1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i Berlinit, arritjet dhe sfidat

4 Nëntor 2022

Nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz, Procesi i Berlinit mori një impuls të ri. Suksesi i tij do të varet edhe nga ecuria e dialogut Serbi-Kosovë.

https://p.dw.com/p/4J3KC
Deutschland Diplomatie l West-Balkangipfel in Berlin l PK mit von der Leyen, Scholz und Rama
Fotografi: Jens Schlueter/AFP

Vendet e Ballkanit Perëndimor bënë një hap përpara në Procesin e Berlinit. Me tri marrëveshje të reja për lëvizshmërinë, një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e energjisë, mjedisit, klimës dhe sigurisë, ato dëshmuan se janë në gjendje të bashkëpunojnë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili ishte për herë të parë organizatori i Samitit të Procesit të Berlinit, i përgëzoi të gjashtë kryeministrat e pranishëm, sidomos për nënshkrimin e marrëveshjeve të lëvizshmërisë.

“Ky është një sukses i madh për të gjithë qytetaret dhe qytetarët e rajonit. Dhe dëshmon se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë përpjekje serioze për të lëvizur drejt BE-së edhe në aspektin e bashkëpunimit rajonal”, tha ai në përfundim të samitit në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten, (3.11.) në Berlin.

“Negociata të vështira”

Negociatat për marrëveshjet kanë zgjatur dy vjet, për shkak të çështjeve ende të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë. Në fund të takimit, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe  kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e cila kryesonte delegacionin e vendit të saj, në prononcimet për mediat e vendeve të tyre, u shprehën pozitivisht dhe i quajtën marrëveshjet sukses. Brnabiq megjithatë nuk  harroi të kujtonte se negociatat me Prishtinën kishin qenë të vështira. Si Kurti, ashtu edhe Brnabiq thanë se marrëveshjet nuk e cenojnë shtetësinë e secilit vend.

Deutschland Diplomatie l West-Balkangipfel in Berlin l Abkommen für mehr Kooperation
Fotografi: Government of North Macedonia

Siç mësoi DW nga qarqe të ndryshme diplomatike në dokumente është arritur të gjendet një emërues i përbashkët me të cilin mund të jetojnë si Kosova, ashtu edhe Serbia. Kështu për shembull, për të shmangur përdorimin “shtetas”, është përdorur termi “persona fizikë”. Po ashtu në fund të dokumenteve, secili nga kryeministrat ka nënshkruar me emrin dhe titullin zyrtar, pa u përcaktuar se cilit vend i takon.

Scholz shprehet për planin gjermano-francez

Pas heqjes së tarifave roaming në rajon dhe hapjen e të ashtuquajturave green lanes, që lejonin furnizimin e shpejtë dhe me mallra dhe medikamente gjatë pandemisë, nënshkrimi i marrëveshjeve ishte suksesi i tretë i kapshëm në bashkëpunimin rajonal, që kur u krijua Procesi i Berlinit në vitin 2014. Edhe pse, sipas disa pjesëmarrësve, në samit u theksuan më shumë sukseset se sa problemet, çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, për Gjermaninë dhe vendet e tjera është e qartë se pa normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë përparim në krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, që është një nga qëllimet kryesore të Procesit të Berlinit. 

Deutschland Diplomatie l West-Balkangipfel in Berlin l Familienfoto Gruppenfoto
Fotografi: Jens Schlueter/AFP

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ai vetë, Franca dhe Komisioni i BE-së, po angazhohen fuqimisht që ky problem të zgjidhet sa më parë: “Jemi duke zhvilluar bisedime me dy vendet dhe shpresojmë që shumë shpejt të nisë një proces, ku të dyja qeveritë të lëvizin dhe të arrijnë një marrëveshje”. Scholz tha se është diçka që duhet marrë me shumë “durim, por edhe me forcë të madhe”, duke iu përgjigjur kështu pyetjes së DW se kur mund të pritet një marrëveshje sipas propozimit franko-gjerman. Scholz  u shpreh kështu për herë të parë publikisht për propozimin gjermano-francez, edhe pse nuk hyri në detaje.

Von der Leyen dhe Rama pro propozimit

Prononcimet e mëpasshme të presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi  Rama,  lanë të kuptohej se drafti i këtij propozimi është biseduar edhe me Brukselin dhe vendet e tjera të rajonit. Von der Leyen tha se “Komisioni e mbështet tërësisht këtë propozim dhe se ai tashmë është integruar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”. Ajo u bëri thirrje të dyja palëve “që të bëjnë progres në këtë drejtim, sepse është një urë që po ndërtohet jo vetëm për të zgjidhur një problem të zgjidhshëm,  por edhe për të përshpejtuar anëtarësimin e rajonit në BE.”

