1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëIzrael

Scholz: "Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani"

19 Tetor 2023

Në një deklaratë qeveritare në Bundestag, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur se do të veprohet ashpër kundër antisemitizmit në Gjermani dhe glorifikimit të dhunës.

https://p.dw.com/p/4Xk3s
Olaf Scholz në Bundestag
Fotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur se do të ketë veprime energjike dhe konsekuente të autoriteteve gjermane kundër antisemitizmit dhe glorifikimit të dhunës. Autoritetet nuk duhet të lejojnë demonstrata, në të cilat bërtiten parulla antisemitiste dhe bëhet thirrje për dhunë, tha kancelari Scholz në një deklaratë qeveritare në Bundestag. "Këtu kërkohet një qëndrim i qartë dhe ne e tregojmë këtë së bashku në Gjermani", tha Scholz. "Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani." Do të bëjmë gjithçka që të ngrihemi kundër tij, siguroi Scholz. Kjo vlen si për qytetaret e qytetarët, ashtu si edhe për ata me përgjegjësi politike. Bëhet fjalë që të respektohen ligjet dhe rregullat.

Olaf Scholz duke folur në Bundestag
Fotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Scholz: Hamas të lirojë pengjet gjermane

Kancelari gjerman është shprehur edhe për qytetarët gjermanë të marrë peng nga organizata terroriste e Hamasit në Izrael dhe janë dërguar në Rripin e Gazës. Ai kërkoi edhe njëherë lirimin e menjëhershëm të tyre. Mesazhi ndaj Hamasit është i qartë. "Ata duhet të lirohen pa kushte ." Në plenumin e Bundestagut qëndronin të ulur të afërm të pengjeve.

Të mërkurën në mbrëmje në Berlin-Neukölln pati përplasje të dhunshme me policinë, pasi demonstruesit injoruan ndalimin e një mitingu pro-palestinez. Sipas të dhënave të policisë kundër forcave të tyre janë hedhur shishe dhe gurë si edhe mjete proteknike. Po natën e së mërkurës dy të panjohur kanë hedhur molotov në drejtim të sinagogës Kahal Adas Jisroel në Berlin. Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani bëri fjalë për një "atentat terrorist", aty krahas sinagogës gjendet edhe një kopsht fëmijësh dhe shkollë hebreje. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të enjten, se ka filluar hetimet për përpjekjen për atentat ndaj sinagogës në Berlin. Autoritetet e argumentuan këtë me tensionimin e gjendjes së sigurisë për shkak të protestave propalestineze në kuadër të luftës mes Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit.

Joe Biden dhe kryeministri izraelit, Netanjahu para flamujve të vendeve të tyre -Biden vendos dorën mbi supin e Netanjahut
Joe Biden dhe kryeministri izraelit, NetanjahuFotografi: Avi Ohayon/Israel GpoI/Zuma/MAGO

Egjipti vendos të hapë kalimin kufitar me Rripin e Gazës

Ndërkohë Egjipti është treguar i gatshëm të lejojë kamionët me ndihma humanitare në Rripin e Gazës. "Për fillimin", kreu i shtetit egjiptian, Abdel Fatah al-Sisi ka premtuar në një telefonatë me presidentin amerikan, Joe Biden do të lejohen 20 kamionë me ndihma që të kalojnë pikën kufitare në Rafah. Më pas mund të pasojnë furnizime të tjera me ndihma. Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara do të merren me shpërndarjen e ndihmave. Presidenti amerikan, Joe Biden ka theksuar, se nëse organizata terroriste Hamas do të konfiskojë ndihmat, atëherë "ato do të ndalen".

la/ag