1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Kuvendi i hap rrugën për negocitave me BE-në

16 Korrik 2022

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez duke i hapur kështu rrugën fillimit të bisedimeve për antarësimin me BE-në.

https://p.dw.com/p/4EEs6
Nordmazedonien: Rede der Präsidentin der Europäischen Kommission Ursula von der Leyen
Fotografi: Petr Stojanovski

Me 68 vota pro dhe asnjë kundër dhe pa pjesmarrjen e VMRO-DPMNE-së në sallë u miratuan konkluzionet mbi propozimin lidhur me kornizën negociuese për procesin e bisedimeve të antarësimit me BE-në. Kompromi si zgjidhje për zhbllokimin e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut u propozua nga ana e Presidencës së Francës me Këshillin e BE-së më 30 qershor 2022. Deputetët e mazhorancës miratimin e konkluzioneve e përcollën me duartrokitje.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tri ditë u debatua për këtë propozim. Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike. Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre. Deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj qeverisë për "tradhëti kombëtare”, pasi, sipas tyre, "propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”. Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten (14.07) në fjalimin para deputetëve tha, se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Konkluzionet e miratuara kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas. "Kuvendi e detyron qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t'i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Propozimi francez parashikon kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut