Luhanks dhe Donjeck i kërkojnë mbështetje ushtarake Putinit
24 Shkurt 2022Udhëheqësit e separatistëve në lindje të Ukrainës i kanë kërkuar presidentit rus Vladimir Putin ndihmë ushtarake. Krerët e republikave të vetëshpallura Luhansk dhe Donjeck përmes një letre drejtuar Putinit kanë kërkuar mbështetje për t'u mbrojtur nga sulmet e ushtrisë ukrainase, vuri në dukje zedhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, sikurse njofton agjencia e lajmeve Interfax në Moskë. Bazë e kësaj kërkese janë „marrëveshjet e miqësisë", që Putin dhe separatistët i kanë vendosur këtë javë.
Agjencia shtetërore Tass e publikoi këtë letër. Sipas Tass, në të thuhet, se ka tani një agresion ushtarak nga ana e forcave ukrainase, po shkatërrohet infrastruktura, ndër to shkollat dhe kopshtet e fëmijëve. "Veprimet e regjimit në Kiev dëshmojnë refuzimin për t'i dhënë fund luftës në Donbas", citon agjencia shkresën e udhëheqësve separatistë.
Ministria e Jashtme në Kiev kërkoi si rrjedhojë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork. Forumit më të fuqishëm të OKB-së i kërkohet për herë të dytë një mbledhje urgjente, postoi në twitter ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Veprimi i separatistëve pro-rusë nënkupton një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj, sipas të dhënave të veta, u përpoq (23.02) pa sukses të telefonojë me Putinin. "Ndërmora iniciativën për një bisedë telefonike me presidentin e Federatës Ruse. Rezultati: Heshtje", tha Selenskyj në një fjalim drejtuar kombit. Sipas tij ndërkohë në kufirin me Ukrainën janë mbledhur rreth 200.000 ushtarë.
Putin e pati sinjalizuar një ndërhyrje ushtarake në lindje të Ukrainës, nëse kjo do t'i kërkohej. Në këtë mënyrë për herë të parë që prej tetë vjetësh të konfliktit që po vazhdon mund të përballen ushtarët rusë me ata ukrainas.
Të hënën (22.02) kreu i Kremlinit njohu si të pavarura territoret e separatistëve në lindje të Ukrainës. Pas kësaj këshilli federativ lëshoi lejen si masë e kujdesit paraprak për angazhimin e forcave të armatosura ruse „jashtë vendit".
Perëndimi akuzon Putinin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare
BE dhe SHBA vendosën sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë. Prej javësh ka drojë, që Kremlini nën një pretekst mund të ndërhyjë me ushtarë në Ukrainë. Shërbimet sekrete mendojnë, se ushtarët rusë prej kohësh janë pozicionuar edhe në territoret e separatistëve në Luhanks e Donjeck në lindje të Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Selenskyj udhëzoi mobilizimin e rezervistëve
Në sfondin e përshkallëzimit të situatës të mërkurën (23.02) në mbarë Ukrainën u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Kjo masë u jep autoriteteve ndër të tjera kompetenca të zgjeruara për mbikqyrje dhe kontrolle.
Disa orë më parë ushtria udhëzoi mobilizimin e rreth 250.000 rezervistëve në moshën 18 deri në 60 vjeç. Ukraina ka rreth 200.000 ushtarë e këtyre u shtohen edhe rezervistët. Ushtria ruse me rreth një milionë ushtarë aktiv është më e madhe dhe gjatë viteve të fundit ajo është modernizuar dhe armatosur.
se/wa (dpa, afp, rtr)