1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: "Mbrojtja e jetës hebreje është detyrë qytetare"

23 Tetor 2023

Mijëra njerëz në Berlin mbajtën qëndrim të qartë kundër antisemitizmit dhe shprehën solidaritetin e tyre me Izraelin. Në këtë manifestim ishte edhe presidenti Steinmeier.

https://p.dw.com/p/4Xtan
Tubimi në Berlin me pjesëmarrjen e presidentit
Tubimi në Berlin me pjesëmarrjen e presidentitFotografi: Monika Skolimowska/dpa/picture alliance

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier shprehu solidaritetin me Izraelin në një tubim të madh në Berlin dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mbrojnë jetën e hebrenjve në Gjermani.

"Kjo është detyrë e shtetit, por është edhe detyrë e qytetarëve", tha Steinmeier para mijëra pjesëmarrësve në një tubim kundër antisemitizmit dhe në shenjë solidariteti me Izraelin, të mbajtur pranë Portës së Brandenburgut. Ai kërkoi që "në të vërtetë të gjithë njerëzit në vendin tonë" ta pranojnë atë detyrë.

"Asgjë nuk është e njëjtë pas 7 tetorit," tha Steinmeier. Asnjëherë që nga Holokausti nuk janë vrarë kaq shumë hebrenj në një sulm. "Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër këtij terrori. Gjermania është e vendosur në anën e Izraelit," tha presidenti.

Ai gjithashtu kishte një mesazh për të afërmit e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi: "Ne gjermanët jemi me ju, bashkëndjejmë dhe lutemi me ju." Gjermania do të bëjë gjithçka për të liruar pengjet, tha Steinmeier dhe bëri thirrje për lirimin e njerëzve të pafajshëm.

Ndihma e njerëzve në Rripin e Gazës

Duke pasur parasysh protestat dhe veprat antisemitiste në Gjermani ditët e fundit, Steinmeier tha se "është e patolerueshme që hebrenjtë të kenë sërish frikë sot - veçanërisht në këtë vend". Është gjithashtu e patolerueshme që prindërit hebrenj të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë dhe se Memorialin e Holokaustit në Berlin duhet të mbrojë policia. "Çdo sulm i vetëm ndaj hebrenjve dhe institucioneve hebraike është një turp për Gjermaninë," tha presidenti.

Tubimi në Berlin në mbështetje të Izraelit
Tubimi në Berlin në mbështetje të IzraelitFotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance

Në të njëjtën kohë, siç theksoi ai, terrori prek edhe popullin e Rripit të Gazës, "interesat e të cilëve gjoja përfaqëson Hamasi". Janë terroristët që e futën Gazën në një luftë shkatërruese dhe korridore humanitare”, theksoi Steinmeier.

Ambasadori izraelit: Terrori mund të vijë edhe në Gjermani...

Në tubimin masiv foli edhe ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor, i cili paralajmëroi kundër përhapjes së terrorit nga Hamasi. Shpesh, thotë ai, dëgjohen paralajmërime për zjarrin e shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme. Por zjarri duhet të parandalohet edhe në Gjermani, "përndryshe terrori nga Rripi i Gazës do të arrijë në Gjermani”, tha ambasadori, duke iu referuar incidenteve dhe trazirave antisemite në Gjermani ditët e fundit.

"Këto ditë," thotë ai, "sinagogat në Gjermani janë vënë në shënjestër". Yjet e Davidit janë vizatuar në shtëpitë ku jetojnë hebrenjtë. "Nuk mund të tolerohet - zero tolerancë për çdo formë antisemitizmi," bërtiti Prosor, që u shoqërua me duartrokitje. Ai gjithashtu njoftoi: "Tani ne duhet të eliminojmë të gjithë infrastrukturën e terrorit në Rripin e Gazës, Unë vërtet nuk "dua të dëgjoj më: "Po, por”, tha ambasadori izraelit dhe shtoi: "Këtë herë duhet të shkojmë deri në fund”.

SPD dhe ekologjistët paralajmërojnë nga paragjykimi i myslimanëve

Në tubimin e madh në Berlin folën edhe politikanët gjermanë. Përfaqësuesit e Kristiandemokratëve (CDU) dhe Liberalëve (FDP) mbrojtën një kurs më të ashpër në politikën e migracionit. "Në Gjermani kemi një problem të madh me islamin politik, pjesë e të cilit është urrejtja ndaj hebrenjve”, tha sekretari i përgjithshëm i CDU-së opozitare, Carsten Linnemann.

Bijan Djir-Sarai, sekretari i përgjithshëm i FDP-së në pushtet, kishte mesazhe të ngjashme: "Ne duhet të flasim shumë më qartë për çështje të tilla si migrimi dhe deficitet në politikën e integrimit, duhet të jemi të qartë për këtë." Ai theksoi: "Duhet ta bëjmë të qartë se njerëzit që refuzojnë vlerat tona nuk kanë çfarë të kërkojnë këtu." Është e vështirë të durosh që sulmet terroriste të Hamasit radikal islamik festohen në rrugët e Berlinit, tha Djir-Sarai dhe përfundoi: "Ne nuk i duam ata njerëz këtu".

Kërkesa të tilla i shmangu kryetarja e Partisë Socialdemokrate (SPD) në pushtet (SPD), Saskia Esken. Ajo paralajmëroi kundër dyshimit të përgjithshëm ndaj myslimanëve. "Ne nuk duhet të lejojmë ekstremistët e krahut të djathtë të kthejnë terrorin e Hamasit në një urrejtje themelore ndaj fesë islame", tha Esken. "Myslimanët që jetojnë me ne nuk e meritojnë urrejtjen."

Tubimi në Berlin njerëz mbajnë pllakate në mbështetje të Izraelit
Tubimi në BerlinFotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance

Një mesazh të ngjashëm kishte edhe kreu i të Gjelbërve, Omid Nouripour. "Shumica e muslimanëve në Gjermani e kundërshtojnë terrorin e Hamasit – e them këtë në mënyrë eksplicite, si një gjerman i besimit mysliman”, tha ai.

Tubimi i solidaritetit u mbajt nën moton "Çohu kundër terrorit, urrejtjes dhe antisemitizmit - në solidaritet dhe simpati me Izraelin". Ai u organizua nga një aleancë e gjerë nismash të ndryshme, parti, kisha, sindikata, shoqata të punëdhënësve dhe Këshilli Qendror i Hebrenjve.

Folën edhe të afërmit e pengjeve, përfaqësues të partive, kishave dhe bashkësive fetare. Shumë në turmë valëvitnin flamuj izraelitë dhe mund të shiheshin gjithashtu flamuj iranianë dhe kurdë, si dhe pankarta me mesazhe të tilla si "Ndaloni terrorin kundër hebrenjve!" Në të thuhej gjithashtu: "Unë mbaj zi me të afërmit e viktimave izraelite - dhe viktimat civile mes palestinezëve”. Policia pohon se janë mbledhur rreth 10,000 poersona, ndërsa organizatorët flasin për trefish më shumë. Nuk ka pasur asnjë incident serioz gjatë tubimit.