1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbi: Opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve

20 Dhjetor 2023

Një pjesë e opozitës nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe organizon protesta. Për protestat janë sjellë njerëz nga Republika Srpska, Mali i Zi dhe Kosova në Beograd.

https://p.dw.com/p/4aKyy
Protestat në Beograd
Protestat në BeogradFotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture alliance

Koalicioni "Serbia kundër dhunës" (SPN) pretendon se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm në Beograd u sollën për të mbështetur listën e Partisë Përparitare Serbe (SNS). Kjo çoi në ndryshimin e vullnetit elektoral të votuesve, prandaj koalicioni kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd, përsëritjen e votimit dhe pastrimin e listave zgjedhore. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (REK) hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet e opozitës për zgjedhjet parlamentare.

Zgjedhjet e manipuluara të Beogradit

Skenat që ndodhën gjatë ditës së zgjedhjeve në Beograd, mbi të gjitha në Arenën e Beogradit dhe rreth saj, dukeshin surreale. Sjellja e organizuar e njerëzve nga Republika Srpska, të cilët u thanë gazetarëve dhe qytetarëve të Beogradit se po shkonin brenda për të marrë një orar për votim, ishte në kundërshtim të plotë me shpjegimin zyrtar të autoriteteve.

Autoritetet pretendojnë se bëhet fjalë për persona me shtetësi të dyfishtë, por nuk shpjegohet pse njerëzit vijnë në Arenën e Beogradit për të zbuluar se ku jetojnë. Personeli i sigurisë i pranishëm në Arenë u shpjegoi votuesve të mundshëm se brenda kishte kabina me emrat e komunave të Beogradit dhe se do të merrnin të gjitha udhëzimet e mëtejshme se ku të votonin atje.

Protestat në Beograd
Protestat në BeogradFotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture alliance

Dështimi i sistemit

Gjatë votimeve kishte një numër të madh të paligjshmërive totale dhe një kolaps të institucioneve. Prokuroria përkatëse pak minuta pas publikimit të regjistrimeve të tilla dhe të ngjashme, shpejt konstatoi se "nuk ka prova që të jetë kryer ndonjë vepër penale në lidhje me zgjedhjet dhe se publiku nuk duhet të shqetësohet nga informacione të paverifikuara”, njoftoi ajo.

Të pasuksesshme kanë qenë edhe përpjekjet e aktivistëve të opozitës për të raportuar parregullsitë nga qendrat e votimit në polici, sepse policia nuk iu është përgjigjur fare thirrjeve të tilla. Siç njoftoi publikun Marinika Tepiq, nënkryetare e Partisë Liri dhe Drejtësi (SSP), "policia vendosi në kolegjiumin e saj që të mos iu përgjigjet thirrjeve të tilla, sepse siç thonë ata, misioni i OSBE-së është aty".

BE-ja ndëshkon qytetarët

Në këtë mënyrë topi iu transferua me mjeshtëri vëzhguesve ndërkombëtarë. Mirëpo, për pasivitetin e ndërkombëtarëve reagon edhe profesori në pension i Fakultetit të Shkencave Politike, Çedomir Çupiq, i cili thotë për DW se "shumë do të varet nga reagimi i faktorit ndërkombëtar”.

"Mendoj se gjëra të tilla nuk mund të tolerohen në një vend që është kandidat për anëtarësim nëBE. Disa procedura dhe rregulla të vlefshme në demokracitë perëndimore u anashkaluan, e në takime të nivelit të lartë është ndihmjuar madje edhe vetëAleksandar Vuçiqi për të fituar. Prandaj nuk jam i sigurt nëse do të mund të rikthehet një pjesë e energjisë së protestës, sepse zgjedhjet u zhvilluan pa u plotësuar disa kushte, e për këtë opozita nuk pati asnjë mbështetje nga jashtë”, vlerëson Çupiq.

ODIHR: parregullsi serioze

Vuçiqi u përfshi fort në fushatë, edhe pse nuk kishte të drejtë!
Vuçiqi u përfshi fort në fushatë, edhe pse nuk kishte të drejtë!Fotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture alliance

Në raportin e tij preliminar, misioni i ODIHR-it theksoi se "në Serbi ka pasur kushte të padrejta në zgjedhje, sepse partia në pushtet kishte një avantazh sistemik. Kemi parë parregullsi serioze si votimi në grup, blerja e votave, si dhe sjellja e organizuar e votuesve nga Republika Srpska”.

