1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Tensione në kuvend, opozita kundër propozimit francez

16 Korrik 2022

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut vazhdon debati i nisur të enjten (14.07) për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

https://p.dw.com/p/4EDv0
Nordmazedonien | EU Beitrittsverhandlungen | Parlamentsdebatte
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Debati në kuvendin e Maqedonisë së Veriut për votimin e propozimit të Francës si zgjidhje e grindjes me Bullgarinë po zhvillohet  plot tension. Seanca e mbledhur që nga dita e enjte (14.07) pritet të vazhdojë edhe në fundëjavë.

Dita e parë e debatit parlamentar për propozimin evropian kaloi në atmosferë të tensionuar, me britma dhe fishkëllima. Fjalimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski u mbajt nën presionin e borive të cilat i përdorën deputetët e opozitës maqedonase. ryeministrit Kovaçevski ka thënë, se propozimi francez qartë e specifikon gjuhën maqedonase si gjuhë e vetme dhe e pranuar në BE.

"Ky është një propozim i vetëm europian, zgjidhja më e madhe për momentin, por edhe në periudhën e ardhëshme, një propozim që ruan vijat e kuqe dhe në të njëjtën kohë mundëson fillimin e negociatave. Në fund të fundit, ne kërkuam dhe morëm zgjidhjen më të mirë për këtë”, ka deklaruar Kovaçevski.

Deputetët e opozitës grisin dhe i venë flakën dokumentit

Deputetja e VMRO-DPMNE-së Dafina Stojanovska në foltore e grisi dokumentin francez dhe kërkoi nga mazhoranca të ndryshojë mendje dhe ta kthejë propozimin francez në qeveri.

"Asnjë dokument nuk do të ketë legjitimitet dhe rëndësi nëse nuk merr nënshkrimin dhe vulën më të rëndësishme, që është nënshkrimi dhe vula e popullit maqedonas”, u shpreh Stojanoska nga VMRO-DPMNE.

Edhe deputeti Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE u shpreh kumdër propozimit francez. "Mallkimi i maqedonasve është duke ndodhur, pasi në pushtet kemi kuislingë që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, vetëm që të mbeten në pushtet. Ata janë të gatshëm të shesin gjithçka që nuk është e tyre”, theksoi Kovaçki.

Kundër këtij dokumenti është ngritur në këmbë populli, intelektualët, historianët, në njëfarë mënyre kemi revolucion ndërsa mazhoranca nuk po e sheh këtë, thotë deputetja Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE.

"Asnjëherë nuk do t'ia falim këtë gabim mazhorancës, ata pavetëdije po e varrosin Maqedoninë e Veriut”, thotë Peshevska.

Për deputetët e opozitës oferta e Francës paraqet një labirint të errët nga i cili populli dhe shteti maqedonas nuk do të mund të dalë në 30 vitet e ardhëshme.

Në çdo paraqitje të deputetëve të mazhorancës në foltore, deputetët e VMRO-DPMNE-së bëjnë zhurmë me bori dhe bilbila që të mos dëgjohet fjalimi i tyre dhe mbajnë pankarta me shprehje "tradhtarë të popullit”, "gjuhë dhe identitet”, "populli thotë jo, ndërgjegjësohu”.

Shkrijelj: Opozitë frikacake dhe ksenofobe

Deputetja e pavarur Sanella Shkrijelj, u ka bërë thirrje deputetëve të pranojnë propozimin francez, ndërsa kolegët e saj nga VMRO-DPMNE të cilët me fishkëllima e sabotuan fjalimin e saj në foltore, i quajti frikacak, ksenofobë dhe kriminelë

"Kaolicion antievropian, frikacakë, ksenofobë dhe kriminelë, mund të uluritni sa të doni dhe të fishkëlleni sa të doni, do të vazhdojmë në rrugën evropiane të këtij shteti, duke mbrojtur kështu gjuhën maqedonase dhe të gjitha cilësitë e identitetit etnik maqedonas. Negociata për hyrje në BE nuk është asimilim. Asimilim është t'ua merrni të ardhmen mijëra të rinjve”, tha Shkrijelj.

Deputetët e koalicionit qeverisës u përgjigjën, se "të gjitha gënjeshtrave dhe manipulimeve” të VMRO-DPMNE-së u ka dalë boja dhe partia duhet t'u kërkojë falje qytetarëve për përhapjen e "gënjeshtrave dhe mjegullnajave”.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut