të jenë në këtë rrugëtim të Maqedonisë së Veriut sepse kjo është në interes të përbashkët strategjik për të dyja vëndet. Edhe pse rruga është e gjatë, Maqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë këtë rrugë, sepse ajo i takon dhe duhet të jete pjesë e familjes së Bashkimit Evropian, ka thënë ambasadorja e SHBA-ve. "Qëllimet e SHBA-ve në Ballkan mbeten të qarta dh të pandryshuara, që e ardhmja e rajonit të jetë në paqe të qëndrueshme me fqinjët, stabël dhe e integruar tërësisht në korrnizën euroatlantike”, ka deklaruar ambasadorja Byrnes.   

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut