1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Çështja e shumicës parlamentare mbetet e hapur

15 Nëntor 2021

Në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë debatet mes pozitës dhe opozitës mbi çështjen e shumicës parlamentare. Ndonëse kryeministri deklaroi dorëheqjen (13.11) paralmenti votoi pro qeverisë aktuale të drejtuar nga Zaev.

https://p.dw.com/p/4324c
Sitzung des Parlaments von Nordmazedonien zur Vertrauensabstimmung der Regierung.
Fotografi: Petr Stojanovski

Qytetarët janë lodhur nga numërimi i deputetëve, ata duan të numërojnë ligje e reforma cilësore.Me dështimin e votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë kanë filluar angazhimet për të siguruar shumicë parlamentare, thotë Radmilla Shekerinska nga LSDM.

"Qytetarët janë në pritje prej nesh që ta konfirmojmë shumicën parlamentare, që do të garantojë Kuvend funksional dhe ecuri normale të procesit të reformave. Po zhvillohen bisedime, pres që kjo të përfundojë shpejt dhe me sukses, sepse na pret punë”, deklaroi ndër të tjera Shekerinska.

LSDM  si parti maxhoritare në koalicion angazhohet për zgjerim të shumicës aktuale parlamentare me të gjithë ata deputetë që  ndajnë të njëjtat vlera. Me deputetët e Alternativës mendoj, se shumë lehtë mund të gjendemi në pikë të përbashkët, thotë  Sllavjanka Petrovska nga LSDM.

"Si parti politike serioze dhe e përkushtuar në proceset demokratike në shtet mbetemi të hapur për komunikim të mëtejshëm me të gjitha partitë politike veçanërisht me ato të cilat i ndajmë të njëjtat vlera”, thekson Petrovska

Zekirija Ibrahimi nga Alternativa vlerson se  nëse dikush dëshiron të komunikojë zyrtarisht me Alternativën, mund të drejtohen tek kryetari dhe organet partiake.

"Ne mbetemi në kampin opozitar, aty e bëjmë betejën, e për zhvillime të tjera e shohim në rrethana të tjera”, deklaron Zekirija Ibrahimi nga Alternativa.

BDI shpreson në shumicën e re parlamentare

Lidhur me zgjerimin e shumicës parlamentare Artan Grubi thotë, se BDI është në kontakt me të gjitha partitë politike, përveç partisë "E Majta”

"Unë jam i bindur që edhe shumica parlamentare do të rritet nga të gjithë deputetët, të cilët dëshirojnë ta shohin Maqedoninë e Veriut stabile, të sigurt, me marrëdhënie të mira ndëretnike, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, një anëtare të denjë të NATO-s dhe me një perspektivë evropiane. Të gjitha ato forca janë të mirëseardhura përveç partisë "Levica”, e cila nuk ka vend në këto politika”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

VMRO-DPMNE: Pushteti ka vështërsi reale për shumicë parlamentare  

VMRO-DPMNE dhe ASH opozitare u kundërpërgjigjën ashpër pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë për shumicën e re parlamentare.

"BDI dhe LSDM kanë pesë vite në pushtet dhe çdo vit po largohemi më shumë nga BE-ja. Me Artan Grubin dhe BDI-në mund të jetë vetëm deputet i rrëmbyer dhe jo të integrohet në BE. Kur Artan Grubi flet për vlerat europiane, Evropa ka dhimbje koke”, thuhet në reagimin e VMRO–DPMNE-së.

Nga Aleanca për Shqipëtarët (ASH) u bëjnë thirrje të gjithë atyre që duan ta shpëtojnë vendin nga krimi i organizuar, nga korrupsioni, nga injoranca, le t'i bashkangjiten opozitës progresive.

"Përrallat me euro-integrime të këtij regjimi të dështuar janë vetëm alibi për të shpëtuar nga drejtësia. Bashkimi Evropian nuk arrihet me Vice Zaevin, me gjykatës dhe prokurorë partiakë, me inspektorë që zhvasin bizneset dhe me deputetë të blerë e të shantazhuar”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Nord-Mazedonien Skopje | Kastriot Rexhepi
Deputeti Kastriot RexhepiFotografi: Petr Stojanovski/DW

Deputeti Kastriot Rexhepi paraqitet "live” në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes "BESA”, votimi i të cilit ishte vendimtar për mosrrëzimin e qeverisë Zaev, është prononcuar për opinionin nga mjediset e kuvendit. Ai ka thënë, se si aleat i SHBA-së, për interesat e vendit, është strehuar në ditën e votimit me qëllim që mos të lejojë që vendi të shkojë në kundërshtim me bindjet e tij dhe në kundërshtim me besimin që na kanë dhënë qytetarët.

"Jam i qetë me vetëdije të pastër dhe jam i sigurt se nuk ka vlerë më të madhe se vendin ta dërgosh në rrugën drejt BE-së. Si aleat i SHBA-së për interesat e vendit dhe popullit, me vullnetin tim u strehova në ditën e votëbesimit të qeverisë. E dija se do të kishte presion ndaj meje nëse do të isha në sallë”, deklaroi Rexhepi. Ai tha, se për vendimin e tij nuk ka qenë as i kërcënuar e as nuk ka marrë para.

"Nuk kam qenë i kidnapuar e as i shitur. Nuk duhet të më dhurohen para për në NATO dhe BE. Besoj se ditët e ardhshme do të veprojë arsyeja dhe besoj se do të ketë ura bashkpunimi për problemet e përditshme të qytetarëve, siç janë pandemia, kriza energjetike dhe sigurisht rruga për në BE”, tha Rexhepi.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut