Këshilli i Sigurisë ukrainas për gjendje të jashtëzakonshme
23 Shkurt 2022Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Ukrainës bëri thirrje të mërkurën që të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me përjashtim të rajoneve lindore të Donjeck dhe Luhansk të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, ku gjendja e jashtëzakonshme ka qenë në fuqi që nga viti 2014.
Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjaste fillimisht 30 ditë dhe do të rriste kontrollet e dokumenteve dhe automjeteve, midis të tjerash. Rekomandimi i këshillit kërkon miratim nga Parlamenti përpara se të hyjë në fuqi. Ukraina u ka rekomanduar gjithashtu shtetasve të saj që të largohen nga Rusia.
Kievi bën thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë
Më herët të mërkurën, Kievi u kërkoi vendeve perëndimore të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë, pas një sërë masash kufizuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore që synojnë ekonominë dhe rrethin e mikut të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkroi në një postim në Twitter se nevojiten më shumë sanksione "për të parandaluar Putinin të vazhdonte agresionin e tij". Kuleba shtoi: "Tani ne duhet të rrisim presionin për të ndalur Putinin. Goditni ekonominë e tij dhe miqtë e tij."
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për një sërë sanksionesh që synojnë individë dhe subjekte që "dëmtojnë integritetin e Ukrainës", tha të martën shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.
Këto sanksione përparuan një hap më afër finalizimit të mërkurën, pasi ambasadorët e BE-së miratuan paketën. Paketa e plotë e sanksioneve pritet të shpallet më vonë të mërkurën, pas miratimit përfundimtar nga ministrat e jashtëm.
Sipas Wall Street Journal, sanksionet e BE-së do të synojnë Ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Agjencinë e Kërkimeve të Internetit, një firmë trollash. Bloombergu shtoi se BE do të ndalojë gjithashtu blerjen e obligacioneve të qeverisë ruse.
Vendet perëndimore po përdorin sanksione pjesërisht në përgjigje të fjalimit të Putinit të hënën, në të cilin ai tha se Rusia kishte të drejtën të pushtonte Ukrainën si pjesë e "vazhdimësisë shpirtërore" të kombit, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare duke deklaruar "të pavarura" rajonet Donjeck dhe Luhansk në lindje.
Zelenski mobilizon rezervistët
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski nënshkroi të mërkurën një dekret për mobilizimin e rezervistëve nga mosha 18 deri në 60 vjeç, thuhet në një deklaratë të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Me afro 200.000 trupa ruse të grumbulluara në kufijtë e Ukrainës, vendet perëndimore janë gati të vendosin sanksione të reja, nëse paralajmërimet nga SHBA, Britania e Madhe dhe NATO për një pushtim të afërt rezultojnë të sakta.
Në një video deklaratë të publikuar në Ditën e Mbrojtësit të Atdheut, Putini tha se Rusia gjithmonë do t'i japë përparësi sigurisë së saj kombëtare.
"Interesat e Rusisë dhe siguria e popullit tonë janë të pakushtëzuara”, tha ai. "Ne do të vazhdojmë të forcojmë dhe modernizojmë ushtrinë dhe marinën tonë."
Markus Ziener, bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall në Berlin, tha për DW se fjalimi i Putinit në fillim të kësaj jave ishte "shumë shqetësues".
Ziener tha: "Dukej sikur ai ishte në një flluskë. Ai është në një mendësi që nuk i jep atij ndonjë hapësirë shtesë për të lëvizur."
Blinkeni anulon takimin me Lavrovin
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha të martën në mbrëmje se kishte anuluar takimin e së enjtes me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, një tjetër shenjë se një zgjidhje e menjëhershme diplomatike për tensionet në Ukrainë është gjithnjë e më e pamundur.
Duke folur në një konferencë shtypi së bashku me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, Blinkeni tha se kishte rënë dakord të takohej me Lavrovin me kusht që Rusia të mos dërgonte trupa në territorin ukrainas.
"Tani që ne shohim fillimin e pushtimit dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e plotë nga ana e saj të diplomacisë, nuk ka kuptim të vazhdohet ky takim në këtë kohë," tha Blinkeni.
Megjithatë, Blinkeni tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj diplomacisë "nëse qasja e Moskës ndryshon".
Ai shtoi se do të bënte gjithçka për të parandaluar "një skenar edhe më të keq, një sulm të gjithanshëm në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin e saj".
"Por ne nuk do të lejojmë Rusinë të pretendojë diplomaci në të njëjtën kohë kur ajo përshpejton marshimin e saj në rrugën e konfliktit dhe luftës”, tha Blinkeni.
Blinkeni dënoi fjalimin e Putinit për njohjen e dy rajoneve të shkëputura në Ukrainën lindore, duke e quajtur atë "thellësisht shqetësues" dhe duke thënë se Putini "po zhbënte më shumë se 30 vjet diplomaci të mundimshme".
Shtëpia e Bardhë tha të martën se planet për një takim midis Presidentit të SHBA Joe Biden dhe Vladimir Putin nuk ishin ende në tryezë, por shtoi:"Ne kurrë nuk do ta mbyllim plotësisht derën e diplomacisë”.
OKB-ja e quan vendosjen e trupave ruse një "perversitet të paqeruajtjes"
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e dënoi vendosjen e trupave ruse në Ukrainën lindore dhe hodhi poshtë karakterizimin nga Rusia të këtyre trupave si "paqeruajtëse".
"Kur trupat e një vendi hyjnë në territorin e një vendi tjetër pa pëlqimin e tij, ata nuk janë paqeruajtës të paanshëm, nuk janë aspak paqeruajtës," tha Antonio Guterres të martën. Ai e quajti karakterizimin e Rusisë një "perversitet të konceptit të paqeruajtjes”.
Shefi i OKB-së shtoi se bota po përballet me "krizën më të madhe globale të paqes dhe sigurisë në vite" dhe bëri thirrje për deeskalim.
Kompania amerikane Maxar, e specializuar në teknologjitë e imazhit, raportoi se imazhet satelitore të 24 orëve të fundit treguan më shumë se 100 automjete ushtarake dhe dhjetëra tenda për trupa, të vendosura në një aeroport të vogël jashtë qytetit. Mazy, në jug të Bjellorusisë, afër kufiri me Ukrainën.
ar, sdi/sms (AP, AFP, dpa, Reuters)