Qeveria gjermane miraton ligj për forcimin e demokracisë
15 Dhjetor 2022Grupimi "Shtetas të Rajhut, anëtarë të të cilit u arrestuan para pak kohësh në Gjermani, sipas qeverisë gjermane, është vetëm njëri nga shembujt më të fundit për kërcënimin e demokracisë. Qeveria e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë ka vendosur që të forcojë projektet e shoqërisë civile që parandalojnë kanosje të këtilla.
Ministret federale e punëve të brendshme, Nancy Faeser, dhe e familjes, Lisa Paus, prezantuan të mërkurën në Berlin një ligj të ri për forcimin e demokracisë, të cilin më parë e kishte miratuar edhe kabineti i kancelarit Scholz.
Ligji synon të përmirësojë financimin e shoqatave dhe klubeve që luftojnë ekstremizmin, që synojnë formimin politik të qytetarëve me konceptin e demokracisë dhe që nxisin një shoqëri të larmishme. "Demokracia duhet të jetohet dhe mbrohet çdo ditë”, tha ministrja Paus, gjatë prezantimit në Berlin.
Deri tani projektet që nxisnin demokracinë ishin të limituara në kohë. Qeveria tani dëshiron t'i bëjë të përhershme financimet për projekte të tilla. Veç kësaj financimi do të jetë i pavarur nga mosha dhe më shumë i bazuar në nevoja, në mënyrë që të arrihet më shumë siguri planifikimi për shoqërinë civile.
Një katalog kriteresh përcakton kushtet nën të cilat financohet, ndër të tjera, risia është se në të ardhmen edhe të rriturit do të përfitojnë nga promovimi i demokracisë nga qeveria federale. Deri më tani, për shembull, programi federal "Live Democracy!" përfshinte vetëm edukimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Është rritur nevoja e parandalimit të ekstremizmit
Sfondi i ligjit të ri është kërcënimi në rritje nga ekstremizmi i krahut të djathtë, jo vetëm nga grupimi i shtetasve të Rajhut, por edhe nga një sërë grupimesh të tjera, të cilat janë kristalizuar sidomos gjatë pandemisë. Ato mbështesin lloj lloj teorish konspiracioniste dhe përhapin lajme të rreme, të cilat minojnë komunimikimin politik mbi baza demokratike. Sipas një dokumenti të përbashkët nga ministritë e brendshme dhe të familjes, grupime të tilla kanë shtuar nevojën për të vepruar për parandalimin e ekstremizmit.
Ministrja e Brendshme, Faeser tha se gjatë pandemisë në veçanti, shumë njerëz kishin nisur të dyshonin në demokraci, sepse për herë të parë kishin përjetuar kufizime konkrete në lirinë e tyre personale. "Ne duhet t'i fitojmë ata sërish, dhe prandaj po e bëjmë këtë ligj", argumentoi Faeser. Shoqëria duhet të bëhet më e qëndrueshme ndaj ekstremizmit. "Ne duhet të mbrojmë në mënyrë aktive demokracinë tonë," tha Faeser. Shteti ka armiq. Këtë e tregoi rasti i Qytetarëve të Rajhut. "Këta armiq të shtetit donin të përdorin forcën e armëve për të tronditur shtetin tonë”.
Ata nuk do të kishin sukses, por sidoqoftë ideologjia konspirative, posedimi i shumë armëve dhe fantazitë për një grushti shteti janë megjithatë jashtëzakonisht të rrezikshme, shtoi ministrja socialdemokrate. Ata nuk janë thjesht ca të marrë, por persona që tani dyshohen për organizimin e planeve terroriste, tha Faeser.
Ligji ishte në diskutim prej disa vitesh. Fillimisht ishte planifikuar nga koalicioni i madh, por Unioni e kundërshtoi, me argumentet se ai do të forconte ekstremizmin e krahut të majtë.