Orbani dhe republikanët kushtëzojnë ndihmat për Ukrainën
14 Dhjetor 2023Çështja e ndihmave për Ukrainën është shndërruar në SHBA në një çështje të brendshme politike, për shkak të mosmarrëveshjeve mes demokratëve dhe presidentit Biden në njërën anë, si dhe republikanëve në anën tjetër. Por edhe Hungaria ka rezerva të mëdha - ka kërcënuar madje edhe me veto. Pak para fillimit të samitit të BE në Bruksel, Presidentja e Komisionit europian, Ursula von der Leyen hapi rrugën për dhënien e 10 miliardë eurove Hungarisë, të bllokuara për shkak të problemeve të këtij vendi me shtetin ligjor.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky udhëtoi nëSHBA nga Argjentina, ku ishte ishte edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili po kushtëzon ndihmat për Ukrainën. Ata të dy kanë biseduar shkurt, rreth 20 sekonda, siç shihet në një video në internet. Nuk dëgjohet se çfarë kanë biseduar, por fakt është që pozicionet e Ukrainës dhe Hungarisë janë aktualisht shumë të largëta.
Po se cilat do të jenë vërtet pozicionet e Hungarisë karshi Ukrainës, do të shihet në samitin e BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel, ku pritet të vendoset edhe për paketën e ndihmave në vlerë prej 50 miliardë euro për Ukrainën si dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim të saj në BE. Hungaria ka kërcënuar hapur së fundi se do të vë veto ndaj këtyre propozimeve.
Ukraina në situatë të rëndë
Në fillim të dimrit të dytë të luftës, Ukraina gjendet në situatën e saj ndoshta më të vështirë që nga fillimi i agresionit rus në shkurt 2022. Ushtarakisht, muajt e fundit është vërejtur një lodhje e rraskapitje. Gratë dhe të afërmit e ushtarëve protestuan kohët e fundit në Kiev për t'u lejuar ushtarëve një pushim më të gjatë pas 21 muajsh lufte. Presidenti Zelensky po përballet me kritika në vend, përfshirë atë të kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitaly Klitçko. Ndërsa vëmendja e botës është zhvendosur nga Ukraina në Gazë. Nuk dihet asgjë se cilat janë motivet e Orbanit, por dihet se ai aktualisht është kundër vazhdimit të ndihmave dhe po përpiqet të ruajë “marrëdhëniet e mira” me presidentin rus Vladimir Putin.
Problemet me mbështetjen amerikane
Ndërkohë presidenti i Ukrainës ka shkuar për vizitë edhe në SHBA për të kërkuar mbështetje, për shkak se deputetët republikanë kanë kushtëzuar vazhdimin e ndihmave. Ata kanë kërkuar nga presidenti Jo Biden që të mbështetë ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën dhe të ashpërsojë politikën ndaj migrantëve të huaj, nëse pretendon që të votohet buxheti i parashikuar për ndihma, në vlerë prej rreth 60 miliardë dollarë.
Presidenti amerikan ka dhënë sinjalet e para për kompromis, por analistët në Uashington dyshojnë se këto ndihma mund të votohen gjatë këtij viti. Ndërsa presidenti Zelensky tha se Ukraina ka nevojë të domosdoshme për ndihma, në veçanti sa i përket epërsisë në ajër. Sipas tij, nëse Ukraina kontrollon hapësirën ajrore mbi këtë vend, ajo do ta ketë shumë më lehtë të luftojë dhe të fitojë në tokë. Por presidenti ameirkan Biden akoma nuk ishte në gjendje t'i garantojë atij vazhdimin e mbështetjes, sikur deri tani. Akoma mbetet e hapur se si do të zgjidhet ky problem.