1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Shkup: Konstituohet parlamenti i ri me kryetar Afrim Gashin

29 Maj 2024

Pas konstituimit të Parlamentit qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

https://p.dw.com/p/4gOYK
Shkup: Konstituohet parlamenti i ri me kryetar Afrim Gashin
Shkup: Konstituohet parlamenti i ri me kryetar Afrim GashinFotografi: Petr Stojanovski

Maqedoninë e Veriut u zhvillua seanca konstituive për përbërjen e njëmbëdhjetë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare që u zhvilluan më 8 maj. Me 76 vota pro dhe 6 kundër si kryetar i Parlamentit u zgjodh deputeti nga koalicioni VLEN, Afrim Gashi.

"Si deputet i pozitës dhe opozitës në të kaluarën kam kuptuar rolin dhe përgjegjësinë e deputetit. Kjo do të më mundësojë që çdo deputeti t'i garantoj që të mos i cënohet e drejta e tij dhe në asnjë moment të mos ndjehet i diskriminuar pavarësisht përkatësisë politike” tha kryetari i ti i Parlamentit, Afrim  Gashi.

Shkup: Konstituohet parlamenti i ri
Shkup: Konstituohet parlamenti i ri Fotografi: Petr Stojanovski

Ne duhet të jemi fotografia më e mirë e shoqërisë, të hapim perspektiva të reja, të realizojmë reformat dhe ta shpiemë Maqedoninë përpara. Në këtë mënyrë ne do të mund t'i kthejmë edhe mërgimtarët në vendlindje.

E kaluara nuk mund të ndryshohet

"Ne duhet të ofrojmë zgjidhje për të ardhmen, nuk duhet të merremi me të kaluarën sepse ajo nuk mund të ndryshohet. Besoj verbërisht në lirinë e të shprehurit, ky postulat do të jetë udhërrëfyes në angazhimin tim në këtë post” tha Afrim Gashi.

Gashi ishte deri të hënën kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqjen pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit. Sipas dispozitave në fuqi kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.

Afrim Gashi ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Opozita shqiptare - Fronti Evropian nuk e votoi kryetarin e ri

Partitë që përbëjnë Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI-ja vlerësojnë se shumica e re parlamentare mes VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, nuk pasqyron realitetin etnik pasi "përfaqësues legjitim i shqiptarëve është Fronti Evropian”. Deputetët e Frontit Evropian e  braktisën seancën në momentin kur u votua për kryetarin e ri të Parlamentit.

Shkup: Konstituohet parlamenti i ri
Shkup: Konstituohet parlamenti i ri Fotografi: Petr Stojanovski

Deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri, deklaroi se është detyrim moral që Fronti Evropian të mbështesë kandidaturën e Afrim Gashit si kryetar i Kuvendit, sepse sipas tij bëhet fjalë për një kandidat shqiptar.

"Për vetë faktin që bëhet fjalë për një kandidat shqiptar, ne si Alenacë aso kohe kemi dhënë dëshmi se kemi mbështetur kandidaturën e zotit Talat Xhaferi, si kandidat për kryetar të Kuvendit, konsideroj se edhe ata e kanë për obligim moral që të japin mbështetje ndaj Afrim Gashi”, tha deputeti Rijad Shaqiri, nga koalicioni VLEN.

Deputeti Izet Mexhiti ka thënë se nga sot po fillon një kapitull të ri në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

"Klasa e vjetër politike po zëvendësohet nga gjenerata e re. Politika e arrogancës, armiqësive, injorimit të qytetarit po i hap rrugë brezit të së ardhmes, politikës së llogaridhënies, dialogut dhe respektit ndaj votuesit”, tha Mexhiti.

Apasiev: Nuk mbështesim kandidatin shqiptar për kryetar të Kuvendit

Kryetari i partisë e Majta shpalosi edhe njëherë qëndrimin e subjektit që drejton se nuk do të mbështesin kandidatin shqiptar për kryetar të Kuvendit. Ai madje i ofroi mbështetje pa kushte kreut të VMRO-DPMNE-së që "vetëm e vetëm të mos kosovarizohet sërish Parlamenti i Maqedonisë".

"Ne do të japim mbështetje që të mos jetë kryetari i ardhshëm i Kuvendit shqiptar, ja hapur i bëjmë thirrje Mickoskit që do ta mbështesim pa kushte, vetëm e vetëm që të mos kosovarizohet sërish Parlamenti i Maqedonisë”, u shpreh Dimitar Apasiev.

Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, tha se gjashtë deputetët e partisë së tij kanë votuar pro Afrim Gashit.

"ZNAM pret nga kjo përbërje parlamentare shumë. Besoj se si partner potencial në qeverisjen e ardhshme do të japim kontributin tonë me veprimin tonë politik, sepse tashmë seriozisht bisedojmë për zbatimin e një pjese të dispozitave tona programore në programin e ardhshëm qeveritar dhe përbërjes qeveritare”, tha Dimitrievski.

Sipas njoftimeve të VMRO DPMNE-së qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut