Scholz kërkon partnerë energjie në vendet e Gjirit
24 Shtator 2022Kancelari gjerman Olaf Scholz ndodhet të shtunën dhe të dielën për një vizitë dyditore në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar. Scholz shoqërohet në këtë udhëtim nga një delegacion i madh biznesmenësh, Të tre vendet janë eksportues shumë të rëndësishëm të naftës dhe gazit. Qeveria gjermane shpreson që gjatë vizitës të nënshkruhen kontrata konkrete në bashkëpunimi, thanë të premten qarqe qeveritare në Berlin.
"Takim me partnerë të vështirë"
Vizita e Scholzit në tre vendet e gadishullit arabik do të kërkojë shumë ndjeshmëri diplomatike, për shkak se mes Gjermanisë dhe këtyre vendeve ka mospërputhje të mëdha për të drejtat e njeriut. "Kancelari do të takojë partnerë të vështirë gjatë këtij udhëtimi," u bë e ditur nga zyra e kancelarit në prag të nisjes.
Një nga bashkëbiseduesit më të vështirë konsiderohet Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed Bin Salman. 36-vjeçari është kreu faktik i monarkisë arabe. Sipas shërbimit të fshehtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai ka lejuar vrasjen e gazetarit të "Washington Post" Jamal Khashoggi. Vrasja e bujshme ndodhi në nëntor 2018 në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
"Scholz të pozicionohet qartë"
Princi i kurorës e ka përgënjeshtruar këtë lajm. Por vrasja e gazetarit asokohe çoi në një izolim ndërkombëtar të Arabisë Saudite dhe si pasojë edhe në një krizë të marrëdhënieve gjermano-saudite. Por që nga fillimi i Luftës së Rusisë në Ukrainë krerët e shteteve perëndimore filluan ta thyejnë akullin dhe të afrohen me Arabinë Saudite. Edhe presidenti amerikan Joe Biden u detyrua t'i shtrinte dorën princit saudit.
Në Gjermani pritet së paku që kancelari të mos heshtë për këtë çështje por edhe për çështje të tjera, si pjesëmarrja e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit. Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Bundestag, Renata Alt, ka kërkuar nga kancelari që të pozicionohet qartë. Lufta në Jemen ka shkaktuar një nga krizat më të mëdha humanitare në të gjithë botën, tha Alt. Ajo kërkoi nga Scholz që ai të angazhohet për zgjatjen e armëpushimit, i cili skadon më 2 tetor. "Sado i rëndësishëm që mund të jetë furnizimi me energji elektrike, aq i rëndësishëm është edhe respektimi i të drejtave të njeriut në të gjithë botën," u shpreh politikania liberale të premten në Berlin.
Scholz do të vazhdojë të dielën udhëtimin në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.