Procesi i Berlinit: më shumë para, më pak histori suksesi
6 Korrik 2019Nga Konferenca e Ballkanit Perëndimor, e cila përfundoi këtë të premte në Poznan të Polonisë, nuk pritej shumë. Sinjali që shkoi në rajon mund të kuptohet si "para për pritjen". Pritje, derisa, për shembull, Presidenti francez Emmanuel Macron të ndryshojë qëndrimin e tij mbi zgjerimin e BE-së dhe të japë dritën e gjelbër për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ose derisa ai të japë miratimin e tij për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Këto dy premtime të bëra prej kohësh, BE-ja deri tani nuk mund t'i përmbushë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme.
Këtë boshllëk duhet ta plotësojë Procesi i Berlinit, iniciativa e përbashkët e disa vendeve të BE-së, gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Evropian. Me fonde dhe samite, që mbahen çdo vit - si Samiti i Poznańit. Tetë projekte të reja infrastrukturore u miratuan në këtë samit, afro 700 milionë euro ka vënë në dispozicion BE për to, 180 milionë syresh grante, pjesa tjetër ne formë kredish:. "Prej tyre përfitojnë njerëzit në rajon", tha kancelarja gjermane Angela Merkel në fund të samitit.
Përfituesi kryesor është Maqedonia e Veriut
Tre prej këtyre projekteve do të shkojnë direkt në Maqedoninë e Veriut, e cila ka dhjetë vjet që është në pritje të çeljes së negociatave për anëtarësim dhe që tashmë konsiderohet si "shembull i ndritshëm" për të gjithë rajonin për arritjen e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. ."Unë nuk njoh askënd në BE që nuk është plot admirim për atë që kanë bërë Greqia dhe Maqedonia e Veriut," tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, themeluesja dhe figura drejtuese e iniciativës për Ballkanin Perëndimor.
Maqedonisë së Veriut i jepet edhe një përgjegjësi e re në kuadër të Procesit të Berlinit: Së bashku me Bullgarinë ajo do të marrë përsipër kryesinë e radhës së Procesit të Berlinit. "Është një nder i madh për ne, si vend kandidat që tani, së bashku me një vend anëtar të BE-së do të koordinojmë projekte kaq komplekse", tha Kryeministri maqedonas Zoran Zaev para gazetarëve.
Tensione të shtuara
Koordinimi i projekteve në Ballkan nuk është detyrë e lehtë:. Në veçanti, konflikti midis Serbisë dhe Kosovës e vështirëson gjithmonë e më shumë zbatimin e projekteve. As në këtë drejtim Samiti i Poznanit nuk mundi të jepte ndonjë sinjal të ri.
Kryeministrat e dy Serbisë dhe Kosovës sollën në Poznan vetëm akuza për njëri-tjetrin. Kështu, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnbabic, raportoi se, për shkak të tarifave doganore prej 100 për qind, të vendosura nga qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, "ky është viti i parë që tregtia mes dy vendeve ka shënuar rënie ". "Kjo ka dëmtuar edhe besimin e përgjithshëm midis vendeve të rajonit", tha Brnabiç. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ritheksoi edhe njëherë qëndrimin tashmë të njohur të qeverisë kosovare për tarifat: "Ato do të hiqen, vetëm kur Serbia të njohë Kosovën".
Më pak histori suksesi
Së paku për një gjë ranë dakord vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë samit: njohja e diplomave universitare. Por ato nuk arritën të binin dakord për njohjen e kualifikimeve profesionale. Marrëveshje të ndër-rajonale të këtij lloji, Procesi i Berlinit ka krijuar mjaft. Për shembull, krijimin e një Zone të përbashkët ekonomike ose një platforme biznesi. Por në zbatimin e tyre ato ndeshin në kufijtë e diktuara prej politikës. "Marrëveshja më e mirë nuk vlen, kur për shembull, një qytetar i Kosovës ende ka nevojë për një vizë për të hyrë në Bosnje-Hercegovinë. Ose nëse një shofer kamioni humb me orë të tëra me zhdoganime, vetëm se mungon vullneti politik për të bashkuar pikat doganore, " tha për Deutsche Welle-n sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu.
"Një histori sukses, siç ishte ulja e tarifave roaming nga 1 korriku, tregojnë se kompromiset janë të mundshme", tha Bregu Por ajo pret më shumë histori suksesi të këtij lloji, "përndryshe nuk do të mund ta mbajmë dot ndezur dritën e perspektivës evropiane".