Sfidat në rrugën e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut
8 Shtator 2020Pas 29 viteve të pavarësisë, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe është në pritje të hapjes së kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Referendumi për pavarësinë atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit "A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”
Zaev: Për herë të parë e festojmë pavarësinë si vend anëtar i NATO-s
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me rastin e përvjetorit të pavarësisë ka theksuar se synimi për shtet të pavarur është ideali shekullor në historinë e shtetit. 8 Shtatori i vitit 1991 kujton ditën kur të gjithë qytetarët u bashkuan për idenë e pavarësimit dhe me këtë rast zgjodhën rrugën drejt BE dhe NATO-s. Këtë vit, si asnjëherë më parë, Maqedonia e Veriut e feston Pavarësinë si anëtarja e 30-të e NATO-s dhe si shtet që do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, u shpreh Zaev.
"Këtë vit, shteti ka më shumë miq dhe është i hapur ndaj botës. Periudha që na pret është periudhë e evropianizimit të vendit”, ka deklruar Zaevi. Sipas tij lufta për drejtësi, do të jetë angazhimi kryesor i qeverisë së re.
"Vjen koha për rend, drejtësi dhe disiplinë. Qeveria e re hyn në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë tregimi më i rëndësishëm. Ligjet janë miratuar, tani është koha për zbatim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të tyre. Kush nuk dëshiron të respektojë ligj, do të përballet me ligjin”, tha Zaevi.
Pendarovski: Sfidat kërkojnë politikanë që marrin vendime të guximshme
Ëndrra e të gjithë brezave të mëparshëm për shtet të pavarur dhe të lirë u realizua.Rruga e cila u nis që nga viti 1991 nuk është e lehtë dhe kërkon politikanë që marrin vendime në interes të qytetarëve, tha presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
"Nga atëherë kemi pasur përparime dhe ulje në luftën për vlera demokratike. Rruga që nisëm nuk është e lehtë. Ajo kërkoin politikanë të cilët marrin vendime në interes të qytetarëve, institucione transparente, dialog të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit dhe opozitës, sektor qytetar, i cili e rishqyrton punën e secilit pushtet dhe media të lira, të cila punojnë në interesin publik”, deklaroi Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.
Xhaferi: Duam një Maqedoni ekonomikisht të fuqishme dhe evropiane
Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka vlerësuar se vetëm të bashkuar vendi mund të vazhdojë të ecë drejt sfidave dhe sukseseve të reja, siç janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
"Të bashkuar, u ballafaquam me shumë sfida dhe arritëm sukses historik, e realizuam idenë e përbërjes së parë parlamentare-anëtarësimin në NATO, kështu të bashkuar vazhdojmë kah sfidat dhe sukseset e reja - anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe realizimi i vizionit të të gjithë qytetarëve në shtetin tonë. Ne nuk do të ndalim ecjen për një Maqedoni të përparuar, ekonomikisht të fuqishme, evropiane”, u shpreh kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi.