Habeck: Djegia e flamurit izraelit në Gjermani është krim
3 Nëntor 2023Videoja që ministri gjerman i ekonomisë dhe zëvendëskancelari Robert Habeck (Të Gjelbrit) publikoi në platforma të ndryshme të mediave sociale mbrëmjen e së mërkurës zgjat afro dhjetë minuta. Dhe ndoshta mund të ishte transmetuar siç është në televizionin kryesor. Sepse është një fjalim drejtuar popullit, kombit. Bëhet fjalë për Gjermaninë, Izraelin dhe antisemitizmin që është shfaqur gjithnjë e më shumë në vendin tonë që nga sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe reagimi ushtarak i Izraelit ndaj atij sulmi.
Deklarata e Habeckut është e qartë: "Antisemitizmi nuk duhet të tolerohet në asnjë formë - në asnjë rrethanë".
Antisemitizmi "islamist” dhe "i konsoliduar” në Gjermani
Habeck tha: "Shkalla e protestave islamike në Berlin dhe qytete të tjera në Gjermani është e papranueshme dhe kërkon një përgjigje të fortë politike". Në të njëjtën kohë, shoqatat myslimane duhet të distancohen edhe më qartë dhe në numër më të madh nga aktet e Hamasit dhe antisemitizmit: "Disa janë distancuar qartë nga aktet e Hamasit dhe antisemitizmit dhe kanë kërkuar dialog. Por jo të gjithë, disa janë shumë hezitues dhe, për mendimin tim, shumë pak në përgjithësi.” Hamasi nuk e njeh shtetin e Izraelit dhe, sipas fjalëve të veta, dëshiron ta shkatërrojë. Gjermania, Bashkimi Evropian, SHBA dhe disa vende arabe e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.
Në video, Robert Habeck nuk flet vetëm për myslimanët që jetojnë këtu. Ai dënon gjithashtu antisemitizmin e "konsoliduar" në Gjermani - veçanërisht në të djathtën ekstreme dhe në të majtën ekstreme të spektrit politik. Pa i emërtuar në mënyrë eksplicite, ai vë gishtin, ndër të tjera, mbi partinë populiste të krahut të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) për armiqësi ndaj hebrenjve kur deklaron: "Ekstremistët e djathtë po vetëpërmbahen edhepër arsye taktike, në mënyrë që të mund të sulmojnë muslimanët". Në disa pjesë të së majtës, nga ana tjetër, përzihen antikolonializmi dhe antisemitizmi. Çështja këtu është të "rishqyrtojmë argumentin dhe të jemi të kujdesshëm ndaj narrativës së madhe të rezistencës"."Hamasi është një grup terrorist vrasës që lufton për zhdukjen e shtetit të Izraelit dhe vdekjen e të gjithë hebrenjve", tha Habeck-u.
"Kauza shtetërore" nuk ka qenë kurrë formulë boshe"
Termi "kauzë shtetërore” zë një vend të madh në video. Habeck pohon se deklarata se siguria e Izraelit është kauzë shtetërore për Gjermaninë nuk ka qenë kurrë një formulë boshe dhe nuk duhet të bëhet e tillë: "Kjo marrëdhënie e veçantë me Izraelin lind nga përgjegjësia jonë historike: është brezi i gjyshërve të miqë donin të shkatërronin jetën e hebrenjve në Gjermani dhe Evropë”.
Prandaj, Gjermania është e detyruar të ndihmojë në përmbushjen e premtimit të mbrojtjes që shoqëroi krijimin e shtetit të Izraelit. Ajo gjithashtu nënkupton që hebrenjtë mund të jetojnë të "lirë dhe të sigurt" në Gjermani, por frika është kthyer,aq sa ata detyrohen të mos e shfaqin hapur besimin e tyre.
Një vizitë në komunitetin hebre të Frankfurtit
Habecku më pas rrëfen disa takime që me sa duket frymëzuan videon, si ajo me komunitetin hebre në Frankfurt mbi Main: "Gjatë një bisede intensive dhe të dhimbshme, përfaqësuesit e komunitetit më thanë se fëmijët e tyre kishin frikë të shkonin në shkollë, se ata nuk shkonin më nëpër klubet sportive, që me këshillën e prindërve e linin zinxhirin me Yllin e Davidit në shtëpi. Sot këtu, në Gjermani. Afro 80 vjet pas Holokaustit. Për Habeckun, kjo situatë është e padurueshme.
Antisemitizmi shfaqet përmes kërcënimeve dhe sulmeve, por edhe gjatë demonstratave. Ndryshe nga sa pretendojnë disa, këto nuk janë të ndaluara në Gjermani, sipas Habeck-ut. Por liria e shprehjes ka kufijtë e saj: "Djegia e flamujve izraelitë është një krim, siç është edhe promovimi i terrorit të Hamasit. Kushdo që është gjerman do të duhet të përgjigjet në gjykatë, kushdo që nuk është gjerman rrezikon përveç humbjes së statusit të rezidentit. Kushdo, i cili ende nuk ka një leje qëndrimi jep një arsye për t'u dëbuar. Fjalë të qarta të zëvendëskancelarit, me të cilat mund të përplasej fare mirë me kampin e tij.
Ndaj antisemitizmit duhet qëndrim i ashpër
Sipas tij, ndjeshmëria e madhe që mbretëron zakonishtnë shoqërinë gjermane për temën e ekstremizmit të djathtë dhe ksenofobisë, mungon për Habekun kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të bashkëqytetarëve të tij hebrenj. "Ndërsa ka shpejt valë të mëdha solidariteti, për shembull kur ka sulme raciste, solidariteti me Izraelin bëhet shpejt i brishtë."
Habecku sugjeron se vënia në perspektivë e kontekstit historik bashkëkohor të Lindjes së Mesme kthehet shpejt në relativizim të padrejtë: "Ne sigurisht që shpesh kemi shumë indinjatë në kulturën tonë të debatit. Por këtu, ne kurrë nuk do të indinjojmë aq sa duhet. Tani kemi nevojë për qartësi, jo paqartësi. Hamasi është "një grup terrorist vrasës" që gjithashtu kundërshton pajtimin e të dy palëve. Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane "vazhdon t'i lërë Izraelit të kuptojë se mbrojtja e popullatës civile është thelbësore".
Lëvdim dhe miratim nga Këshilli Qendror i Hebrenjve dhe opozita
Deri të enjten pasdite, videoja që e tregonte Habeckun pothuajse si një burrë shteti, me një kostum të errët dhe kravatë, ishte parë 6.5 milionë herë. Në reagimin e parë, Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani ishte i kënaqur: presidenti i tij Josef Schuster u tha kanaleve televizive gjermane RTL dhe n-tv se videoja e Habeck-ut ishte një përjashtim në këtë formë. Dhe Schusteri e quajti fjalimin e Habeck-ut "të ekuilibruar", sepse merr parasysh edhe interesat e palestinezëve.
CDU e opozitës shprehu gjithashtu miratim, por shtoi se ishte pikërisht për këtë arsye që i takonte qeverisë federale të siguronte që të mos kishte vend për retorikë antisemite dhe antiperëndimore në xhamitë e Gjermanisë.Edhe i ngarkuari i qeverisë federale për antisemitizmin, Felix Klein, vlerësoi videon e ministrit të Ekonomisë. Ai i tha agjencisë së lajmeve dpa: "Mesazhi i fuqishëm nga zëvendëskancelari Robert Habeck është një kontribut i drejtë dhe i rëndësishëm në debatin e mbinxehur të nxitur nga informacione të rreme."
A e kërcënon Harmagedoni Lindjen e Mesme?
Fillimisht nuk ishte e qartë nëse videoja, e cila në fakt ka karakterin e një lloj fjalimi programatik nga qeveria, ishte bërë në marrëveshje me kancelarin Olaf Scholz (SPD). Por fakti që Habecku qëllimisht dëshironte të theksojë armiqësinë ndaj hebrenjve, Izraelit dhe luftës në Lindjen e Mesme u bë i qartë edhe të mërkurën në emisionin e njohur "Markus Lanz" në ZDF.
Edhe këtu Habecku paralajmëroi se konflikti në Lindjen e Mesme mund të shndërrohej nga një zjarr i përhapur në një "përvëlim global". Nëse shtetet e tjera ndërhyjnë në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit, mund të ndodhë një skenar "i ngjashëm me Harmagedonin". Në Bibël, "Harmagedoni" është vendi i betejës vendimtare të fundit të kohërave midis së mirës dhe së keqes. Vërejtje dramatike nga një politikan i Gjelbër, dukshëm shumë i shqetësuar për përkeqësimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe pasojat e saj në shoqërinë gjermane.