1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rihapen debatet për pavarësinë e Skocisë

10 Shtator 2020

Corona dhe Brexiti u kanë dhënë një hov të ri debateve për pavarësinë e Skocisë dhe shumica e skocezëve do të votonin në një referendum të ri për një Skoci të pavarur.

https://p.dw.com/p/3iFEQ
Schottland Unabhängigkeitsreferendum | Marsch in Glasgow
Fotografi: picture-alliance/Photoshot/E. Cherry

Më 18 shtator 2014, 55 përqind e skocezëve votuan në një referendum kundër shkëputjes së Skocisë nga Britania e Madhe. Por skocezët kanë një qëndrim më pozitiv ndaj Bashkimit Evropian sesa britanikët nga pjesët e tjera të vendit - pas referendumit për Brexitin në qershor 2016 sipas demoskopëve u krijua për një kohë të shkurtër një shumicë në favor të një Skocie të pavarur. Ndërsa që nga maji i këtij viti të gjithë anketuesit vërejnë në mënyrë të qëndrueshme se shumica e skocezëve duan të shkëputen nga Britania e Madhe pas Brexitit.

Duket se virusi Corona dhe zhvillimet e lidhura me të kanë nxitur debatin për pavarësinë e Skocisë. Kryeministri britanik, Boris Johnson po bën zigzage në luftën kundër virusit dhe po prapëson vazhdimisht masa të ndryshme kundër Coronës. Niveli i vdekjeve në Britaninë e Madhe është më i lartë se në çdo vend tjetër evropian.

Schottland Unabhängigkeitsreferendum | Marsch in Glasgow
Marshim pro pavarësisë së Skocisë Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/E. Bootman

Nga disa prej masave të Londrës, si përfitimet për kohë të shkurtuar pune deri në 80 përqind të pagave, përfitojnë edhe skocezët. Sidoqoftë, luftimi i pandemisë është pjesërisht përgjegjësi e rajoneve, kështu që në Skoci zbatohen kryesisht masat e marra nga Edinburgu. "Virusi Corona i ka dhënë qeverisë skoceze një mundësi që të veprojë si qeveri kombëtare", thotë studiuesi Jess Sargeant për DW. "Kjo mund të ketë bërë që edhe më shumë skocezë ta shohin pavarësinë si një projekt realist."

Referendum i ri për pavarësinë?

Kohët e fundit, qeveria e drejtuar nga Nicola Sturgeon forcoi masat kundër Coronës në pjesët perëndimore të vendit përreth rajonit të Glasgout. Aty ndalohen tani takimet private me anëtarë familjesh të tjera. Sipas Jess Sargeant rritja e numrit të të infektuarve me Corona do të kishte një ndikim negativ në çështjen e pavarësisë vetëm nëse Anglia në të njëjtën kohë do ta kishte pandeminë shumë më të mirë nën kontroll. "Por për momentin rastet e Coronës në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar po rriten," thotë Sargeant.

Çështja e pavarësisë në Skoci mishërohet politikisht pothuajse plotësisht nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP) e Nicola Sturgeon - që ka fituar dhjetëra mijëra anëtarë të rinj që nga viti 2014. Që nga shpërthimi i pandemisë së Coronës, SNP ka shënuar sukses të konsiderueshëm në sondazhe dhe një shumicë absolute duket e mundshme për zgjedhjet parlamentare skoceze majin e ardhshëm.

Schottland Unabhängigkeitsreferendum | Nicola Sturgeon
Nicola SturgeonFotografi: picture-alliance/empics/F. Bremner

Një javë më parë Sturgeon njoftoi synimin e tij për të kërkuar deri atëherë në Parlamentin Skocez një referendum të ri për pavarësinë. Sidoqoftë, qeveria e Boris Johnson duhet ta miratojë projekt-ligjin para se Parlamenti Skocez të mund ta votojë atë - dhe Johnson tashmë është shprehur disa herë kundër një referendumi. "Britania e Madhe argumenton deri tani se nuk ka nevojë për një referendum të ri, sepse shumica votoi jo në vitin 2014," thotë politologu Sargeant. "Por një rezultat i fortë zgjedhor për SNP në maj do ta bëjë më të vështirë për (Johnsonin) të argumentojë në këtë mënyrë." Pra deri në maj nuk pritet të ndodhë shumë - përveç nëse SNP apelon në Gjykatën e Lartë. Sidoqoftë është e pasigurt që skocezët mund të fitojnë në këtë gjykatë.

Por është e mundshme që një Brexit i vështirë ta nxisë shumicën e skocezëve që janë pro BE-së të kërkojnë së pari pavarësinë dhe pastaj rihyrjen si vendi i 28-të anëtar i BE. Nicola Sturgeon tha kohët e fundit tha se Brexiti përforcon "dëshirën që Skocia të bëhet e pavarur, të formësojë të ardhmen e saj dhe të bëjë pozitivisht pjesën e saj për Evropën dhe botën". Kurse sipas studiuesit Stargeant, kjo është mjaft e pasigur,t sepse  "një Skoci e pavarur si pjesë e BE do të thotë ngritjen e një infrastrukture në kufirin me Britaninë e Madhe, dhe kjo do të jetë mjaft e vështirë për SNP-në."