Më tej në raport thuhet se "një çështje që shkaktoi shqetësim ishte edhe roli i presidentit, i cili nuk ishte kandidat por mori pjesë në fushatë, gjë që i dha përparësi njërës listë. Kjo cënon rëndë kushtet e ndershme në garën zgjedhore, sepse presidenti i Serbisë duhet të jetë një figurë neutrale, që shpreh unitetin kombëtar”, theksuan vëzhguesit e misionit të ODIHR.

Në fillim opozita këmbënguli vetëm për parregullsi zgjedhore në Beograd, por më vonë gjatë protestave në kryeqytet u theksua se anulimi i zgjedhjeve do të kërkohej edhe në nivel të shtetit. Duket se ende nuk është arritur një marrëveshje, dhe ende janë të paqarta lajmet nëse po kërkohet anulimi i zgjedhjeve vetëm në Beograd apo edhe i zgjedhjeve parlamentare. Marinika Tepiq dhe Miroslav Aleksiq nga 'Serbia kundër dhunës' filluan grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Protestat e pasuksesshme?

Profesori Çupiq paralajmëron se "nuk mund të bëhet shumë në një vend me institucione të robëruara. Autoritetet kanë në dispozicion një sërë presionesh ndaj njerëzve që janë në frikë. Është si në familjen tuaj, nëse keni një tiran atje dhe nëse nuk keni njeri që mund ta ndalojë, atëherë ai vazhdon me tiraninë e tij. Prandaj mendoj se edhe kur bëhet fjalë për protestat në Beograd, nuk kanë shanse për sukses, nëse në rrugë dalin më pak se 150 mijë njerëz”, thotë Çedomir Çupiq.

Protesta e Beogradit para Komisionit Republikan Zgjedhor mblodhi disa mijëra njerëz. Mund të thuhet se reagimi relativisht modest i qytetarëve ishte në një farë mënyre i pritshëm, pas protestave disamujore kundër dhunës. Ata nuk arritën asnjë nga synimet e përcaktuara, mbi të gjitha nuk patën asnjë shans për të krijuar kushte të barabarta zgjedhore.

A pati manipulime të shumta në zgjedhje? Radhët para vendvotimeve...
A pati manipulime të shumta në zgjedhje?Fotografi: Jelena Djukic Pejic/DW

Avokati Bozho Preleviq tregon për DW se "suksesi i protestës varet edhe nga organizatorët e protestave. Por edhe pse vazhdimisht theksojmë se këtu nuk ka sundim të ligjit, është e nevojshme që çdo parregullsi në zgjedhje të dokumentohet dhe vetëm kështu mund të fillohet lufta nëpër institucione”, vlerëson Preleviq. Ai shton se "jo vetëm njerëz nga Republika Srpska janë sjellë në Beograd për të votuar, por edhe nga Mali i Zi dhe Kosova".

"Evropa mbështet uzurpatorin dhe diktatorin"

Preleviq kritikon edhe zyrtarët ndërkombëtarë dhe evropianë, të cilët, sipas tij, "me sjelljet e tyre ndaj Vuçiqit po shkaktojnë indinjatën e qytetarëve të Serbisë dhe për shkak të tij po dënohen qytetarët. "Evropa mbështet një uzurpator dhe një diktator, e pastaj habitet dhe kritikon se në Serbi po bie mbështetja për Bashkimin Evropian”, thotë Preleviq.

Për momentin, opozita po fokusohet në anulimin e zgjedhjeve të Beogradit, por Bozho Preleviq tërheq vëmendjen se është gabim nëse nuk kërkohet e njëjta gjë për zgjedhjet parlamentare: "Nëse e gjithë makineria është e përfshirë në vjedhje, atëherë u vodhën të dyja zgjedhjet”. Nuk mund të thuash se disa fletë votimi janë vjedhur në të njëjtën qendër votimi, e të tjerat jo. Është krejtësisht kontradiktore”, përfundon Bozho Preleviq.