Biden: Thirrje Izraelit që të tregohet i përmbajtur
19 Tetor 2023Edhe pse gjatë vizitës së tij në Tel Aviv presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u shpreh gjerësisht për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe gjithashtu pranoi me kujdes versionin e Izraelit lidhur me shpërthimin të martën në mbrëmje (17.10) në një spital të qytetit të Gazës, ai kërkoi gjithashtu që Izraeli të jetë mjaft i përmbajtur.
Presidenti Biden foli për "tërbimin" e SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe tregoi se si qeveria amerikane kishte "bërë gabime" në reagimin ndaj tyre.
"Ju jeni një shtet hebre, por ju jeni gjithashtu një demokraci," tha Biden pas bisedimeve me udhëheqësit izraelitë. "Ashtu si Shtetet e Bashkuara, ju nuk jetoni sipas rregullave të terroristëve. Ju jetoni sipas sundimit të ligjit. Ju nuk mund të hiqni dorë nga ajo që ju bën ata që jeni."
Presidenti Biden njoftoi gjatë vizitës në Tel Aviv edhe se do t'i kërkojë Kongresit "këtë javë" ndihmë ushtarake gjithëpërfshirëse për Izraelin.
Ndihma të kufizuara humanitare për Gazën
Presidenti Joe Biden tha se shumica e palestinezëve nuk janë të lidhur me Hamasin. "Populli palestinez po vuan gjithashtu shumë."
Zyra e kryeministrit, Benjamin Netanyahu njoftoi pas takimeve me presidentin Biden, se Izraeli do të lejojë kalimin e ndihmave të kufizuara humanitare për në Gazë përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin.
Vendimi u mor pas kërkesës së presidentit amerikan, Joe Biden, tha zyra e Netanyahut.
Pika kufitare në Rafah është e vetmja pikë kalimi nga Gaza që nuk kalon përmes Izraelit, po ajo ka vetëm një kapacitet të kufizuar.