Deutschland Diplomatie l West-Balkangipfel in Berlin l PK mit von der Leyen und Scholz
Fotografi: Jens Schlueter/AFP

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti planin e ri gjermano-francez, që i është ofruar Serbisë dhe Kosovës “një mundësi të madhe jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin, për Evropën”. Rama gjithashtu tha se shpreson që të dyja palët “do ta marrin shumë seriozisht dhe do ta kuptojnë se është koha që të japin një kontribut të rëndësishëm për të gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë”.

Në një takim për mediat gjermane në prag të Samitit të Berlinit, një zyrtar i lartë pranë Kancelarisë gjermane kishte thënë se propozimi është koordinuar edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shoqëria civile kërkon datë për zgjerimin

Ndryshe nga tre samitet e kaluara, ku sundonte më shumë atmosfera e grindjes dhe moskuptimit mes vendeve në rajon, samiti i sivjetshëm rrezatoi më shumë optimizëm për të ardhmen. Në dy forumet  shoqëruese të Samitit, atë të Shoqërisë Civile dhe Instituteve Politike dhe të Bashkëpunimit Rinor Rajonal, tonet ishin më pak optimiste.

Simonida Kaçarska, nga Instituti për Politikat Europiane në Shkup, për shembull, e cila prezantoi konkluzionet e instituteve politike në forumin e organizuar nga Instituti Aspen dhe Shoqata e Evropës Juglindore, tha se zgjerimi është i ngadalshëm dhe se nevojitet një datë orientuese për anëtarësimin e vendeve kandidate. Sipas saj caktimi i një date anëtarësimi, si orientim, do t’i jepte më shumë dinamikë procesit.

Von der Leyen: Ndjej erë ndryshimesh

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se “ai vetë është për një anëtarësim sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Askush nuk e kishte paramenduar në vitin në Selanik se do të zgjaste kaq shumë, prandaj tani nevojitet më shumë shpejtësi.”

Por Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha se shpejtësinë e përcaktojnë progreset që bën secili vend: Procesi i anëtarësimit është plotësisht i bazuar në merita, kështu që nuk ka një afat kohor të ngurtë dhe kjo është mirë. Sa më mirë të performojë një vend me reformat, aq më i shpejtë do të jetë procesi.” Por u shpreh optimiste: “Në këtë moment po ndjejmë një erë ndryshimi që po fryn nëpër Evropë për shkak të situatës gjeopolitike”.

Miliarda euro për transformimin energjetik

Por si nga BE-ja ashtu edhe nga vendet e rajonit kërkohet progres. Scholz përmendi fushën e së drejtës dhe atë të mjedisit. Gjermania, tha Scholz, është e gatshme të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për të kapërcyer krizën aktuale energjetike gjatë dimrit, por edhe për transformimin e sektorit të energjisë. “Në planin afatshkurtër ndërmjet gatishmërisë për të dhënë kredi nëpërmjet Agjencisë Financiare Gjermane për Rindërtim (kfW) me deri në 500 milionë euro për të përballuar krizën akute të energjisë dhe, në planin afatmesëm, deri në vitin 2030, me grante deri në 1 miliardë euro për të mbështetur transformimin e sektorit energjetik".

Deutschland Diplomatie l West-Balkangipfel in Berlin l PK Scholz
Fotografi: Jens Schlueter/AFP

Edhe von der Leyen premtoi grante prej 1 miliardë euro që do t’u dhurohen vendeve të Ballkanit Perëndimor në dy pjesë. Shuma e parë prej 500 milionë euro do të jepet që në janar për të kapërcyer krizën energjetike dhe pjesa tjetër deri në vitin 2030 gjithashtu për të transformuar sektorin energjetik.

Shqipëria mikpritëse e samitit 2023

Samiti i sivjetshëm i Procesit të Berlinit, u zhvillua për herë të tretë në Berlin, dhe duket se ia arriti qëllimit që i kishte vënë kancelari Olaf Scholz: Që t’i jepte një impuls të ri platformës së afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, të iniciuar në vitin 2014, nga ish-kancelarja Angela Merkel. Scholz, tha se do të vazhdojë ta koordinojë nga afër këtë nismë dhe se ai mund të jetë sërish mikpritës i këtij takimi. Por për vitin e ardhshëm ia ka lënë stafetën kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili pas samitit të Ballkanit Perëndimor me Këshillin e BE-së më 6 dhjetor 2022, në vitin 2023 do të jetë mikpritësi i radhës i Samitit të Procesit të Berlinit.