1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Shkup: Parlamenti nis debatin për ndryshimin e Kushtetutës

18 Gusht 2023

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut nisën debatin për ndyshimin e Kushtetutës. Pjesë e ndryshimeve është përfshirja e bullgarëve dhe e pesë bashkësive të tjera etnike në hyrjen e Kushtetutës.

https://p.dw.com/p/4VKrM
Shkup: Parlamenti fillon debatin për ndryshimin e Kushtetutës
Shkup: Parlamenti fillon debatin për ndryshimin e KushtetutësFotografi: Petr Stojanovski /DW

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve duke elaboruar domosdoshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës tha se të gjithë duhet të votojnë "pro” këtyre ndryshimeve, sepse atëherë zhbllokohet procesi eurointegrues i vendit. Kovaçevski tha se rruga e RMV-së  drejt BE-së ka pasur shumë padrejtësi, por që këto ndryshime të Kushtetutës duhet të bëhen për hir të së ardhmes. Ai tha se ndryshimet kushtetuese mbështeten nga Berlini dhe Washingtoni dhe se nuk do të asimilohet askush. Kovaçevski tha se pas Maqedonisë qëndrojnë "më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski
Kryeministri Dimitar KovaçevskiFotografi: Petr Stojanovski /DW

"Duke votuar "për” do të jemi të gjithë fitues dhe me "kundër” do të jemi humbës. Sot është dita kur do të bëhet e qartë se kush dëshiron ta shohë vendin në BE dhe kush e bllokon atë. Kush do të ngrihet në këmbë që vendi të ecë përpara dhe kush do të përgjigjet me justifikime”, ka thënë kryeministri. Sipas tij qeveria ka marrë një përgjegjësi të madhe për shtyrjen përpara të procesit eurointegrues.

"Propozimi për ndryshime kushtetuese ka për qëllim hyrjen në BE. Propozimi është bazuar në propozimin e BE-së. Propozimi debatohet në Kuvendin e RMV-së, prandaj me përgjegjësi i hedh poshtë akuzat se këto ndryshime bëhen nën diktatin e dikujt. Ky është propozim maqedonas, i mbështetur nga ndërkombëtarët, në dobinë tonë, tha Kovaçevski.

Davkova: Ky pushtet nuk ka legjitimitet për ndryshimin e Kushtetutës

Ganka Siljanovska Davova nga VMRO-DPMNE opozitare tha se grupi parlamentar i kësaordj partie nuk do t'i përkrahë ndryshimet kushtetuese. Ajo që kërkohet nga ne, është në kundërshtim me vlerat evropiane, deri tani në asnjë raport të KE nuk është kërkuar nga Maqedonia futja e bullgarëve në hyrjen e Kushtetutës.

Shkup: Parlamenti nis debatin për ndryshimin e Kushtetutës
Shkup: Parlamenti nis debatin për ndryshimin e KushtetutësFotografi: Government of North Macedonia

"Nuk jemi kundër BE-së, kundër bullgarëve, por vetëm kërkojmë respektimin e marveshjeve ndërkombëtare të cilat vlejnë për të gjitha shtetet. Nuk duhet të ketë kritere dhe përjashtime të veçanta vetëm për një shtet. Ne nuk përkrahim ndryshimin e Kushtetutës nën diktat të bullgarëve, për këtë çështje duhet të vendosë populli pasi të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse ky pushtet nuk ka legjitimitet ", tha Gordana Siljanovska Davkova.

Ademi: Për qytetarët e RMV-së BE-ja është alternativë e vetme

Koordinatori i grupit parlamentarë të BDI-së, ha se subjekti i tij politik do të përkrahë pa asnjë luhatje ndryshimet e kushtetutës, sepse kjo është rruga më e sigurt për anëtarsimin e vendit në BE.

"Secili deputet duhet të tregojë guxim në interes të të gjithë qytetarëve dhe të votojë pro ndryshimeve kushtetute. Rruga nuk është e lehtë, por duhet t'ia dalim, sepse alternative tjetër përpos BE-së nuk kemi. Kompromise bëjnë shtetet e fuqishme si bëri Suedia me ndryshimin e Kushtetutës për t'u bërë anëtare e NATO-së. Ne duhet t'i ndjekim këta shembuj pozitivë”, tha Ademi.

Mexhiti: Pozita e ka të vështirë të sigurojë shumicën e votave

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, u shpreh pesimist nëse do të sigurohen votat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Mexhiti tha se "frontit evropian” i përbërë nga partitë në pushtet i mungon shumica e duhur e votave për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas tij partive në pushtet nuk u intereson ndryshimi i Kushtetutës, por mbetja në qeverisje.

Sipas Rregullores së Parlamentit, debati zgjat maksimumi dhjetë ditë pune dhe duhet të përfundojë më 31 gusht. Vendimin për ndryshimin e Kushtetutës e merr Parlamenti me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota.

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që RMV-ja të zhvillojë seancën e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në të.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut