Shqipëri: Presidenti i ri zgjidhet pa votat e opozitës
5 Qershor 2022Ish-gjenerali Bajram Begaj, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u zgjodh të shtunën (04.05) president i Republikës me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Katër votat kundër i përkasin tre deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim,(LSI) dhe një deputetit nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet,(PDIU). Deputetët e Partisë Demokratike, (PD) zyrtare bojkotuan seancën, kurse ata që mbështesin Grupin e Rithemelimit, të kryesuar nga ish-kryeministri Berisha braktisën procesin e votimit. Për zgjedhjen e presidentit duhen 71 vota nga 140 deputetë të Parlamentit. Në procesin e votimit ishin të pranishëm vetëm 83 deputetë.
Bajram Begaj do të nisë detyrën e kreut të shtetit, pas përfundimit të mandatit të Presidentit aktual Ilir Meta, muajin e ardhshëm, më 24 korrik. Bajram Begaj është Presidenti i shtatë në Shqipërinë post-komuniste.
Urime nga Gjermania, BE dhe SHBA
Ambasada gjermane në Tiranë uroi të shtunën, Bajram Begaj, për zgjedhjen e tij si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. "Zgjedhja e Presidentit qendron mbi politikën e ditës. Ajo krijon mundësinë unike për t'u angazhuar në shenjë të bashkimit si dhe – nisur nga sfidat, përpara të cilave gjendet Shqipëria – për të punuar në kapërcimin e llogoreve politike e për të mbështetur kulturën e bashkimit përtej partive. Në këtë kontekst i uroj z. Bajram Begaj shumë forcë e çdo të mirë”, thuhet në një deklaratë të ambasadës gjermane. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell, në një postim në "Twitter” uron Bajram Begaj dhe thekson "mezi presim të punojmë bashkë për një marrëdhënie të sigurtë dhe solide BE-Shqipëri, si anëtarë të familjes evropiane."
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, uron Presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj”, mezi pres të punojmë së bashku për të çuar përpara Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, shkruan komisioneri Varhelyi në median sociale. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron Bajram Begaj për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. "Ne presim me kënaqësi që të vazhdojmë të punojmë me të në detyrën e tij të re dhe të forcojmë më tej partneritetin midis vendeve tona”, thekson në një postim në median sociale Ambasada e SHBA në Tiranë.
PD: Zgjedhje personale e kryeministrit Rama
Krahas urimeve nga faktori ndërkombëtar nuk kanë munguar akuzat e opozitës për korrupsion ndaj presidentit të sapozgjedhur Begaj. Zëdhënësja e PD-së zyrtare, Orjola Pampuri, në një reagim në rrjetet sociale e cilësoi zgjedhjen e presidentit të ri si „ zgjedhje personale të kryeministrit Rama, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore". „Demokratët u përpoqën të jenë pjesë e procesit për një president konsensual, por deklaratat e tij për një president të tillë ishin një mashtrim publik", theksoi ajo në median sociale.
Kryetari i Grupit të Rithemelimit të PD, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi pas braktisjes së procesit të votimit bashkë me mbështetësit e tij, se „burime plotësisht të besueshme, nga media dhe politikanë, kanë denoncuar firmosjen nga presidenti i ri të dokumentave për plaçkitjen e bazave ushtarake detare." Ai e quajti „shumë të rrezikshme për vendin" procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri". "Kjo procedurë hap shtegun, krijon precedent, që çdo shef shtabi të aspirojë që të kapë kreun e shtetit. Në rastin konkret, flitet se Edi Rama është korruptuar me pronat e bazave ushtarake, dhe të ushtrisë. Me akuzat për pronat e bregdetit jam njohur edhe më herët por për këto fakte jam njohur dje dhe sot", tha ish-kryeministri Berisha.
Kryeministri Rama: I dhamë vendit një President normal
"Pas një periudhe dramatike në zyrën e Kreut të Shtetit, i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, për një vend normal dhe funksionimin normal të Zyrës së Kreut të Shtetit. Ai është një figurë e pakontestueshme nga ana e integritetit, humanizmit dhe përkushtimit për vendin dhe njerëzit", tha kryeministri Rama.