1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i ri i Shqipërisë Bajram Begaj bëri betimin

24 Korrik 2022

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj bëri betimin para Kuvendit të Shqipërisë. Ai kërkoi unitet për vitalitetin e kombit. Periudhën aktuale ai e quajti "një nga më të vështirat dhe me të paparashikueshmet".

https://p.dw.com/p/4EZvH
Bajram Begaj, der neue Präsident von Albanien
Fotografi: Press office/Albania Presidency

Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj bëri sonte betimin para Kuvendit të Shqipërisë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast para Kuvendit, Begaj theksoi se Shqipëria kishte hyrë në "në një rrugë të pakthyeshme europiane". Ai tha se dilemat dhe dyshimet "për orientimin e saj, i takon tashmë së shkuarës."

Presidenti i ri i Shqipërisë e cilësoi periudhën aktuale "një nga më të vështirat dhe me të paparashikueshmet që prej Luftës së Dytë Botërore". Begaj tha se agresioni rus "një sulm i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj popullit të Ukrainës e ka futur botën në një tjetër krizë". Ai kujtoi që në këtë situatë "Shqipëria dhe Shqiptarët...janë rreshtuar në anën e duhur, përkrah aleatëve".

Bajram Begaj tha se misionin për t'i shërbyer Kushtetutës do ta kryente mbi palët, por paralajmëroi se "nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit, që bie ndesh me këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit tonë".

Ai tha se do të këmbëngulë në bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike, pasi "konflikti nuk është asnjëherë një shërbyes i mirë". Begaj e quajti të nevojshme ridimensionimin e besimit publik.

Parlamenti i Shqiperise
Fotografi: AP/picture alliance

"Në një det të tillë të trazuar nevojitet unitet, më shumë se çdo herë, për të siguruar vitalitetin e kombit tonë, vitalitetin e Shqipërisë", tha Presidenti Begaj. Begaj u zgjodh si President nga Kuvendi i Shqipërisë më 4 qershor vetëm me votat e shumicës socialiste.

Begaj: "Dialogu, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë mishërohet në mirëqenie"

Pas betimit në Kuvend, Begaj shkoi në Presidencë, ku u prit nga Presidenti në largim Ilir Meta. Në ceremoninë që pasoi para Presidencës ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Bajram Begaj iu drejtua atje me një fjalim të shkurtër popullit.

Reforma në drejtësi me ndihmën e aleatëve strategjikë po jep frytet e saj, theksoi ai. Begaj tha "se miqtë tanë te Shqipëria e shqiptarët gjejnë kurdoherë partnerin e tyre të mire besuar".

Mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE, Presidenti Begaj e quajti "një arritje të madhe më se të merituar nga Shqipëria dhe shqiptarët".

Ai tha se do të përkrahë komunikimin dhe idetë që çojnë përpara shoqërinë.

"Dialogu dhe bashkëpunimi midis forcave politike, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit mundësojnë që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për vendin" tha Begaj.

Ish-Presidenti Ilir Meta
Fotografi: Hektor Pustina/AP/picture alliance

Presidenti në largim, Ilir Meta theksoi të dielën se për të kishte qenë privilegj që i shërbeu Shqipërisë si kryetar i shtetit në pesë vitet e fundit.

Në një mesazh në mediat sociale, Ilir Meta shkroi se kishte qenë "nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja në këto pesë vite si President i Republikës së Shqipërisë. I uroj më të mirat atdheut dhe kombit tonë!"

Meta priti në ditën e fundit të largimit nga posti në një takim të posaçëm ish-Komandantin Suprem të Aleatëve për Evropën, Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara, gjeneralin Wesley Clark. Meta tha se është "gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij, si Komandant Suprem i Forcave të NATO-s...që i dha fund gjenocidit etnik në Kosovë dhe në rajon".