1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz siguron se qeveria e re është gati të veprojë

1 Dhjetor 2021

Një ndërrim i qeverisë në mes të pandemisë përbën një sfidë për liderët politikë. Pas diskutimeve midis qeverisë federale dhe landeve, zëvendëskancelari në detyrë Scholz ripohon, se "udhëheqja është e pranishme".

https://p.dw.com/p/43gHb
Bundestag - Olaf Scholz
Fotografi: Markus Schreiber/AP/picture alliance

Pavarësisht nga ndryshimi i qeverisë, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Olaf Scholz beson se liderët janë të përgatitur mirë për t'u marrë me pandeminë e koronas. Pas diskutimeve të pasditës mes federatës dhe landeve, Scholz deklaroi në televizionin publik gjerman se "tani janë marrë vendimet e duhura" dhe ripohoi se "udhëheqja është e pranishme".

Misioni i qeverisë së re është i qartë: "Duhet të vaksinohemi, do të ngremë një shtab krizash për këtë qëllim dhe kemi nevojë për kufizime të reja kontakti për të vëzhguar ecurinë e infektimeve”.

Scholz hodhi poshtë si "plotësisht të pajustifikuara" kritikat se SPD ende nuk ka emëruar një Ministër federal të Shëndetësisë. Në të vërtetë, javën e ardhshme, tha ai, ne do të dimë se cilët burra dhe gra do të hyjnë në qeverinë federale për SPD dhe "qeveria do të mblidhet më pas shpejt dhe do të fillojë punën e saj".

Votim për vaksinimin me detyrim pa detyrim grupi parlamentar

Lidhur me diskutimin për një vaksinim të përgjithshëm të detyrueshëm, Scholz foli në favor të një votimi përkatës në Parlament pa disiplinën e zakonshme të grupeve parlamentare. Për çështje delikate etike është parashikuar një votim pa detyrim grupi parlamentar. Edhe çështja e vaksinimit të detyrueshëm është një çështje ndërgjegjeje, tha Scholz.

Më herët pasdite, qeveria federale dhe landet patën rënë dakord për masa të tjera shtesë për koronan në konsultime me kancelaren Angela Merkel dhe pasardhësin e saj të caktuar. Në një dokument provizor, flitet për një "akt solidariteti kombëtar”, për të siguruar uljen e numrit të infektimeve dhe lehtësimin e sistemit shëndetësor.

Vendimi do të merret të enjten

Deutschland Berlin | Sitzung Bundestag | Scholz und Merkel
Fotografi: picture alliance / photothek

Kryeministri bavarez Markus Söder dhe zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert thanë se detajet priten të miratohen në një hap tjetër në konferencën e kryeministrave të së enjtes. Pastaj zbatimi do të bëhet në rregulloret e landeve.

Sipas dokumentit të përkohshëm, planet e federatës dhe landeve janë që të nisin një ofensivë të re vaksinimi deri në Krishtlindje. Deri atëherë nevojiten deri 30 milionë vaksinime shtesë në formën e përforcuesve, vaksinave të para dhe të dyta. Një shtab krize federatë-lande është krijuar për këtë qëllim dhe do të fillojë menjëherë punën. Ai do të trajtojë çdo problem që mund të lindë, për shembull me logjistikën dhe dërgesat e vaksinave. Gjenerali i ushtrisë gjermane, Bundeswehr, Carsten Breuer do të drejtojë këtë njësi të krizës, siç ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë Seibert.

Zgjerim i rrethit të personave të autorizuar për të vaksinuar

Për të zbatuar fushatën e vaksinimit duhet të zgjerohet rrethi i personave të autorizuar për të kryer vaksinimin, për shembull me farmacistët dhe personelin infermieror. Meqenëse mbrojtja e vaksinave bie ndjeshëm me kalimin e kohës, statusi i imunizimit duhet të humbasë njohjen e tij si "i plotë" pas gjashtë muajsh, thuhet më tej në deklaratë.

Për më tepër, shteti federal dhe Landet po shqyrtojnë me sa duket një rregull 2G mbarëkombëtar për tregtinë me pakicë. Sipas këtij rregulli, vetëm personat e vaksinuar dhe të shëruar do të lejoheshin të hyjnë në dyqane. Dyqanet e konsumit të përditshëm nuk do të preken.

Pressekonferenz nach Ampel-Sondierungsgesprächen
Fotografi: Markus Schreiber/AP/picture alliance

Kufizime të rrepta të kontaktit për personat e pavaksinuar

Federata dhe landet parashikojnë gjithashtu kufizime të rrepta të kontakteve për personat e pavaksinuar. Takimet private në vende publike ose private ku marrin pjesë njerëz të pavaksinuar dhe të pashëruar duhet të kufizohen në shtëpinë e tyre dhe jo më shumë se dy persona nga një familje tjetër. Fëmijët nën 14 vjeç nuk do të preken.

Në zonat ku incidenca ose shkalla e shtrimit në spital është e lartë, klubet, diskotekat dhe objekte të tjera të ngjashme do të mbyllen.

"Stadiumet plot të futbollit nuk janë të pranueshme”

Në përgjithësi, aktivitetet e mëdha duhet të kufizohen qartë. Stadiumet plot të futbollit, si ato të fundjavës së kaluar, janë "të papranueshme", u tha. Përveç rregullit 2G, është i mundur një rregull 2GPlus, pra një test aktual shtesë për koronan.

Për shkollat, dokumenti provizor parashikon gjithashtu një detyrim të përgjithshëm për të mbajtur maskë për të gjitha klasat.

Kryeministri i Baden-Württemberg-ut, Winfried Kretschmann (Të Gjelbrit), bëri thirrje që të rishpallet situata epidemike me rëndësi kombëtare. "Pa këtë vendim kemi asimetri në masat e koronës”, tha Kretschmann-i. Sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Infektimet, landet federale lejohen të mbyllin objektet kulturore, por jo dyqanet apo panairet. "Nëse mbyllim teatrot, por duhet t'i lëmë të hapura bordellot, mund ta përfytyroni diskutimin", tha Kretschmann-i.

 

 

aud (tgsch, br)